Nuk duhet lejuar ardhja e Vuçiqit në Kosovë, në kohë zgjedhjesh

Politika

Nuk duhet lejuar ardhja e Vuçiqit në Kosovë, në kohë zgjedhjesh

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 5 shtator 2019 Në ora: 11:52
Aleksandër Vuçiq

Së fundi u paralajmërua se Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pritet të vij këtë muaj në Kosovë, për t’i bindur serbët e Veriut që ta votojnë Listën Serbe. Kjo natyrisht se nuk është diçka risi për Kosovën, sigurisht  dhe as për vet serbet. Edhe këta të fundit, ata që nuk janë pjesë e Listës serbë, nuk e dëshirojnë ardhjen e tij. Natyrisht se ardhja e tij në mesin e serbeve do ta favorizonte Listën serbe përballë partive të tjera serbe, dhe kjo me të drejtë po konsiderohet e padrejtë.

Aq sa është e padrejtë për vet serbët, si e tillë është e padrejtë edhe për sovranitetin e Kosovës. Me përfshirjen e faktorëve të jashtëm në zgjedhjet e brendshme në republikën e Kosovës është shkelje e kushtetutës, dhe cenim i sovranitetit dhe integritetit të saj. Duke marr shkas nga kjo, autoritet e Kosovës nuk duhet assesi të lejojnë  ardhjen e Vuçiqit në Kosovë. Nëse autoritet e vendit tonë nuk arrijnë të mbrojnë sovranitetin e shtetit  atëherë bëhen pjesë e atyre që e shkelin atë. Nëse fiton Lista serbë për Vuçiqin kjo është fitore e rëndësishme në dy dimensione: Kjo do i jepte avantazh edhe në Serbi, duke paraqitur vetën “si mbrojtës të të drejtave të serbeve në Kosovë”. Dhe në anën tjetër do mund ta mbante gjendjen e serbeve në Kosovë të qetë në rast se “gjatë dimrit të vështirë” do të detyrohet të njoh Kosovën. Kështu paralajmëroi presidenti serb para disa ditëve, duke dhënë të kuptohet  se SHBA dhe BE po i shtrëngojnë lakun Beogradit për sa i përket njohjes së Kosovës. Kjo edhe e shton më shumë peshën e fitores së Listës serbe në Veri të vendit, si një instrument mjaft i rëndësishëm për vet jetën politike të Vuçiqit. Gjithsesi kjo nuk duhet fare t’i interesojë Kosovës, e cila nuk ka pse të brengoset për jetën politike as të Vuçiqit dhe as të ndonjë politikani tjetër serb. Duhet kujtuar se Vuçiqi nuk është i moderuar aq sa shtiret, kur dihet se ishte pjesë e qeverisë serbe gjatë bombardimeve të NATO-s në Serbi, që erdhën si pasojë e krimeve ndaj shqiptarëve. Ndryshimi i klimës në rajon ka ndikuar që presidenti serb të ndryshoj retorikën, megjithëse mbete i njëjti nacionalistë qe dikur bënte thirrje kundër shqiptarëve  dhe Kosovës. Me këtë rast, institucionet e vendit duhet t’i tregojnë presidenti serb, dhe cilit do politikanë serb, se Kosova nuk është bahçe e tyre që të hyjnë kur të duan dhe të veprojnë si të duan.

Ndalimi i hyrjes së zyrtarëve serb në Kosovë gjatë zgjedhjeve do të ishte hap shumë serioz dhe i duhur, për të dëshmuar se jemi shtet që marrim vendime në interes të stabiliteti dhe ruajtës së sovraniteti të vendit tonë. Nëse hyn Vuçiqi dhe ndonjë tjetër, dështojmë si shtet, për t’i dhënë hapësirë Serbisë që të tallet me ne kur të do. Ne nuk na duhet se çfarë bëjnë politikanët serb në Serbi, apo qëllimet e tyre karshi Listës serbe, mbi të gjitha duhet ruajtur dinjiteti i vendit. Kosova ka të gjitha të drejtat e saja edhe kushtetuese që të veprojë, këtë kushtetutë që është bërë si letër që griset dhe shkelet si nga të huajt ashtu edhe nga vendorët, duhet të respektohet, me respektim të kushtetutës respektohet mbi të gjitha Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat