Bashkimi i LDK-së dhe Vetëvendosjes rrëzon Hashim Thaçin nga posti i Presidentit

Politika

Bashkimi i LDK-së dhe Vetëvendosjes rrëzon Hashim Thaçin nga posti i Presidentit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 5 shtator 2019 Në ora: 08:14
Hashim Thaçi

Përfaqësues të partive politike në vend edhe me tej vazhdojnë t’i komentojnë deklaratat e të parit të vendit sa i përket çështjes së korrigjimit të kufirit. Prandaj, lidhur me këtë, këta të fundit insistojnë për shkarkimin e Hashim Thaçit nga posti i presidentit.

Është kandidatja e LDK-së për kryeministre të vendit, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se komunikimi me presidentin Hashim Thaçi do të jetë krejt institucional nëse vije në krye të Qeverisë së Kosovës. Ajo gjithashtu ka thënë se dialogun më nuk do ta udhëheqë presidenti aktual.

Madje, ajo ka thënë se, sapo ta marrë postin e kryeministres, menjëherë do t’ia marrë kompetencat për dialog të presidentit Thaçi, duke thënë se ai nuk do ta ketë mundësinë që t’i prijë dialogut.

“Presidenti Hashim Thaçi nuk do ta udhëheq dialogun mes Kosovës dhe Serbinë. Unë nuk do ta lejoj këtë që të ndodhë. Ramush Haradinaj e ka bërë gabimin më të madh në qeverisjen e tij. Ai është dashur të merret me dialogun dhe jo të lihet në dorën e Thaçit”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se ky i fundit ka bërë shkelje kushtetuese pasi ka udhëhequr dialogun.

“Ai duhet të shkojë në shtëpi. Ne do të kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për shkeljet që i ka bërë, Thaçi në asnjë mënyrë nuk do të jetë në krye të dialogut”, është shprehur kandidatja e LDK-së.

“Me presidentin Thaçi komunikimi do të jetë institucional”, ka thënë Osmani.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës e arsyetojnë deklaratën e kandidates së tyre për kryeministre të vendit rreth shkarkimit të presidentit Thaçi nga pozita e tij. Madje, ata thonë se vota e tyre do të jetë pro, gjithnjë konformë Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Por, nga ana tjetër, njohës të çështjeve juridike e kushtetuese deklaratat e tilla nga të gjitha partitë politike më tepër i shohin si pjesë të fushatës se sa si iniciativa të sinqerta të tyre.

Nga LDK flasin për deklaratën e Vjosa Osmanit

Image
Naser Rugova

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka folur shkurtimisht lidhur me deklaratën e të nominuarës së tyre për kryeministre të vendit.

Pa dhënë shumë detaje, Rugova ka thënë se do e përkrah nëse vije ndonjë iniciativë në Kuvendin e Kosovës.

“Si deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, patjetër, konformë tri arsyeve që i parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar kështu ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Naser Rugova.

Tomë Gashi: Thaçi rrëzohet vetëm nëse bëhen bashkë LDK dhe VV

Image
Tomë Gashi

E avokati i njohur, Tomë Gashi, konsideron se ky premtim i Vjosa Osmanit, mund të realizohet vetëm nëse ndodhë koalicioni mes LDK-së dhe VV-së.

“Është një premtim të cilin e nominuara e LDK-së për postin e kryeministres së Kosovës mund ta realizoj vetëm nëse bëhen bashkë me Vetëvendosjen, dhe me ketë bashkim të shumëpritur nga populli i Kosovës ky koalicion qeverisës do t’i fitojë rreth 70 deputetë në kuvendin e Kosovës, dhe së bashku me një parti të vogël që do te ju bashkëngjitet do të kishin praktikisht mbi 80 deputetë dhe me këtë edhe shumicën absolute në Kuvendin e Kosovës ”, ka thënë Gashi

Me tej, ai tregon se vetëm shumica do mundësonte që të shkarkohej Thaçi, për shkak që sipas tij, ky i fundit në mënyrë tinëzare dhe vetëvrasëse tentoi të ndryshojë kufijtë shtetëror.

“Kjo shumice do të ju mundësonte që edhe në mënyrë të ligjshme dhe kushtetuese të shkarkojnë presidentin Thaçi për shkak të shkeljeve të Kushtetutës së Kosovës, dhe atë duke tentuar që në mënyrë tinëzare dhe vetëvrasëse për Kosovën të ndryshojë kufijtë shtetëror. Mirëpo, këtu ka një problem dhe ai është se zgjedhjen e Thaçit president e ka përkrahë edhe LDK-ja e Vjosës, por jo edhe VV-ja e Albinit që i bie se pa Vetëvendosjen dhe pa Albin Kurtin në koalicion as Vjosa Osmani nuk do të arrijë ta shkarkoj Thaçin si president”, ka shtuar ai.

Miftaraj e shpjegon se si mund të shkarkohet Thaçi, ja si e quan deklaratën e Osmanit

Image
Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka shpjeguar mënyrat se si mund të shkarkohet presidenti nga pozita e tij.

Ai tregon se kushtetuta e shpjegon qartë rrethanat kur presidenti i Republikës mund të shkarkohet nga pozita e mban.

“Kushtetuta e Kosovës e përcakton në mënyrë të qartë rrethanat kur presidenti i Republikës mund të shkarkohet nga pozita e mban, e që lidhet kryesisht nëse këtë e vërteton Gjykata Kushtetuese se presidenti ka bërë shkelje kushtetuese dhe në rastet kur presidenti vuan nga sëmundje që i pamundëson ushtrimin e funksionit dhe këtë e vërteton një panel i mjekëve”, shpjegon Miftaraj.

Tutje, ai ka thënë se është e pa kuptimtë se si partitë politike nuk e kanë shfrytëzuar një gjë të tillë edhe më herët, pra për të iniciuar lëndën në Gjykatën Kushtetuese kur kanë dyshime lidhur me shkeljen kushtetuese nga ana e kreut të shtetit.

“Kushtetuta e Kosovës, përcakton se 40 deputetë mund të iniciojnë lëndën në Gjykatën Kushtetuese, kur kanë dyshime lidhur me shkeljen kushtetuese nga presidenti. Është e pa kuptimtë se si partitë politike nuk e kanë shfrytëzuar një gjë të tillë edhe më herët dhe pse duhet të presin për të ardhur në pushtet për të iniciuar një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Ndërsa, duke folur për deklaratën e kandidates së LDK-së për kryeministre të Kosovës, Miftaraj ka thënë se këto të fundit i sheh më tepër si pjesë të fushatës dhe jo si iniciativa të sinqerta.

“Në këtë drejtim, deklarata të tilla nga të gjitha partitë politike më tepër i shoh si pjesë të fushatës se sa si iniciativa të sinqerta”, ka përfunduar Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) për gazetën “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve juridike: Shkarkimi i Thaçit varet nga Kuvendi i Kosovës

Image
Blerim Burjani

Edhe njohësi tjetër i çështjeve juridike-kushtetuese, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se zgjedhja e Thaçit në krye të vendit ishte kushtetuese, andaj ai i quan marketing politik zërat për shkarkimin e tij.

“Zgjedhja e Thaçit është kushtetuese, dhe për këtë nuk ka koment pasi këtë zgjedhje ia ka mundësuar partneri i saj në atë kohë LDK-ja. Andaj, nuk ka komente dhe marketing politik se kush e ka bërë atë president, dihet kush e ka bërë, dhe si, pra ai është zgjedhur në mënyrë kushtetuese dhe këtë ia ka mundësuar partia siç është LDK”, është shprehur ai.

I pyetur se a mund të shkarkohet Thaçi me të filluar punën legjislatura e re, Burjani ka treguar se kjo mund të ndodhë vetëm nëse sigurohen votat e mjaftueshme.

“A do të shkarkohet presidenti kjo varet nga Kuvendi i Kosovës , nëse bëhen votat shkarkohet nëse për kurrgjë ai do të mund të shkarkohet për jo transparencë dhe dialogë kundër kushtetues”, ka përfunduar njohësi tjetër i çështjeve juridike-kushtetuese, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që zgjedhjet e reja parlamentare të parakohshme në Kosovë të mbahen të dielën e 6 tetorit. Ndërsa, se çfarë do të ndodhë deri në formimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës sa I përket shkarkimit të presidentit Thaçi mbetët për tu parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat