Aderimet, vlera apo përmbushje e interesave personale të individëve përmes partive politike?  

Politika

Aderimet, vlera apo përmbushje e interesave personale të individëve përmes partive politike?  

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 30 gusht 2019 Në ora: 12:36
Foto ilustrim

Sa herë që në Kosovë shpallen zgjedhjet, partitë politike përveç premtimeve megalomane për qeverisje të mirë, mundohen që pran tyre të sjellin figura të reja nga shoqëria civile, bota e artit, kulturës etj. Nuk mungojnë as aderimet nga njëra parti tek tjetra. Më të vlefshmet në këtë mes po konsiderohen aderimet nga shoqëria civile, ku persona që nuk kanë pasur poste publike i bashkëngjiten ndonjërës nga partitë për të kontribuuar me vlerat e tyre.

Aderimet nëpër parti politike tashmë janë bërë të ditëpërditshme. Nuk kalon ditë pa ndodh ndonjë aderim në një nga partitë ekzistuese. Në sytë e opinionit, analistëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile, kjo dukuri nuk shihet edhe me aq pozitivitet. Ata, shprehën se kjo është veç një lojë për të ra në sy dhe se gjithçka po bëhet për interesa personale.

Aderime ka nga të katër anët. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, para dhe pasdite del e tregon se kush aderoi në partinë e tij. Po ashtu AAK-ja nuk është për t’u ankuar në këtë drejtim. Vetëvendosje dhe Nisma, e të gjitha partitë tjera.

Në LDK, duket se nuk ka shumë aderime nga ç’kanë partitë tjera. Arsye kjo që jo domosdoshmërisht LDK-në e bën më pak të vogël se partitë tjera.

Gecaj: LDK  e ka kuadrin më të gjerë

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i kësaj partie, Bajram Gecaj, në një prononcim për “Bota sot”, tha se LDK-ja e ka kuadrin më të gjerë në këtë drejtim por gjithsesi që mbetët e hapur për këdo që dëshiron të ia mësyjë kësaj partie.

“LDK ka kuadrin më të gjerë, megjithatë, ne kemi qenë të hapur për anëtarësimet e reja çdo herë. Besoj që edhe këtë radhë do të kemi të tillë”, tha ai.

Krasniqi: Aderimet nga shoqëria civile janë të shëndosha

Image
Faik Krasniqi

E se sa mund të sjellin sukses aderimet e tilla, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se aderimet nga shoqëria civile janë të shëndosha, ndërsa aderimet e njerëzve që lëvizin nga një parti në tjetrën, janë për interesa personale.

 “Aderimet e njerëzve që kanë qenë pjesë e shoqërisë civile, ose s'kanë pasur poste shtetërore, janë aderime të shëndosha. Njerëz që sinqerisht futen në politikë me shpresën për të ndryshuar diçka për të mirë. Kurse aderimet e individëve që lëvizin nga një parti në parti tjetër, janë lëvizje për interesa të tyre personale. Kemi parë aderime të njerëzve që kanë shijuar çdo post nga ish partia, është prishur me partinë dhe kërcen tek partia tjetër. Ata nuk sjellin dobi as për shtetin, as për popullin dhe as për partinë. Janë njerëz të dëmshëm për shtetin dhe shoqërinë”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, me aderimet e njerëzve të tillë pësojnë edhe partitë, derisa shton se skena politike është banalizuar dhe shndërruar në cirk, derisa ka pasur aderime këngëtarëve, aktorëve dhe floktarëve.

“Edhe partitë pësojnë me aderimin e këtyre njerëzve, sepse elektorati irritohet shkaku i njerëzve të tillë dhe mund t'i ndëshkojnë në zgjedhje. Çdo aderim i njerëzve të pastër nëpër partitë politike, do të thotë se ajo parti ka vlera dhe konsiderohet serioze për t'i fituar zgjedhjet. Me sjelljen e këtyre njerëzve, partitë politike e dëshmojnë se sa seriozisht e marrin shtetin dhe qytetarin e saj. Kemi parë aderime të këngëtarëve, aktorëve dhe floktarëve. Kjo tregon në çfarë mase është banalizuar skena politike në Kosovë. Cirk i vërtetë”, deklaroi Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Haziri: Janë aderime për interesa personale të njerëzve të caktuar në parti  të caktuara

Image
Nexhat Haziri

Nga ana tjetër, publicisti Nexhat Haziri, është i mendimit se aderimet që po ndodhin së fundmi, përgjithësisht janë për interesa personale të njerëzve të caktuar nëpër parti të caktuara.

“Janë aderime për interesa personale të njerëzve të caktuar në parti  të caktuara, dhe këto aderime kur bëhen në fushata zgjedhore nuk kanë kush e di çfarë impakti edhe tek votuesit, pasi qytetari i Kosovës është mjaftë inteligjent sa për t`i kuptuar aderimet e kësaj kategorie njerëzish të cilët këto veprime nuk i bëjnë pse besojnë në një program politik në partinë ku ata aderojnë por thjesht kalkulojnë për interesat e tyre”, tha ai.

Haziri, po ashtu komentoi edhe mos aderimet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku ndër të tjera tha se kjo nuk përbën problem dhe se s’është aspak hendipek për LDK-në.

“Sa i përket asaj që në LDK, nuk shohim shumë aderime, nuk është se kjo përbën ndonjë hedikep për këtë parti, por mendoj se konkurrenca që është në LDK, sidomos nga një brez i ri politikanësh, si kandidatja për kryeministre znj. Osmani, pastaj politikan si z. Shala, Abrashi, Abdigjiku, Selmanaj e shumë të tjerë, bënë që ata më lehtë e shohin aderimet e tyre dhe zënien e pozitave në partitë e tjera ku janë deficit i madh i politikanëve të ri të formuar edhe profesionalisht dhe politikisht, siç është VV, AAK, NISMA e të tjerat”, tha Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat