Partitë e pushtetit të djeshëm po e zhvatin Kosovën, përdorin asetet për fushatë zgjedhore

Politika

Partitë e pushtetit të djeshëm po e zhvatin Kosovën, përdorin asetet për fushatë zgjedhore

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 7 shtator 2019 Në ora: 19:20
Foto ilustrim

Edhe pse zyrtarisht nuk ka nisur fushata zgjedhore, partitë politike e kanë filluar atë kohë më parë, madje ende pa u rrëzuar qeveria e fundit e udhëhequr nga ish kryeministri Ramush Haradinaj.

Partitë politike, e sidomos ato që ishin në pushtet sërish po vazhdojnë me avazin e vjetër, po përdorin buxhetin e shtetit për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve me fushatën e tyre.

Kështu, Lidhja Demokratike e Kosovës ka adresuar kritika ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për keqpërdorim të pasurisë dhe aseteve shtetërore me qëllime personale për të bërë fushatë zgjedhore.

Njohësit e fushës së politikës dhe juridikut thonë se këto veprime do të duhej të ndëshkoheshin me ligj, por kjo nuk mund të ndodhë pasi drejtësia është në dorë të partive që ishin në pushtet dhe pikërisht këto parti janë shkelësit më të mëdhenj të këtyre ligjeve.

Kelmendi: Shkeljet bëhen nga partitë që kanë qenë deri dje në pushtet

Image
Jeton Kelmendi

Kështu, analisti politik dhe profesori i shkencave politike Jeton Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot” thotë se keqpërdorimi i asteve shtetërore është shkelje ligjore dhe se ligji duhet të merret me ta.

“Mendoj se përdorimi, gjegjësisht keqpërdorimi i aseteve shtetërore nga cilido subjekt politik apo individë, sigurisht se paraqet shkelje të ligjit dhe se ligji duhet të merret me të. Por, kush mund t’i bëjë shkelje, sigurisht se partitë politike që kanë qenë deri dje në pushtet dhe ato sigurisht se janë partitë e koalicionit të deri djeshëm”, thekson ai.

Ai thotë më tutje se, partitë në pushtet duke përdorur pozicionet që kishin deri dje kanë përdorur veturat logjistike për fushatë zgjedhore. Kelmendi thotë se me çlirimin e Kosovës nga këto struktura, do të përmbysen këta pushtetarë tash e dy dekada.

“Sipas informatave që kemi janë duke përdorur veturat logjistike, madje edhe pozicionet që kishin deri dje, sigurisht që këto raste duhet të trajtoj gjykata, por natyrisht që nuk pres. Gjënë e parë që pres, ç’kapjen nga pushteti, gjegjësisht çlirimin e Kosovës nga këto struktura, prandaj të gjitha këto do të përfundojnë kur të përmbysen këta të pushtetit, tash e dy dekada. Natyrisht shpresojmë se do të vijnë më të mire”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Nuk duhet të përdoren asetet publike për qëllime votash

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq, profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se është e ndaluar të përdoren pajisjet shtetërore për fushatë zgjedhore. Sipas tij, gjëra të tilla kanë ndodhur gjithmonë.

“Çdo aktivitet pezullohet në periudhën zgjedhore, as automjetet e as pajisjet tjera nuk mund të përdorën sepse ato quhen keqpërdorim pra është e ndaluar, sidoqoftë deri më tash gjithmonë kanë punuar në kundërshtim me ligjin për zgjedhjet dhe në kundërshtim me rregulloren e MAP. Nuk duhet të përdoren asetet publike për qëllime votash”, thekson Burjani.

Krasniqi: Partitë vazhdimisht kanë keqpërdorur asetet publike gjatë fushatës zgjedhore

Image
Faik Krasniqi

Po ashtu edhe publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, thotë se partitë politike që nga paslufta çdoherë kanë përdorur asetet shtetërore, ndonëse janë zotuar se këto gjëra nuk do të ndodhin më, këto dukuri vetëm sa janë shtuar.

“Prej përfundimit të luftës partitë politike kanë keqpërdorur asetet publike gjatë fushatës zgjedhore, qoftë asetet shtetërore të nivelit qendrore e qoftë lokale. Gjithmonë janë zotuar se këto gjëra më nuk do të ndodhin, por ato keqpërdorime vetëm sa janë shtuar më shumë”, vlerëson Krasniqi.

Ai thotë më tutje se për partitë politike në rend të parë kanë qenë interesi i tyre dhe këtë e dëshmon më së miri gjendja e mjerueshme në Kosovë.

“Kurrë s'ka qenë interesi i partive politike zhvillimi i shtetit dhe mirëqenia e qytetarëve, por vetëm interesi partiak dhe personal i politikanëve. Gjendja e mjerueshme në të cilën gjendet Kosova, është treguesi më i mirë se me çfarë hiena kemi të bëjmë. Nuk e kuptoj se me çfarë fytyre kërkojnë prapë votën e qytetarit”, vlerëson Krasniqi për “Bota sot”.

Ndryshe, Kuvendi u shpërbë pak javë më parë, pas vendimit të Ramush Haradinajt për dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka marr vendim që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen në të dielën e parë të tetorit, me datën 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër që do t’i hynë kësaj gare janë Vjosa Osmani nga LDK-ja, Albin Kurti nga Vetëvendosja, Ramush Haradinaj nga AAK-ja, Kadri Veseli nga PDK-ja dhe Fatmiri Limaj nga Nisma.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat