Çfarë pret elektorati i LDK-së nga Vjosa Osmani? - Bota Sot
Çfarë pret elektorati i LDK-së nga Vjosa Osmani?

Politika

Çfarë pret elektorati i LDK-së nga Vjosa Osmani?

Nga: D.B Më: 2 shtator 2019 Në ora: 18:12
Vjosa Osmani

Duhet shumë punë për të rikthyer shpresën e humbur të qytetarëve, por edhe besimin e rrënuar tek miqtë tanë ndërkombëtarë.

Kështu ka vlerësuar analisti politik Ramiz Bojaj, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se është koha e fundit e ri zgjimit të elektoratit të Kosovës, të cilët, duhet të kërkojnë më shumë qartësi e përgjegjësi nga liderët e tyre.

“Elektorati i LDK-së, duhet të kërkojë garancë të fortë nga kandidatja e kësaj partie për kryeministre, znj Vjosa Osmani, se cili është plani-strategjia e saj, fillimisht për mbrojtjen e Republikës së Kosovës nga idetë e copëtimit (i njohur si shkëmbimi i territoreve me Serbinë), pastaj, cilat janë mjetet dhe metodat për të çrrënjosur krimin, korrupsionin, nepotizmin të cilat po e vrasin shtetin tonë. Cili është plani strategjik për zhvillim ekonomik, plani zhvillimor afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë, me çka do të garantonte ndaljen e shpopullimit të Kosovës. Gjithashtu znj Osmani duhet të sqarojë shumë qartë platformën e saj pas zgjedhore, orientimi i saj në bashkëqeverisje me partnerët e koalicionit dhe, se, cilat janë vijat e kuqe në dialogun me Serbinë, mbi të cilat nuk mund të kalojë qeveria në ardhje. A do ta mbrojë me çdo kusht pozicionin e saj si kandidate për kryeministre, edhe nëse del parti e dytë ose e tretë, cilat janë pengesat dhe lehtësimet në këtë aspekt. Gjithashtu, znj Osmani duhet të sqarojë se në çfarë mënyre mund t'i sfidojë klanet e vjetra të kësaj partie të cilët qëndrojnë prapa Vjosës në këtë fushatë parazgjedhore”, ka thënë Bojaj.

Image
Ramiz Bojaj

Sipas tij, kjo duhet bërë për faktin se këto figura që i qëndrojnë në krah znj Osmani, ishin pjesë të pushteteve të mëhershme me PDK-në dhe janë po kaq përgjegjës për regresin e shkatërrimin e Republikës së Kosovës, aq sa edhe vet strukturat e SHIK-ut. “Shtrohet pyetja se ku është bazuar znj Osmani, për ndryshime të mëdha në politikëbërjen e LDK-së, në bashkëpunim me klikat e vjetra. Ka ndryshuar znj Osmani, apo kanë ndryshuar ish deputetët e legjislaturës së fundit? Nëse këtu ekziston 'ujdi' vetëm për vota, elektorati i LDK-së dhe në përgjithësi qytetarët e Kosovës, nuk mund të shpresojnë në ndryshime pozitive as nga kandidatja znj. Osmani. Populli nuk harron. Humbja e 8 200 Ha tokë me Malin e zi, pastaj, formimi i asociacionit të komunave serbe AKS e kanë vulën edhe të LDK-së, e që doli të jetë antikushtetues. A ekzistojnë gjasa qe ky reformim ose kapërcim pozitiv qiellor, të fillojë brenda LDK-së, për të zgjeruar frontin në shkallë më të gjerë. Kosova është në rrezik të madh”, ka thënë Bojaj.

Ai konsideron se skenari i Çakorrit mund të përsëritet edhe për veriun e Kosovës, për faktin se tema e ndarjes së Republikës është duke qarkulluar si opsion i ardhshëm rreth marrëveshjes finale me Serbinë.

“Edhe këtë duhet ta sqarojë znj Osmani, se cili është qëndrimi i saj në këtë drejtim dhe çka nëse komuniteti ndërkombëtar e sjell këtë temë në agjendën e bisedimeve finale Kosovë-Serbi. Nëse këto tema nuk janë esencialisht të sqaruara nga znj. Osmani, atëherë gjithë fushata e LDK-së mund të jetë mashtrim dhe të përfundojë në 'kurorëzimin' me partinë e SHIK-ut, PDK-në, thjeshtë sa për të votuar ndarjen e Kosovës dhe për të shpëtuar Hashim Thaçin nga vetëvrasja politike e tij, i cili ka shtyrë përpara projektet serbe për shkatërrimin e shtetit tonë. Përndryshe, slloganet për ç’ kapjen e shtetit, për ndalimin e zbrazjes së Kosovës nga shqiptarët, veçmas nga të rinjtë, pastaj fushata për 'zbulimin' e atentateve e vrasjeve politike të pasluftës të zyrtarëve të lartë të LDK-së, mund të tingëllojnë si sllogane të neveritshme, sepse LDK-ja disa herë erdhi në pushtet me këto sllogane, duke përfunduar në bashkëqeverisje më të dyshuarit e të apostrofuarit për këto krime. Politika është përgjegjësi, drejtësi kolektive e bashkëqeverisje pushtet-popull, e jo romantizëm folklorik, ku urrejtja kthehet në 'dashuri'’, ka thënë Bojaj.

Sipas tij, krimi e korrupsioni duhet të urrehen e të luftohen, sepse këta janë armiqtë më të mëdhenj të shtetit.

“Përndryshe fushatat pa kriter, mashtrimet pa mbulesë si dhe tradhtia ndaj votuesve, për shtet të së drejtës, gënjeshtrat për punësime e zhvillim ekonomik, e kanë sjellë Kosovën para shkatërrimit. Klikat politike janë ato të cilat popullin e dëbuan nga atdheu i tyre, ndërsa shtetin e kanë sjellë në pazare të copëtimit. Për të rikthyer imazhin e humbur dhe për të mënjanuar planet e shkatërrimit të Kosovës, duhet vendosmëri, guxim e dije. E për këtë duhet plan konkret, së pari për të bindur masat e gjera popullore, por edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët duan fakte për ndryshime pozitive, e jo vetëm fjalë koti e dyfytyrësi”, ka thënë analisti politik Ramiz Bojaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...