Kënd ta votojmë?!

Politika

Kënd ta votojmë?!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 4 shtator 2019 Në ora: 17:42
Kandidatët për kryeministër

Atmosfera në skenën politike në Kosovë po bëhet interesante. Koalicionet u regjistruan në KQZ dhe e mira e të mirës është se shumica e partive politike zgjodhën që ta matin fuqinë e tyre, duke konkurruar në zgjedhje të vetme, pa koalicione.

Koalicioni i LDK-së me Vetëvendosjen i përfolur aq shumë, nuk u arrit. Ndërsa, PAN-i i “famshëm” që i solli vendit dëme të mëdha, nuk konkurroi si PAN në zgjedhje. AAK-PSD, AKR- NISMA, vendosën të konkurrojnë në zgjedhje me koalicione, për të mbledhur sa më shumë votues, natyrisht nga frika se mos nuk e kalojnë pragun.

Të gjitha partitë po zotohen se në listat e tyre me kandidatë për deputetë, nuk do të ketë njerëz të përfshirë në krim e korrupsion, me të cilët merret drejtësia.

Nuk e dimë ende si do t`ia bëj AAK, anëtarë të së cilës janë të përfshirë në skandalin me listat e veteranëve. Një ish deputet i AAK-së dhe një ish ministër i po kësaj partie, janë me aktakuzë nga prokuroria për keqpërdorimin e këtyre listave. Ky është një nga skandalet më të mëdha të qeverisë Haradinaj dhe PDK-së. Edhe kjo e fundit do ta ketë të vështirë përzgjedhjen, ani pse kryetari i saj, fushatën zgjedhore po e bën duke u thirrur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

E thirrje për të mos i votuar “kriminelët” apo të dyshuarit për krime, kanë bërë ditë më parë përfaqësuesit e shteteve mike të Kosovës, me anë të një letre të gjatë drejtuar qytetarëve.

Kjo letër duket se ka ndikuar që partitë të rrisin retorikën deri në nivel patetik, duke luajtur shenjtoret në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Janë të njëjtat që me keqpërdorimet e tyre, nuk arritën t`ia sjellin vendin liberalizimin e vizave, ndërkohë që shumë kuadro profesionale u detyruan të marrin botën në sy për një jetë më të mirë.

Kosova po mbetet pa mjekë, pa profesor e pa profesionistë të tjerë, krejt kjo për faj të atyre që keqqeverisën me vendin.

Koalicioni PAN nuk arriti t`u sjellë mirëqenie qytetarëve të Kosovës. Nepotizmi ishte karakteristika kryesore. Punësuan motra e vëllezër, nipa e mbesa, ndërsa atyre që nuk e kishin privilegjin të jenë të afërm të tyre, nuk u lanë zgjidhje tjetër përpos ikjes nga vendi.

Pra, çfarë mund të pritet nga këto parti në mandatin që po troket në derë?

Për këtë arsye dhe shumë të tjera si këto, është kjo që qytetarët të thonë fjalën e tyre tek kutitë e votimit.

Vendit i duhet ndryshimi i madh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat