LDK, favoritja më e madhe për t`i fituar zgjedhjet e 6 tetorit

Politika

LDK, favoritja më e madhe për t`i fituar zgjedhjet e 6 tetorit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 shtator 2019 Në ora: 19:39
LDK

“Kandidatura e Vjosa Osmani ka tejkalua mospajtimet, dilemat dhe kundërshtitë e paraqitura në disa procese të mëhershme. Prandaj, Vjosa Osmani, me përkrahjen që po merr që nga dita e parë do të konfirmohet Kryeministre me 6 Tetor”, ka thënë ish deputeti Imet Rrahmani.

Zgjedhjet e 6 tetorit për qytetarët e Kosovës, janë të një rëndësie të jashtëzakonshme, madje më të rëndësishmet në 20 vitet e lirisë.

Elektorati i LDK-së ka një rast të volitshëm pos tjerash sepse ka një kandidaturë shumë të mirë.

Analistët politikë dhe deputetë kanë vlerësuar se Vjosa Osmani është një figurë shumë premtuese për një ndryshim të qeverisjes së vendit, andaj sipas tyre, Vjosa Osmani, me përkrahjen që po merr që nga dita e parë do të konfirmohet Kryeministre më 6 Tetor.

Ata thonë se, mbështetja e deputetëve të ish legjislaturës, por edhe e të gjithë qytetarëve është e dukshme dhe kësaj radhe LDK-ja është favorite e madhe.

Rrahmani: Kandidatura e Vjosa Osmani ka tejkaluar mospajtimet

Ish-eputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Imet Rrahmani, ka thënë se fryma unifikuse dhe debati i brendshëm demokratik në arritjen e konsensusit u vazhdua edhe pas Kuvendit, si në zgjedhjen e Kryesisë, ashtu edhe në nominimin e kandidaturës për pozitën e Kryeministrit.

Ai konsideron, se procesi si i tillë ka hasur në mirëkuptim tek struktura e partisë, te votuesit dhe simpatizantët.

Image
Imet Rrahmani

“Kandidatura e Vjosa Osmani ka tejkalua mospajtimet, dilemat dhe kundërshtitë e paraqitura në disa procese të mëhershme. Prandaj, Vjosa Osmani, me përkrahjen që po merr që nga dita e parë do të konfirmohet Kryeministre me 6 Tetor”, ka thënë deputeti Rrahmani.

Gecaj: Është koha më e mirë të zgjohet i tërë elektorati

Kurse, zyrtari i LDK-së Bajram Gecaj, ka pohuar se në këtë proces zgjedhor është koha më e mirë të zgjohet i tërë elektorati, i madh e i vogël, ashtu sikur në kohën e Presidentit Ibrahim Rugovës dhe të nxjerrën keqbërësit jashtë e të trasohet, siç ka theksuar ai, përfundimisht rruga e sigurt drejt integrimeve euro-atlantike.

Image
Bajram Gecaj

“Entuziazmi i jashtëzakonshëm me kandidaten më të qëlluar duhet ta zbërthejmë në vota. E për ta bërë këtë na duhet puna, përkushtimi dhe aktivizimi i secilit nga ne, brenda dhe jashtë partisë që ta zgjojmë dhe ta shtyjmë para këtë ndjenjë dhe realitet të jashtëzakonshëm fitues”, ka thënë Gecaj.

Zogaj: Mbështetja është e dukshme, kësaj radhe LDK-ja është favorite e madhe

Analisti politik Skender Zogaj, ka vlerësuar se për qytetarët e Kosovës zgjedhjet e 6 tetorit janë të një rëndësie të jashtëzakonshme, më të rëndësishmet në 20 vitet e lirisë.

Sipas tij, kjo për faktin se këto zgjedhje japin votën për të dalë nga kriza e thellë politike dhe shtetërore, e krijuar nga strukturat e papërgjegjshme udhëheqëse që kanë arritur të kapin institucionet dhe të deformojnë shtetin për interesa të individëve dhe grupeve të caktuara përfituese në dëm të popullit.

Image
Skender Zogaj

“Këtë të keqe duhet qytetarët duhet ta thyejnë me votën e tyre që kësaj here nuk guxon të mos shkojë në vendin e duhur. Elektorati i LDK-s e ka një rast të volitshëm pos tjerash edhe se ka një kandidaturë shumë të mirë, sepse Vjosa Osmani është një figurë shumë premtuese për një ndryshim të qeverisjes së vendit. Mbështetja e deputetëve të ish legjislaturës, por edhe e të gjithë qytetarëve është e dukshme dhe, kësaj radhe LDK-ja është favorite e madhe. Dhe e mira është se kësaj radhe partitë kryesore konkurrojnë vet dhe kjo është rasti që të shihet më qartë se çfarë duan qytetarët e Kosovës, ku janë e kujt i besojnë. Pa dashur të predikoj, do të dëshiroja që njëra nga 3 partitë të bëhet fituese me përqindje më të lartë dhe që të merr përgjegjësinë me numrat që i duhen pa u bazuar në të tjerët”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Mehmeti tregon se si Vjosa Osmani mund ta sfidojë Albin Kurtin

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se kundërshtimi i Vjosës ndaj PDK-së, konkretisht kundër koalicionit ndaj saj është arma kryesore që Vjosa ka përdorur për të shtuar popullaritetin e saj.

Sipas tij, divergjencat e saj me gardën e vjetër në LDK që konsiderohen të afërt me PDK-në, kanë ndikuar në përkrahjen ndaj Osmanit.

Image
Faton Mehmeti

“E them këtë pasi kjo ka ndikuar me bindje se gjenerata e re brenda në LDK, do e nxjerr vendin nga kthetrat ku është aktualisht. Ka mundësi shumë që Vjosa të zgjoj elektoratin e LDK-së që ka abstenuar që nga vdekja e presidentit Rugova. Vetëm kështu mund që Vjosa Osmani të sfidoj Kurtin, ndryshe jo. Të shohim strategjinë e saj gjatë fushatës sa do funksionojë”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Burjani: Kosova ka nevojë për një kryeministër të fushës ekonomike

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike e juridike, Blerim Burjani, ka thënë se elektorati i LDK-së duhet të jetë aktiv për LDK-në dhe për kandidat e saj që i cakton partia.

Ai ka thënë se 22 praktikat e propozimit të kandidateve për kryeministër para kohe, po bëhet një shprehi e partive, por jo edhe kateve shtetërore e ato zgjedhore që e kërkojnë.

Image
Blerim Burjani

“Dihet se në SHBA individët garojnë me program partiak të hartuar nga ekspert të shumtë dhe gara është në mes individëve me program kandidati i adoptohet programit apo varësisht nga nevoja që ka shteti bëhet edhe programi politik që e zbaton presidenti i cili zgjedhtë me votë të qytetarëve. Por, Kosova ka lider politik që zakonisht bëhen apo marrin post të kryeministrit, caktimi i kandidatëve në këtë sistem parlamentar është vullnet i partisë se sa i qytetarëve. Pra partitë kanë vullnete të tyre ku shpeshherë jo të balancuar me kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Burjani.

Sipas tij, zakonisht nuk komentohen individët, por komentohet programi partiak.

“Kosova ka nevojë për një kryeministër të fushës ekonomike dhe me një ekip ekonomistesh për të ndalur trendin e papunësisë dhe jo zhvillimin ekonomik”, është shprehur njohësi i çështjeve politike e juridike Burjani.

Mehazi: Populli duhet të jetë i kujdesshëm

Kurse, njohësi i çështjeve politike profesor, Sulejman Mehazi, ka thënë se gjëja më e mirë do të ishte për popullatën e Kosovës të përkrahet zonja e pa korruptuar, e guximshme e pa njolla të shëmtuar politike, Vjosa Osmani.

Image
Sulejman Mehazi

“Nëse dhe tani nuk zgjohen e s'ia japin votën qytetarët e Kosovës, Vjosa Osmanit për kryeministre, atëherë le të kënaqen me bandat politike në vazhdimësi. Ja fati i mirë për të shpëtuar e ecur përpara Republikës e Kosovës. E mira është se opitimizmi për përkrahjen e Osmanit vjen edhe nga deputetët e legjislaturës së fundit që i japin një forcë më të madhe fitores së saj. Sipas përkrahjes që ka, e kjo shihet hapur se qeveria e Kosovës do ketë ndryshime rrënjësore me Vjosa Osmanin, në njërën anë, e me Albin Kurtin në anën tjetër. Pas zgjedhjeve do ishte shumë mirë që qeveria të formohej nga LDK-ja e Vjosa Osmanit dhe LVV-ja e Albin Kurtit. Popullata tani duhet të jetë e kujdesshme e mos të gënjehen e shiten aq lehtë para PDK-së, të cilët janë mjeshtër të blerjeve të votave”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat