Jo domosdoshmërisht duhet Vjosa Osmani të jetë kryeministre

Politika

Jo domosdoshmërisht duhet Vjosa Osmani të jetë kryeministre

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 28 gusht 2019 Në ora: 15:30
Vjosa Osmani

Në zgjedhjet e fundit të Këshillit të Përgjithshëm në LDK, pa asnjë votë kundër, Vjosa Osmani, u zgjodh të jetë kandidate për kryeministre në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen me 6 tetor të këtij viti.

Kandidat potencial për kryeministër, janë gati edhe nga partitë tjera.

Sipas të gjitha gjasave, kandidatja e vetme femër, do të jetë Vjosa Osmani.

Nga njerëz të ndryshim publik është diskutuar edhe nevoja që Kosova të qeveriset më në fund nga një femër.

Por kjo, del të jetë veç në suaza të debatit publik dhe se sipas analistëve dhe politikanëve, nuk është edhe aq me rëndësi nëse qeverinë e udhëheqin femër apo mashkull.

Luzha: Unë natyrisht do të preferoja që ti jepej rasti ndonjë gruaje

Image
Besa Luzha

Besa Luzha, njohëse dhe aktiviste e shoqërisë civile, për “Bota sot”, u shpreh se Kosova ka nevojë për një qeveri stabile, legjitime dhe që ka një program të qartë se si me dal nga situata jo fort e dëshirueshme, në të cilin jemi.

“Kosova ka nevojë  për një qeveri stabile, legjitime dhe me program të qartë se si me dalë nga status quo ku jemi”, tha ajo.

Më tej, Luzha, theksoi se, Kosovës i duhet dikush që udhëheq me parime, me guxim po edhe me zgjuarsi e diplomaci, sidomos në këtë fazë para përmbylljes eventuale të dialogut.

“Këto cilësi mund të gjenden edhe te të dy gjinitë parimisht. Unë natyrisht do të preferoja që ti jepej rasti ndonjë gruaje, jo vetëm për faktin që është grua, por vetëm nëse ka cilësitë e lartpërmendura.

Një grua nga zarfi, nuk do të ishte e preferueshme, por një grua në të cilën kanë besim qytetarët dhe këtë e shprehin me votë, po”, tha ajo.

Rugova: Ka ardhë koha me udhëheqë Kosovën një njeri që do ta luftojë korrupsionin

Image
Yll Rugova

Nga ana tjetër, Yll Rugova, tashmë zyrtar në Lëvizjen Vetëvendosje, nuk është i mendimit se Kosovës i duhet domosdoshmërisht të qeveriset nga një grua. Ai, për “Bota sot”, tha se Kosovës i duhet të qeveriset nga një njeri i cili ka potencial dhe që është i palëkundur ndaj të keqës.

Me gjasë, Rugova, u shpreh kështu duke iu referuar Kurtit.

“Ka ardhë koha me udhëheqë Kosovën një njeri që do ta luftojë korrupsionin. Dikush që ka dije, dhe ka dëshmuar se parimet për një shtet të drejtë, të zhvilluar, me arsim dhe shëndetësi cilësore janë kryesoret në qeverisje”.

Më tej, Rugova, tha se Kurti ka qenë konsistent gjatë gjithë karrierës së tij politike.

Krasniqi: Me Vjosën kryeministre, për Kosovën do të filloj një faqe e re

Image
Faik Krasniqi

Nga ana tjetër, analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, tha se Kosova duhet të qeveriset nga një grua, gjegjësisht Vjosa Osmani.

Sipas tij, Osmani, është e paluhatshme në parimet e saj. Krasniqi, theksoi për “Bota sot”, që me Vjosa Osmani, Kosova do të fillojë një faqe të re.

“Nuk është çështja që vendi të qeveriset nga një grua, por nga një grua e fortë që është e pa luhatshme në parimet e saj. E një grua që i plotëson këto kritere për ta qeverisur vendin, është Vjosa Osmani. E pa luhatshme dhe e zgjuar. Jam shumë i bindur që me Vjosën kryeministre, për Kosovën do të filloj një faqe e re. Shpresë për ditë më të mira”, tha ai.

Ai, shtoi se Kosovës nuk i duhet të qeveriset nga njerëz që bëjnë kompromis me të keqën.

“Kosovës nuk i duhen të qeverisin njerëz që bëjnë kompromis me të keqën. Cili do kandidat tjetër i LDK-së për kryeministër, do të ishte dështim dhe humbje e shpresës për qytetarët e Kosovës. Vjosa Osmani është kandidatura më e qëlluar”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat