LDK dhe Vetëvendosje të vendosura kundër kapjes së shtetit

Politika

LDK dhe Vetëvendosje të vendosura kundër kapjes së shtetit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 3 shtator 2019 Në ora: 21:42
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

“Nuk shoh asnjë arsye që edhe Lëvizja e Vetëvendosjes mos të mbajë të njëjtin qëndrim, parti kjo për të cilën në e kemi bërë të qartë se e preferojmë për koalicionin pas-zgjedhor. Prandaj, nuk shoh asnjë arsye që këto dy subjekte mos ta sulmojnë çështjen e kapjes së shtetit në palcë, në fushatë të ndarë fizikisht, por të bashkuar në koncept dhe qasje”, përfundoi zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

Përkundër zërave të shumtë rreth një koalicion parazgjedhor mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, negociatat për një finalizim të kësaj marrëveshjeje dështuan në momentet e fundit.

Tashmë dihet edhe zyrtarisht se ishte posti i kryeministrit ai që e zvarriti, por edhe e pengoi procesin e arritjes së një marrëveshje për një koalicion mes dy partive opozitare.

Ndërsa, mbetet për t’u parë se si do të jetë fushata zgjedhore mes këtyre subjekteve dhe lufta për ç’kapjen e shtetit, të cilat gjatë mandatit të kaluar në vazhdimësi premtuan një angazhim të përbashkët sa i përket kësaj çështjeje.

Përfaqësues nga të dy subjektet deklarojnë se nuk shohin asnjë arsye që partitë e tyre mos ta sulmojnë çështjen e kapjes së shteti, ani pse në fushatë do të jenë të ndara fizikisht, mirëpo, sipas tyre, ata do të jenë të bashkuar në koncepte dhe qasje.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend, konsiderojnë se ka qenë gabim mos arritja e koalicionit mes LDK-së dhe VV-së, pasi sipas tyre, një koalicion i tillë PDK-në do ta dërgonte përfundimisht në opozitë. Ata shpresojnë se këto dy subjekte më shumë do të merrem me njëra-tjetrën, se sa me luftën për ç’kapje të shtetit nga PAN-i.

Gecaj: LDK e vendosur kundër ç’kapjes së shtetit

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se subjekti i tyre është i vendosur seriozisht në çështjen e ç’kapjes së shtetit.

Sipas Gecajt, kandidatja e tyre për kryeministre ka qenë më zëshmja në ketë çështje, por edhe me aktivja dhe më e vendosura në luftën kundër ç’kapjes së shtetit.

Image
Bajram Gecaj

“LDK është e vendosur dhe jashtëzakonisht serioze në çështjen e ç’kapjes së shtetit, në veçanti me përzgjedhjen e kandidates sonë për Kryeministresh, Vjosa Osmani, e cila siç e di opinioni publik, jo vetëm që ka qenë më zëshmja nga ne në ketë çështje, por edhe me aktivja dhe më e vendosura”, është shprehur Gecaj.

Me tej, ai ka deklaruar se nuk shohin asnjë arsye që këto dy subjekte mos ta sulmojnë çështjen e kapjes së shtetit.

“Nuk shoh asnjë arsye që edhe Lëvizja e Vetëvendosjes mos të mbajë të njëjtin qëndrim, parti kjo për të cilën në e kemi bërë të qartë se e preferojmë për koalicionin pas-zgjedhor. Prandaj, nuk shoh asnjë arsye që këto dy subjekte mos ta sulmojnë çështjen e kapjes së shtetit në palcë, në fushatë të ndarë fizikisht, por të bashkuar në koncept dhe qasje”, përfundoi zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

Nga Vetëvendosje të sigurt: PDK do të jetë në opozitë

Ndërsa, nga Lëvizje Vetëvendosje, konsiderojnë se oferta e tyre për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka qenë e sinqertë.

Drita Millaku, thotë se për këtë çështje ishe angazhuar maksimalisht, kryetari i tyre, Albin Kurti, por, që në fund rezultoi pa sukses.

“Personalisht ka 2 vite që kam kërkuar që këto dy subjekte të hyn në një listë të përbashkët, gjithashtu më vjen mirë që Albin Kurti është munduar shumë, sinqerisht, që kjo të arrihet, por pa sukses, dhe kjo pikërisht për shkak të mos sinqeritetit të LDK-së”, ka thënë Millaku.

Ajo shpreson që fushata zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit të jetë e qetë.

Image
Drita Millaku

“Oferta e Lëvizjes Vetëvendosje për LDK-në ka qenë shumë fer, dhe mospranimi i kësaj oferte do t’i kushtojë më së shumti qytetarëve. Shpresoj se fushata parazgjedhore do të jetë e qetë, me një bindje të fort se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e para së paku më mbi 5 për qind para tjera partive”, ka thënë ajo.

Ndërsa, në fund, Millaku thekson se e mira e zgjedhjeve do të jetë se partia e Kadri Veselit përfundimisht do të dalë në opozitë.

“Ne veç kemi filluar mobilizimin e strukturave dhe të qytetarëve dhe po shohim një angazhim dhe entuziazëm të madh drejt arritjes së fitores. Zgjedhjet e 6 tetorit do t’i kenë tre të mira; 1. Fitoren e Vetëvendosjes 2. Albinin kryeministër dhe 3. PDK në opozitë”, ka shtuar mes të tjerave, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Nëse ndodhë që PDK të jetë prapë në pushtet, zbrazja e Kosovës do të ishte në shifra të frikshme

Nga ana tjetër, politologu Faik Krasniqi, konsideron se mosarritja e një koalicioni mes LDK-së dhe VV-së ishte një gabim, pasi që mendon se një koalicion i tillë do e dërgonte PDK-në përfundimisht në opozitë.

Image
Faik Krasniqi

“Ka qenë gabim mos arritja e koalicionit mes LDK-së dhe VV-së. Ai koalicion, PDK-në do ta dërgonte përfundimisht në opozitë. Kam frikë se më shumë do të merrem me njërin-tjetrin, se sa për ç’kapje të shtetit nga PAN-i”, ka thënë Krasniqi.

Me tej, ai shprehet se tani popullit i intereson më shumë ç’kapja e shtetit nga PAN-i.

“Popullit i intereson ç’kapja e shtetit nga PAN-i, zhvillimi ekonomik, shëndetësia, arsimi dhe jo akuzat e kundërakuzat. Uroj që të mos merren me njeri-tjetrin, por me ç’kapje të shtetit nga PAN-i dhe platformën”, shprehet ai.

Në fund, Krasniqi paralajmëron se nëse ndodhë që PDK të jetë prapë në pushtet, zbrazja e Kosovës do të ishte në shifra të frikshme.

“Shumica presin që pas zgjedhjeve këto dy parti të bashkëqeverisin. Nëse ndodhë që PDK do ta kishim prapë në pushtet, zbrazja e Kosovës do të ishte në shifra të frikshme”, ka përfunduar Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 6 tetor të këtij viti, fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë nga 25 shtator deri më 4 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat