Ja kur pritet t’i japë fund Ramush Haradinaj karrierës së tij në politikë

Politika

Ja kur pritet t’i japë fund Ramush Haradinaj karrierës së tij në politikë

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 5 shtator 2019 Në ora: 17:09
Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik me arsyen se kishte marrë ftesë nga Specialja dhe nuk donte ta njolloste shtetin. Po i njëjti, po garon për t’u bërë sërish kryeministër i Kosovës, edhe pse thirrjet e tjera nga Specialja do të vijnë, e me gjasë edhe aktakuza.

A s’ta fyen kjo inteligjencën? Është paksa lodhëse t’i racionalizosh veprimet e liderëve tanë politikë. Sidomos veprimet e liderëve të grupeve biznesore të vetëquajtura parti politike që gravitojnë rreth PDK-së dhe me mendësi si PDK-ja. Po bëj fjalë për AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.

Ramushi e ndërtoi karrierën e tij në dy drejtime. E para, përmes namit të fituar gjatë kohës së luftës ku u shqua për trimërinë dhe sakrificën. Kishte marrë pjesë në beteja dhe për fat të keq, i kishte humbë dy vëllezër. U sprovua i ngrati, dhe hakun për këtë nuk mund t’ia marrim. E dyta, në mënyrë fare fëmijërore shprehu dëshirën dhe synimin për t’u bërë kryeministër i vendit.

Dhe, duke qenë një fëmijë i llastuar e tekanjoz, u krijua natyrshëm një grupim njerëzish. Domethënë, AAK-ja. Funksioni real i secilit prej anëtarëve të kësaj partie ishte orvatja për t’ia realizuar dëshirën personale Ramush Haradinajt.

AAK-ja e tij u rrit. I fitoi 10-11 komuna. Dhe Ramushi vetë, u bë kryeministër plot dy herë deri tash. Aspiron të bëhet për herë të tretë e të katërt. Me gjasë, fëmijën e llastuar me emrin Ramush, do ta kemi në politikë edhe në 30 vitet e ardhshme. Domethënë, derisa të vdes. S’ka çka të bëj tjetër i gjori. E ka një ëndërr dhe për shkak të kësaj ëndrre, për shkak të lojës së tij fëmijërore, ne duhet ta bëjmë çaren e të rrojmë disi. Si të mundemi.

Qeverisja Haradinaj II u përshkua nga skandale të një shkalle që seriozisht shqetëson. Unë mendoj sinqerisht se njerëzit që kishin probleme me zemër duhet të mos lejoheshin nga kardiologët përkatës të futeshin në portale e të shihnin emisione lajmesh e emisione tjera politike. Mund të pësosh arrest kardiak kur sheh në baza të përditshme se si të përdhunohet durimi, se si abuzohesh si të ishe kafshë, se si vidheshe si të ishe një qyqar.

Dhemb, dhemb o miqtë e mi të shohësh se si abuzojnë me të ardhmen tonë e të fëmijëve tonë, Ramushi me liderët e ngjashëm si ai. Ndërsa në vendet më të zhvilluara të botës, aktivistët e ndryshëm po angazhohen për atë që do të pasojë 50 vjet më vonë, domethënë kundër krizës klimatike, z. Ramush e ka të zorshme të mendojë përtej hundës së tij të madhe. Duke qenë fëmijë ngatërrestar e sherrxhi i madh, ai krejtësisht ka harruar se është i përkohshëm në këtë botë, e se pozicioni i tij nënkupton pa çare mendim edhe për brezat e ardhshëm.

Ramushi na e përplasi dhunshëm të vërtetën e tij, për fytyre, kur në mënyrë të paskrupullt i hëngri fjalët e veta në vitin 2017. U bë bashkë me PDK-në e shumë sulmuar. Nga kjo pikë, ne e morëm vesh që Ramushi s’e kishte për gjë të bënte çka t’i dilte përpara që të realizonte teket e tij.

Dhe, unë sinqerisht nuk e kuptoj një popull që dëshiron të udhëhiqet nga një lider i mbetur në fëmijërinë e tij. Nga një lider që ende kërkon gjëra si një fëmijë, që luan lojëra idiote, që ka ëndrra që dëshiron t’i realizojë pafund herë.

Mosni bre se po flasim për njerëz realë. Nuk po flasim këtu për do kafshë a do insekte koti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat