LDK dhe Vetëvendosje me listat më cilësore të kandidatëve për deputetë

Politika

LDK dhe Vetëvendosje me listat më cilësore të kandidatëve për deputetë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 shtator 2019 Në ora: 07:53
LDK, Vetëvendosje

Tash që po afrohen zgjedhjet njëri ndër problemet që po hasin partitë politike janë kandidatët të cilët po kandidojnë për deputet, të cilët nuk kanë problem me ligjin.

Për këtë temë, është mbajtur edhe një tryezë e cila trajtoi po këtë çështje, ku u theksua që të jetë kriter tek partitë politike, kandidimi i njerëzve që nuk kanë asnjë problem me ligjin.

Mirëpo, partitë mohojnë të kenë deputetë, të cilët nuk janë të pastër me ligjin. Sipas tyre secili kandidat është i verifikuar dhe nuk ka asnjë dosje problematike me ligjin.

Lidhur me këtë çështje, analistët dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”, kanë analizuar dhe folur për listat e partive politike.

Rugova: LDK, ka një listë mjaft cilësore, me emra të dëshmuar edhe në rrafshin politik

Image
Naser Rugova

Deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot”, tha që lista e LDK-së, është mjaftë cilësore pasi që e ka dëshmuar edhe në rrafshin politik.

“Mund të flas për listën e LDK, është një listë mjaft cilësore, gjithëpërfshirëse, me emra të dëshmuar edhe në rrafshin politik e profesional, ka njerëz të dëshmuar nga qarku akademik, kulturor dhe universitar”, tha Rugova.

Më tej, Rugova, tha që beson në ndryshimin në vendin tonë dhe se ndryshimin e bëjnë me intelektualë dhe politikanë me vizion.

“Besoj që ndryshimin në secilën shoqëri e bëjnë intelektualët dhe politikanët me vizion. Besoj dhe pres në ndryshimin e madh në vendin tonë”, përfundoi Rugova.

Krasniqi: Fytyra të vjetra që janë bërë të bezdisshëm për opinionin, për shkak të mos punës së tyre

Image
Faik Krasniqi

Analisti politik, Faik Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, tha që në skenën politike kemi kandidatë të cilët janë bërë të bezdisshëm për opinonin pasiqë nuk kanë bërë asgjë me punën e tyre dhe se do të dështojnë të bëhen edhe deputetë.

“Nuk ka ndonjë risi të madhe në listat e kandidatëve për deputetë nga partitë politike. Kemi fytyra të vjetra që janë bërë të bezdisshëm për opinionin, për shkak të mos punës së tyre, kandidatë që garojnë në çdo palë zgjedhje dhe dështojnë të bëhen deputetë dhe kandidatë anonimë”, tha, Krasniqi.

Më tej, Krasniqi, tha që ka edhe deputetë që kanë dëshmuar punën e tyre dhe që do të votohen prapë mirëpo që elektorati duhet t`u ndëshkojë ata që nuk kanë kryer punën e tyre, dhe nuk pres ndonjë ndryshim as nga kjo legjislaturë.

“Ka edhe kandidatë që janë dëshmuar me punën e tyre. Sidoqoftë, shumica e ish- deputetëve pres që do të votohen prapë, jo për shkak të përformances së tyre. Elektorati nëse pak e përdor trurin, shumicën e ish- deputetëve të vjetër i ndëshkon për shkak të mos punës së tyre.

Edhe në këtë legjislaturë nuk pres punë të madh nga këta deputetë që postin e deputetit e shohin si mjet për të vjelë buxhetin e qytetarëve të Kosovës”, përfundon, Krasniqi.

Ahmeti: Gjykoj se partitë politike kanë interesin për të zgjedhur njerëz me vlera dhe virtyte të larta intelektuale

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, gjykon që do zgjedhin njerëz me vlera dhe virtyte të larta intelektuale dhe se konkurrenca mes partive politike po shkon në dobi të qytetarëve.

“Gjykoj se partitë politike kanë interesin për të zgjedhur njerëz me vlera dhe virtyte të larta morale e intelektuale, jo që e shikojnë kontekstin interesit të përgjithshëm qytetar, por “tregu politik” e kërkon një gjë të tillë. Konkurrenca në mes partive politike në vazhdimësi ka prodhuar një standard të ri, i cili gjithsesi është në dobi të qytetarëve”, u shpreh, Ahmeti.

Tutje, Ahmeti, tha që për caktimin e fituesit ndikojnë shumë faktorë dhe se nëse ka apo jo njerëz të dënuara me vepra penale do të shohim në ditët në vijim.

“Shumë faktor ndikojnë në përcaktimin e fituesit, por një peshë të jashtëzakonshme e kanë edhe listat e kandidatëve të partive politike për deputet, pasi japin një pasqyrë objektive të partive politike si në nivel intelektual, moral, kredibilitetin politik, por edhe peshën politike.

Por, nëse shtrohet pyetje me një kontekst tjetër, të pastërtisë juridike të kandidatëve, atëherë ka spekulime nga disa media se disa nga partitë politika brenda listave të tyre kanë njerëz të dënuar për vepra penale, por edhe disa me aktakuza, por vërtetësia e tyre mbetet të shihet ditët në vijim”, tha Ahmeti.

Në fund, Ahmeti, u shpreh që emancipimi i elektoratit në një formë i ka disiplinuar partitë politike sepse i ka vë standard për zgjedhjen e deputetëve më seriozë dhe se reciklim i kandidatëve është i pranishëm në të gjitha partitë politike.

“Emancipimi i elektoratit ka disiplinuar partitë politike për të vendosur standard të lartë në përzgjedhjen e kandidatëve, pasi votuesit mund t’i ndëshkojnë me votë në baza racionale dhe potencialisht nuk mund të jenë subjekte politike serioze për të përfaqësuar me numrin me të madh të deputetëve.

Kurse sa i përket riciklimit të kandidatëve potencial për deputet është i pranishëm pothuaj se në të gjitha partitë politike, e që për mendimin tim e një pasqyrë jo e mirë e partive politike, konkretisht ish deputetet të cilët nuk kanë përfaqësuar interesin e votuesve në mënyrën më të mirë të mundshme”, përfundon, Ahmeti.

Mehazi: Qartë shihet se lista e deputetëve s'është e rradhitur sipas vlerave intelektuale

Image
Sulejman Mehazi

Analisti politik, Sulejman Mehazi, për “Bota sot”, tha që pothuajse të gjitha listat e kandidatëve të partive politike janë me të njëjtit emra, shumë pak emra të ri, Mehazi thekson që të gjitha listat nuk janë të radhitura në bazë të vlerave intelektuale.

“Po të shikojmë një nga një listat e kandidatëve të partive politike për deputetë, do vërejmë se asgjë s'ka ndryshuar nga parlamenti i mëparshëm, të njëjtët deputetë, përveç disa emrave të ri që mund t'i numërojmë me gishta, sa për t'u arsyetuar partitë politike para elektoratit shqiptar.

Vëreni LDK-në përveç dy-tre emrave të ri të njëjtët deputetë, e njëjta ndodh edhe me PDK-në, LVV, AAK. Qartë shihet se lista e deputetëve s'është e radhitur sipas vlerave intelektuale, arsimore, shkencore e kombëtare, po sipas posteve partiake”, tha, Mehazi.

Në fund, Mehazi, tha që listat partiake nuk kanë të bëjnë fare me interesin e shtetit por me interesa individuale, dhe se listat më kualitative të deputetëve janë LVV-SË dhe LDK-së.

“Në çdo listë të partive politike si deputet janë zgjedhur udhëheqësit e partive: kryetarët, nënkryetarët, sekretarët dhe rrethi më i ngushtë i tyre rreth e për qark Kosovës. Listat partiake asgjë s'kanë të bëjnë për interesat shtetërore të Kosovës, por për interesat individuale e partiake.

Sipas listave vërejmë se deputetët e ardhshëm do jenë kukulla partiake, po edhe para veprimeve të mbrapshta të partive të tyre do heshtin. Më shumë do veprojnë si thotë partia sesa si thotë e si duhet të jetë qeveria e Kosovës. Më shumë do bëjnë detyrat robëruese partiake sesa detyrat demokratike qeveritare e shtetërore. Megjithatë listat më kualitative të deputetëve janë të LVV-së dhe të LDK-së”, përfundon, Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat