Ditën e nesërme do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ku do të diskutohet për kandidatin për kryeministër.
Kryesia e e kësaj partie në takimin e së shtunës gjithashtu ka lënë të hapur mundësinë që kjo parti të shkojë në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.
Lidhur më këtë çështje, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar edhe anëtarin e Kryesisë së LDK-së, Florian Dushi. Ai në një bisedë për gazetën ka thënë se partia e tij nuk e ka asnjë problem lidhur me përcaktimin e kandidatit për kryeministër.
“Nuk ka asnjë problem në LDK lidhur me përcaktimin e kandidatit për Kryeministër. LDK tashmë e ka dëshmuar që kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme për vendin, ajo ruan dhe fuqizon akoma më shumë unitetin e brendshëm”, është shprehur Dushi, për gazetën “Bota sot”.
Tutje, anëtari i Kryesisë së LDK-së është shprehur i bindur se partia e tij do të dal fituese në zgjedhjet e ardhshme, të cilat pritet të mbahen së shpejti.
“Në këtë frymë, në frymën e unitetit, me mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, të cilët janë lodhur tashmë nga qeverisja e keqe, krimi dhe korrupsioni, LDK do t'i fitojë zgjedhjet e ardhshme dhe do t'i ofrojë qytetarit të Kosovës një qeverisje të mirë e sundim të ligjit, si diçka që qëndron në themel të të gjitha zhvillimeve të ardhshme pozitive në vend”, ka përfunduar Dushi për gazetën “Bota sot”.
Kujtojmë se nga takimi i së shtunës, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arban Abrashi, është zgjedhur Sekretar Organizativ i Partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova.
Abrashi edhe më herët ka qenë pjesë e Kryesisë së LDK-së derisa në garën e fundit për Kryetar të Prishtinës kishte humbur për më pak se 200 vota.
Rezultati i sondazhit do të bëhet publik nesër.