Lista e PDK-së me njerëz të dyshuar e të dënuar! Kjo parti e ka të humbur garën!

Politika

Lista e PDK-së me njerëz të dyshuar e të dënuar! Kjo parti e ka të humbur garën!

Nga: N.H Më: 8 shtator 2019 Në ora: 21:01
PDK

Ani pse pothuajse të gjitha partitë politike të premten kishin dorëzuar listat përfundimtarë me emrat e kandidatëve për deputetë dhe gjithashtu menjëherë i bënë publike emrat, partia e Kadri Veselit tek të dielën në mbrëmje ka vendosur ta bëjë publike këtë listë.

Pas shumë diskutimeve e mospajtimeve brenda partisë kjo listë u bë publike. Megjithëse, edhe pse u tha se kjo listë do të ishte e pastër, me një shikim bien në sy emra si ai i ish-kryetarit të Ferizajt, Bajrush Xhemajlit, ish-komandantit Rrustem Mustafa, dhe ish-rektorit të Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend, 110 emrat e kësaj partie i konsiderojnë si profile të cilat nuk kanë synim të ndryshojnë vendin. Sipas tyre, lista e kandidatëve për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës në bërthamën e saj ka njerëz të SHIK-ut.

Mehmeti: Me këtë listë PDK-ja e ka të humbur garën

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se lista e Partisë Demokratike të Kosovës, në bërthamën e saj ka njerëz të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Image
Faton Mehmeti

“Lista e kandidatëve për deputetë në bërthamën e saj ka njerëz të SHIK-ut, repsketivisht, Kadri Veselin. Elmi Reqiçën dhe Fatmir Xhelilin. Pa përfshi pastaj këtu edhe njerëz të dënuar për krime lufte siç është Rrustem Mustafa, si dhe koka e krimit Xhavit Haliti. Kadri Veseli nuk mund dhe nuk ka synim të ndryshojë vendin, me njerëz të njëjtë që kanë sjellë ne këtë agoni vendin”, është shprehur Mehmeti.

Tutje, ai ka shtuar se me këtë listë PDK-ja e ka të humbur garën, ndërsa, fatkeqësisht thotë se disa që u mashtruan, do të digjen ende pa filluar karriera, siç është Hisen Berisha.

“Janë njerëzit e njëjtë që 20 vjet, prandaj, ndryshimi as nuk vjen. Me këtë listë PDK-ja e ka të humbur garën, taksirat i disa që u mashtruan, dhe do të digjen ende pa filluar karriera siç është Hisen Berisha. Nuk më ka surprizuar kjo listë, pavarësisht propagandës së Kadri Veselit, pasi në esencë PDK është e krimbur, dhe si e tillë s’ke çfarë të presësh nga një parti që është rritur mbi bazën e korrupsionit, nepotizmit dhe shantazheve”, ka shtuar Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Haziri: Veseli nuk mund ta mashtrojë askënd

Në një linjë me Mehmetin, qëndron edhe analisti tjetër, Nexhat Haziri. Ai vlerëson se me këta emra kjo parti nuk është se do bëjë far ndryshim siç edhe e paralajmëron vet kreu i kësaj partie Kadri Veseli.

Image
Nexhat Haziri

“Lista e kandidatëve për deputetë e PDK-së, edhe pse është munduar të jetë më ndryshe nga ajo siç jemi mësuar t’i shohim nga kjo parti nuk është se do bëjë far ndryshim siç edhe e paralajmëron vet kreu i kësaj partie Kadri Veseli. Opinioni kosovar e dijë mirë se këta deputetë nuk janë ata që vendosin për asgjë, por vetëm janë zbatues të urdhrave dhe projekteve që i japin dhe i bëjnë “të fortit” e partisë të cilët qëndrojnë në prapaskenë”, ka thënë Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Sipas Hazirit, lideri i PDK-së nuk mund ta mashtrojë askënd me aventurat e tij gjoja për ndryshimin që paraqet ai dhe PDK-ja, pasi janë të njëjtit ata tash e 20 vite.

“Pra, Kadri Veseli nuk mund ta mashtrojë askënd me aventurat e tij gjoja për ndryshimin që paraqet ai dhe PDK-ja, pasi janë të njëjtit ata tash e 20 vite, mbi të cilët peshojnë mëkate të mëdha për gjendjen e rëndë në të cilën është katandis Kosova. Dhe me këto “fasada” që po i lason PDK-ja, nuk është ajo që e nxjerrë vendin nga kjo krizë , përveçse e thëllon atë. Shërbimi më i mirë për vendin dhe që do të mund t’ia bënin qytetarët Kosovës me 6 tetor është dërgimi i PDK-së në opozitë”, ka përfunduar analisti, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat