Abazi: Nuk mund të zgjidhet problemi pa e bërë Serbia këtë gjë

Politika

Abazi: Nuk mund të zgjidhet problemi pa e bërë Serbia këtë gjë

Nga: G.B Më: 8 shtator 2019 Në ora: 10:20
Haki Abazi

Lidhur me dialogun dhe sakrificat që duhet të bëjë Kosova për dialogun, Haki Abazi, i cili së fundmi i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot” se dialogu duhet të garantohet nga BE dhe SHBA.

Pastaj, sipas tij, Serbia të kërkojë falje për krimet në Kosovë dhe t’u bëjë thirrje shteteve që e kanë tërhequr njohjen që ta deklarojnë pranimin e pavarësisë së Kosovës.

“Në fakt në konferencën për shtyp dy senatorët Ron Jonson dhe Chris Murphy theksuan me prioritet që për zhvillimin ekonomik të Kosovës duhet që të ketë reformë dhe sundim të ligjit, investime në arsim dhe e treta ishte dialogu me Serbinë. Ajo që ishte karakteristike në këto deklarata është fokusimi i tek sundimi i ligjit. E para që duhet bërë është që dialogu të ketë ndërmjetësim të garantuar nga BE dhe SHBA. E dyta: Serbia duhet të kërkojë falje për krimet që ka bërë në Kosovë. E treta duhet publikisht të ju bëjë thirrje shteteve që kanë "tërhequr" pavarësinë si pasojë e lobimit të tyre të deklarohen për pranimin”, është shprehur Abazi.

Sipas tij, nëse baza e dialogut fillon në premisën e vendimit të GJND si të mirëqenë dhe të pranuar, atëherë çështjet tjera duhet të jenë të lehta dhe tregon se ka vullnet politik nga Serbia që të ecim para.

“Kosova ka bërë lëshimet dhe kompromisin me planin Ahtisari dhe kjo është konfirmuar me vendimin e GJND. Nëse baza e dialogut fillon në premisën e vendimit të GJND si të mirëqenë dhe të pranuar, atëherë çështjet tjera duhet të jenë të lehta dhe tregon se ka vullnet politik nga Serbia që të ecim para. Të gjitha proceset deri tani janë sabotuar nga Serbia në fund dhe me qëllimin që të krijojë më shumë hapësirë për vete dhe për të manipuluar fqinjët. Kosova nuk është vendi i vetëm që ka problem me Serbinë, Serbia ka problem me Kroacinë, Malin E Zi, Bosnjën dhe Maqedoninë Veriore. Nëse duhet vërtet të zgjidhen problemet, atëherë procesi i Berlinit garanton adresim të çështjeve dhe është platformë kur të gjitha çështjet mund të tejkalohen nga perspektiva rajonale”, ka theksuar ai.

Por, Abazi thotë se nëse nuk ka ndryshim të kursit në Serbi, nuk mund të ketë zgjidhje të problemit pavarësisht sakrificës që bën Kosova.

“Nëse nuk ka ndryshim të kursit në Serbi është e kotë çfarë sakrifice bën Kosova, zgjedhje të problemit nuk ka por ka një konflikt të ngrirë. Këtë format e kemi parë në vendet siç janë Palestina-Izraeli, Kashmiri ndërmjet Indisë dhe Pakistanit, Qipros ndërmjet Turqisë dhe Greqis, Irlandën Veriore ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Irlandës, dhe shumë vende të tjera. Serbia nuk ka treguar aspak gatishmëri që të jetë ndryshe përkundrazi vitin e kaluar Vuçiq në mes të Kosovës ka shpallur Millosheviqin njeri të mirë e hero të Serbisë. Ky është një legjitimim i tendencës për gjenocid në vendin e krimit. Serbia vazhdon t’i dekorojë dhe nderojë të dënuarit Hagës të cilët janë dënuar për krime kundër njerëzit dhe gjenocidit”, ka vlerësuar

“Zyrtarët amerikanë dhe Uashingtoni janë keq informuar shumë gjatë nga Thaçi dhe eksponentët e tij”

Madje, ai thotë se nuk mund të kërkohet sakrificë nga pala e cila nuk ka çfarë të bëjë më.

“Nuk mund të kërkohet sakrificë ndaj palës që nuk ka çfarë të bëjë më, duhet shikuar problemin drejtpërdrejt dhe adresuar aty ku e ka burimin. Qeveria e Serbisë nuk është as edhe zëri i qytetarëve serb sepse atje është ngulfatur demokracia plotësisht. Andaj nuk ka nevojë për urgjencë, ka nevojë për intervenime të qëndrueshme diplomatike dhe zgjedhje të problemeve në paralel me procesin e integrimeve evropiane që garantojnë paqe dhe zhvillim në rajon”, ka thënë Abazi për “Bota sot”.

Si përfundim, ai thotë se Uashingtoni dhe zyrtarët amerikanë janë keqinformuar shumë gjatë nga Thaçi dhe tani duhet fillim i ri, të dyja shtetet të jenë të barabarta.

“Përfundimi është që zyrtarët amerikanë dhe Uashingtoni janë keq informuar shumë gjatë nga Thaçi dhe eksponentët e tij, ata kanë premtuar me 2011 se do ta zgjedhin problemin dhe janë futur në dialog duke e gënjyer administratën amerikane për qëllimin. Tani duhet fillim i ri ashtu siç edhe përmendi senatori Murphy si dy shtete të barabarta. Marrëdhënia e Kosovës me SHBA dhe BE duhet të jetë e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë dhe nuk mund të ketë agjendë të dyfishtë në këto marrëdhënie”, ka deklaruar Haki Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat