NISMA-AKR-PD kandidon për deputet njeriun e dënuar nga Gjykata

Politika

NISMA-AKR-PD kandidon për deputet njeriun e dënuar nga Gjykata

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 9 shtator 2019 Në ora: 13:43
Behgjet Pacolli dhe Fatmir Limaj

Derisa po mundohet që në këto zgjedhje të vendoset një standard i ri në mos kandidimin e njerëzve me aktakuzë, ose që kanë qenë të dënuar nga gjykata, si duket një standard i tillë s`po respektohet nga të gjithë. Fillimisht të kujtojmë se hapin konkret në këtë aspekt e bëri LDK, e cila revokoi emrin Haki Raqi, i cili nuk do të jetë kandidat i LDK-së për deputet. Ky është vendimi i Isa Mustafës pasi u raportua se i njëjti është i dënuar për vepra penale. “Çdo kandidat i LDK-së që identifikohet se ka pasur dhe ka problem me ligjin do të nxirret nga lista për deputetë të LDK-së. Do të veprohet sipas ligjit edhe për z. Raqi”, ka shkruar Mustafa në një reagim. Ky vendim Isës u përshëndet nga të gjithë, pa harruar se në listat e tyre ka njerëz që nuk meritojnë të jenë në listën e kandidatëve për deputet, ngase kështu shkelet vet standardi që mëtojnë se po vendosin dhe respektojnë.

Derisa po shikoj listat e partive që kanë dorëzuar në KQZ për zyrtarizim, më ra në sy emri i Besnik Berishës, i kandiduar nga koalicioni NISMA-AKR-PD për deputet. Së pari duhet kujtuar se Besnik Berisha ishte drejtor i Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve, në Ministrinë e Punëve të Brendshme në kohën kur ajo udhëhiqej nga Bajram Rexhepi. Pas skandalit të pasaportave dhe arrestimit të Natali Velisë, Berisha ishte pezulluar nga puna nga ministri Bajram Rexhepi. Besnikut i ishte është ngritur aktakuza nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe zbulimin e fshehtësisë zyrtare. Berisha akuzohej se ka publikuar informata për procesin e punës së prodhimit të dokumenteve, të cilat, sipas ligjit, klasifikohen si sekret zyrtar.

Derisa ishte i pezulluar, thoshte se zyrtarët e mëdhenj të Qeverisë nuk ia kishin lejuar menaxhimin e kontratës me austriakët, edhe pse kjo ishte përgjegjësi e tij. Ai atë kohë pretendonte se këshilltarët e ministrit Rexhepi, i kishin shkuar në zyrë me një letër në dorë, duke thënë se ishte rekomandim i Ambasadës Amerikane dhe i ambasadorit Dell që tenderin ta fitojnë austriakët. Pas arrestimit të Natalia veliajt e cila e kishte përmendur emrin e z. Berisha të kyçur në aferën 1.4 milionë euro në total , mirëpo specifikisht në një intervistë të vitit të kaluar z. Veliaj deklaronte publikisht se Besnik Berishës i kishte dhënë fiks 650 mijë euro ryshfet.

Pas një hetimi të prokurorisë z. Berisha ishte shpallur fajtor nga Gjykata në Prishtinë. Gjykata Berishën e dënoi me 6 muaj burg me kusht për zbulim të fshehtësisë zyrtare, ndërsa e liroi nga akuza për keqpërdorim detyre. Gjithsesi kaq duhet të mjaftonte që një person i tillë mos të mund të kandidonte për deputet. Si për ironi që nga shpallja fajtor nga Gjykata Besnik Berisha vetëm sa u rrit në karrierën politike. Së pari u zgjodh kryetar i Nismës për Ferizaj, pastaj u emërua në postim e zëvendësministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndonëse ishte i përfshirë dhe dënuar nga Gjykata për histori mjaftë të dyshimta. Ndonëse KQZ ka afat deri të martën që të pranoj apo refuzoj kandidaturat për secilin kandidat, shpresoj se KQZ s`do të shkel vendimet dhe ligjet e saja për të lejuar që të kandidohet njerëz me të kaluar kriminale, të shpallur fajtor nga gjykata. Pavarësisht se nga cila parti të jetë KQZ duhet të respektoj dhe mbroj vetëm ligjin, ndryshe humb seriozitetin. Duhet të ndiqet shembulli i z. Mustafa që secili kandidatë që është dënuar nga Gjykata mos të këtë të drejtë të kandidohet, kështu edhe besimi i qytetarëve ndaj partive dhe kandidatëve do të jetë më i madh, me rritjen e numrit të votuesve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat