Çka duhet të bëjë LDK-ja pas kushtëzimit të LVV-së?

Politika

Çka duhet të bëjë LDK-ja pas kushtëzimit të LVV-së?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 25 gusht 2019 Në ora: 08:36
VV- LDK

Pasi që të enjten është shpërndarë Kuvendi i Kosovës “lufta” për të dal partia e parë është më e fortë. Të gjitha partitë politike, po mundohen që të dalin të parat, ka disa prej tyre të cilat përmes koalicioneve po mundohen që të mbijetojnë. Gjithashtu, edhe partitë politike më të madhja në vend po kërkohet që të bëhen së bashku për të mos përballet edhe njëherë vendi me të keqen.

Lëvizja e Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike janë dy partitë për të cilat është duke u kërkuar më së shumti një koalicion i përbashkët.

Bile, për këtë ka pasur edhe oferta të ndryshme. Një ndër to është edhe oferta e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se LVV-ja me marrë kryeministrin, ndërsa LDK-ja Kuvendin dhe Presidencën kur të larohet presidenti i tanishëm Hashim Thaçi.

“LDK me marrë të parin edhe të dytin, VV me marrë postin e tretë kushtetues që është kryeministri. Edhe për një arsye të thjeshtë, VV-ja nuk ka qeverisur kurrë”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa, nga LDK-ja nuk e ka mohuar se mund të ketë  një koalicion paszgjedhor me VV-në, por kjo e fundit nuk mund të bëjë kushtëzime.

Lista LDK-LVV do të shtonte 10 mandate më shumë për këto parti

Ish deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, e ka rikonfirmuar mbështetjen për një koalicion parazgjedhor me LDK-në. Ajo ka thënë se një bashkëpunim i tillë është domosdoshme për të mirë të shtetit

Image
Drita Millaku

“Ka dy vite që pandërprerë kërkoj një koalicion parazgjedhor me LDK, një bashkëpunim i tillë është mëse i domosdoshëm për të mirën e shtetit tek e fundit elektorati i të dy partive po kërkon një bashkëpunim parazgjedhor”, ka thënë ajo për “Bota sot”.

Millaku e ka quajtur të arsyeshme kërkesën që Kurti të jetë kandidatë për kryeministër, pasi që ka përkrahjen masive të popullatës.

“Është shumë reale dhe shumë e arsyeshme që kërkojmë që Albini të jetë kandidat për kryeministër sepse është personi me i votuar në zgjedhjet e fundit dhe të gjitha sondazhet tregojnë për një përkrahje masive të popullatës për Albinin”, ka potencuar zyrtarja e VV-së.

Gjithashtu, ish deputetja e VV-së, para sheh se një listë e përbashkët ndërmjet LVV-së dhe LDK-së paku nga mandate më shumë për secilën parti.

“Lista e përbashkët do ti shtonte së paku nga 5 mandate më shumë për secilën parti, dhe do të kalonte 55% , që kjo thotë se mund të kemi qeveri shumë stabile për vendimet që pasojnë. Por më shumë siguri të plot them se fitorja e Lëvizjes është e pashmangshme”, ka potencuar Millaku.

LVV-ja nuk mundet t’i jep afate LDK-së

Ndërsa, ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi, nuk e ka mohuar që mund të ketë një koalicion me Vetëvendosje, por vetëm pas zgjedhjeve.

“Sistemi aktual zgjedhor determinon një rezultat paszgjedhor i cili duhet të krijoje shumicën parlamentare dhe si të tillë qeverinë e shumicës fituese. Dhe si i tillë asnjë force politike nuk mund të bëjë e vetme qeverinë,andaj duhet koalicion për një qeveri stabile, ekzekutive e cila punon për qytetarin. Andaj nëse në parim ka akord për program të zhvillimit,avancimit të shtetit dhe kultivimit të bashkëpunimit të sinqerte LDK e VV munden të jenë në qeverinë e ardhshme bashkë”, ka thënë ajo për “Bota sot”.

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Zyrtarja e LDK-së shprehet se LDK nuk është parti hakmarrëse përkundër veprimeve VV-së gjatë mandatit të Isa Mustafës si kryeministër.

“LDK nuk është parti hakmarrëse dhe aq më tepër jo degraduese e politikave zhvillimore për vendin, sepse ne i dimë mirë veprimet e tyre në qeverinë Mustafa, por në opozitë ne u mësuam atyre opozitarizmin e mirëfilltë, pa veprime të dhunshme dhe shkatërruese për shtetin. Do të ishin me fat që edhe në qeverinë e “mundshme” të ardhshme ata ta kenë fatin të jenë bashkë me LDK dhe të shohin si duhet vepruar në pushtet i cili nuk është privilegj, por obligim ndaj qytetareve”, ka shtuar Bunjaku - Rexhepi.

Gjithashtu, ajo ka theksuar se Vetëvendosja nuk mundet t`i jap afate kohore e as kushte LDK-së, pasi që partia e saj ka kuadro të forta për të gjitha pozitat.

“Dhe si të tillë ata nuk munden t’i japin kushte LDK-së dhe as afate kohorë kinse ata janë, por ne nuk duam... LDK ka njerëz dhe kuadro të forta për të gjitha pozitat dhe para se gjithash ka besimin qytetar që t’i prije proceseve të mëdha për vendin kudo që merr përgjegjësinë, por kësaj radhe assesi me PDK në qeverinë e ardhshme, me qytetaret  në koalicion parazgjedhor dhe vullnetin e tyre pas zgjedhjeve për një qeveri të mirë dhe të shpresës e besës!!”, ka deklaruar Bunjaku - Rexhepi.

Zogaj: Oferta e LVV-së për LDK-në e pasinqertë

Analisti politik, Skënder Zogaj, në një prononcim për “Bota sot” ka vlerësuar ofertën e Konjufcës për LDK-më , por mendon se nuk është një ofertë e sinqertë.

“Ofertat janë të mirëseardhura gjithmonë dhe shenjë i vullnetit të mirë për bashkëpunim! Kështu duhet vlerësuar edhe ofertën e VV për LDK-n nëpërmjet të Glauk Konjufcës! Oferta duhet përshëndetur, mirëpo, them se nuk është e sinqertë, kur dihet se, ofertat me kushtëzime janë për tu analizuar mirë dhe për partitë serioze të papranueshme!”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Image
Skënder Zogaj

Për më tepër, Zogaj ka thënë se LDK-ja nuk guxon që të pranoj oferta kushtëzuese, sidomos rreth postit të kryeministrit. Ai ka shtuar nëse kjo është ofertë e VV-së, jo Konjufcës, më mirë është të mbetet në opozitë.

“LDK-ja që ka bërë sakrifica të mëdha duke u përpjekur që të mos bëhet shkaktare e ndalimit të "vrulleve gjaknxehta", nuk guxon që të pranojë oferta kushtëzuese, sidomos rreth postit të kryeministrit, sepse, nuk është adet i mirë që veja t'i krekoset pulës! Nga çfarë merita VV merr guximin të kërkoj kryeministrin dhe LDK-s t'ia jep Kuvendin dhe Presidentin? Nëse është oferta personale e Glauk Konjufcës, nuk prish punë, por nëse vërtetë kështu tash për tash mendon VV-ja, mendoj se nuk duhet të ketë koalicion parazgjedhur. Më mirë LDK të mbetet në opozitë sesa të pranoj oferta përçmuese!”.

Beteja për poste

Politologu, Ejup Berisha, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka deklaruar se është e pakuptimtë që forcat aktuale opozitare që cilat pretendojnë që të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta marrin në duart e tyre pushtetin dhe të formojnë Qeveri të koalicionit të kenë mospajtime dhe dallime qenësore rreth çështjeve se kush do të jetë kush në qeverinë e ardhshme të re

“Në politikë shtizat gjithmonë thyhen rreth mundësisë së ndikimit më të madh në procesin e marrjes së vendimeve të rëndësishme politike. Rreth kësaj çështjeje kruciale gjithmonë ka fërkime konflikte bile edhe luftëra mes subjekteve politike në një shtet kjo do të thotë edhe në Republikën e Kosovës. Në procesin e luftës për pushtet faktik e jo fiktiv gjithmonë dëshirat, ambiciet dhe  pritshmëritë e të gjitha forcave politike janë më të mëdha por me këtë rast edhe mospajtimet, konfliktet dhe përleshjet janë më të theksuara dhe më reale. Sot kush udhëheq dhe e kontrollon Qeverinë i ka të gjitha sepse i tërë pushteti faktik dhe ndikimi është zhvendosur te Qeveria. Ky institucion sot i kontrollon të gjitha institucionet shtetërore dhe publike si dhe shumicën e  rrjedhave politike. Prandaj është shumë reale dhe normale që partitë politike të insistojnë që ta marrin nën kontrollin e tyre Qeverinë. Por është e pakuptimtë që forcat aktuale opozitare që cilat pretendojnë që të marrin pjesë në zgjedhje  dhe ta marrin në duart e tyre pushtetin dhe të formojnë Qeveri të koalicionit të kenë mospajtime dhe dallime qenësore rreth çështjeve se kush do të jetë kush në qeverinë e ardhshme të re. Gjithashtu është shumë e pakuptimtë që forcat politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Kosovës të cilat do të duhej që të mbahen së shpejti të bëjnë projeksione parakohe se cili subjekt cilin pushtet apo cilin institucion shtetëror do ta merr për ta qeverisur apo më konkretisht cilin pushtet apo institucion të shtetit do ta kontrollojnë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Ejup Berisha

Po ashtu, Berisha është shprehur se Vetëvendosja dhe LDK duhet më tepër që të përqendrohen në përpjekjet për të fituar më shumë deputet në përbërjen e re  të Kuvendit .

“Tani për tani Vetëvendosja dhe LDK duhet më tepër që të përqendrohen në përpjekjet për të fituar më shumë deputet në përbërjen e re të Kuvendit apo të angazhohen më shumë në betejën për ta larguar koalicionin e tanishëm qeveritar të udhëhequr nga PDK-ja, AAK si dhe nga partitë e tjera më të vogla që i janë bashkangjitur koalicionit të tanishëm Qeverisës. Rezultati i volitshëm dhe më i favorshëm i partive opozitare në zgjedhje do ti determinojë dëshirat ambiciet si dhe pozicionet por edhe rolin e këtyre partive flas për VV dhe LDK për ta bërë ndarjen e kulaçit Qeveritar”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Në vjeshtë, sipas Berishës, partitë e Kurtit dhe të Mustafës i pret një betejë e ashpër dhe se për ndarjen e posteve duhet që të sigurohet fitorja.

“Pra Partinë e Albin Kurtit dhe Isa Mustafës e pret një betejë e madhe dhe shumë e ashpër në vjeshtë  dhe nëse eventualisht këto i fitojnë zgjedhjet këto subjekte politike atëherë numrat e deputetëve e përcaktojnë fituesin e ai që ka fituar më shumë në zgjedhje mund të pretendojë për ndikim më të madh në pushtet. Një fjalë popullore thotë “para se të kërcesh nga diku mos bën opa”. Pra punët duhet quar me rend njëherë të sigurohet fitorja në Zgjedhjet Parlamentare në vjeshtë e pastaj të ndahet kulaçi apo të arrihet marrëveshja se kush ku do ta shtrijë kontrollin apo ndikimin e vet politik. Në Demokraci fituesin e përcakton vota e qytetarëve, ndërsa numri i votave të fituara e përcakton mënyrën e ndarjes së posteve shtetërore si dhe fuqinë e subjektit apo subjekteve fituese në zgjedhje”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka thënë se nuk do të ketë ndarje të posteve pa u siguruar fitorja e këtyre dy partive, dhe se ai e quan betejën fiktive mes LDK-së dhe Vetëvendosjes në mënyrë që votuesi i tyre të afrohet edhe më shumë.

“Pa siguruar fitore VV dhe LDK nuk ka formim të qeverisë dhe me këtë rast nuk mund të ketë edhe ndarje postesh e aq më pak pozicionimesh dhe shtrirje ndikimesh në për institucionet kyçe shtetërore. Luftën e fjalëve apo betejën fiktive mes LDK-së dhe Vetëvendosjes e kuptoj si mundësi për të afruar më shumë votues rreth subjekteve të tyre ndërsa votuesit i afrohen përherë atij subjekti politik që do të ketë më shumë pushtet dhe ndikim në institucionet dhe organet kyçe shtetërore. Në rastin konkret votuesit do ti japin më shumë vota atij subjekti që do ta merr postin e Kryeministrit sepse Qeveria ju sjell më shumë përfitime qytetarëve”, ka përfunduar Berisha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat