Kosova s’ka nevojë më shumë se tri apo katër parti, të tjerat të shuhen

Politika

Kosova s’ka nevojë më shumë se tri apo katër parti, të tjerat të shuhen

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 8 shtator 2019 Në ora: 08:10
Partitë politike në Kosovë

Fatkeqësisht sot në Kosovë ka me dhjetëra e qindra parti politike, të cilat arrijnë të mbijetojnë për shkak të terrenit politik si dhe kohezionit të gjerë politik në vend. Këto parti gjithashtu mbijetojnë edhe nga hapësira që u krijon ligji për zgjedhje. Pragu 5 % për të hyr në kuvend u jep mundësi që nga koalicionet me partitë më të mëdha të arrijnë të bëjnë koalicione, dhe pastaj edhe të bëhen pjesë e qeverisë. Dhe rrugëtimin e tyre e vazhdojnë me punësimet partiake, e të cilat përkthehen në vota. Kjo faktikisht edhe e degradon aq shumë konkurrencën e ndershme, dhe rrjedhimisht zëri i qytetarëve nuk arrin shpesh herë të jetë vendimtar në kuvendin apo qeverinë e ardhshme.

Në këtë situatë duhet gjendur një zgjidhje, qoftë edhe jo demokratike, por e cila u siguron qytetarëve që zëri i shumicës të jetë vendimtarë, dhe në anën tjetër eliminon vetvetiu partitë e vogla. Fillimisht duhet që të ngritet pragu të bëhet në 10 %, dhe në anën tjetër të eliminohet mundësia që të krijohen koalicione parazgjedhore. Kështu do të hapet gara , si dhe do të qohet në vend zëri i shumicës. Marrim shembull konkret zgjedhjet e fundit, ku PAN-i me afro tridhjetë partie të tjera arriti të merrte shumicën, ndonëse asnjëra nga ato nuk arriti të dilte forca e parë, për ironi kjo e fundit mbeti në opozitë. Kjo bëri që zëri i shumicës nuk u dëgjua, duke mbetur në opozitë, si dhe u dha hapësirë partive të vogla të mbushin zyrat e shtetit me militantë duke shkuar numri i zv. ministrave në mbi tetëdhjetë.

Paramendo AKR me vetëm një deputet kishte 3 ministri, dhe disa të tjera me asnjë deputetë ishin në qeveri si pjesë e PAN-it, me shpenzime enorme dhe me rezultate krejt të vogla. Për të shmangur këtë në të ardhmen përveç ngritjës së pragut duhet që edhe eliminimi i mundësisë për të bërë koalicione parazgjedhore, si një mundësi e mirë që partitë me një grusht njerëzish mos të mund të futen në kuvend, e as në qeveri.

Vetëm kështu arrin së pari të dëgjohet zëri i qytetarëve të shumicës, dhe në anën tjetër ndikon në eliminimin e partive të vogla, me çka edhe do të pastrohet skena politike nga stërngarkesa me parti. Kjo pastaj edhe do të ndikonte që të profilizohen partitë politike, duke shtuar numrin e anëtarwvë në pozicione të tri-apo katër partive të mëdha, dhe rritjes së garës edhe brenda partive. Të marrim shembull SHBA, me garën mes dy partive të mëdha kryesore, si edhe ndikimin që mund të këtë tek qytetarët që të shkarkohen politikisht. Lindja e partive të reja thuajse çdo ditë ka ndikuar që në rritje të shtimit të ashpërsisë brenda skenës politike. Kosova s`ka nevojë për shumë parti, të jenë pak por cilësore, me rritje të konkurrencës brenda tyre, dhe profilizim të tyre.

Ndryshe, nuk zgjidhim asgjë, përveç se godasim thelbin e demokracisë që ka të bëjë me qeverisje të shumicës. Katër partitë e mëdha në vend: LDK, VV, PDK, AAK, duhet të mblidhen për të ndryshuar ligjin dhe të rritet pragu, dhe ato që i cekëm më lart, si një hap që do të ndikoj në ruajte të demokracisë. Ka edhe disa nga partitë e mëdha që për të ardhur në pushtet, e ruajnë këtë avaz nga frika se të vetme nuk arrijnë të dalin e parë si rrjedhojë nuk arrijnë të jenë në pushtet.

Prandaj, edhe hezitojnë, duke i shkaktuar dëm vendit dhe të ardhmes së saj. Thuhet se aty ku ka shumë politikë ka edhe shumë varfëri, me eliminimin e tyre fillon të pasurohet me cilësi skena politike në vend, e cila më shumë së kurrë ka nevojë për cilësi dhe jo sasi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat