Diaspora ndihet e përjashtuar nga pjesëmarrja në votime - Bota Sot
Diaspora ndihet e përjashtuar nga pjesëmarrja në votime

Politika

Diaspora ndihet e përjashtuar nga pjesëmarrja në votime

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 9 shtator 2019 Në ora: 19:45
Foto ilustrim

Një numër i madh i votave nga diaspora pritet të vijnë në Kosovë, me rastin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Por, një pjesë e konsiderueshme e bashkëatdhetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, e konsiderojnë të komplikuar procesin e votimit nga atje. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Komisionit qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka konfirmuar se që nga 30 gushti e deri më sot ky institucion nga pranuar 13 mijë aplikime për votim nga diaspora.

Edhe një muaj i plotë ka mbetur deri në ditën e zgjedhjeve të 6 tetorit. Partitë politike tashmë i kanë bërë publike edhe listat e kandidatëve për deputetë. Fushata zyrtarisht ende nuk ka filluar, por politikanët aktivitetin politik e kanë bërë të ditëpërditshëm. Çdo ditë e kërkojnë votën nga qytetarët.

Si në 2017-tën, po ashtu edhe sivjet, pritet një numër i madh votash të vijnë edhe nga diaspora, kryesisht nga Evropa. Por edhe kësaj here, ekziston një indinjatë e thellë e bashkatdhetarëve për procedurat e mundësisë për të votuar.

Zeqiraj: Mërgata po diskriminohet

Idriz Zeqiraj, veprimtari i LDK-së në diasporë, përveç pakënaqësisë së shprehur në rrjetet sociale, ai i ka shkruar dhe një letër publike kryetares së KQZ-së, Valdete Dakës lidhur me procedurat e votimit.

Ai, nëpërmjet letrës ka shprehur keqardhjen e tij se KQZ-ja po diskriminon dhe po neglizhon diasporën.

Image
Idriz Zeqiraj

“Me keqardhje konstatojmë se Mërgata shqiptare, përkatësisht, grup-moshat, me të drejtë vote, vazhdojnë të diskriminohen dhe të provokohen, në mënyrën më të poshtër të mundshme nga KQZ”, thuhet në letër.

Ai, shton se mënyra e votimit me postë është shumë e koklavitur dhe me komplikime të mëdha.

“Votimi me postë, i koklavitur, i komplikuar, me ngarkime e shkarkime kompjuterike, elektronike idioteske, i pakuptueshëm, për pjesën më të madhe të mërgimtarëve, i privon ata nga ushtrimi i së drejtës për votim. Afati i shkurtër për aplikim, regjistrim, pranë KQZ, burokracia e shërbimit postar, pamundëson marrjen në konsideratë, për votimin e mërgimtarëve. Falsifikimi, i qëllimshëm, i datimeve marrëse në dorëzim të aplikacionit për votim, gjithashtu, pamundëson votimin. Vota e mërgimtarëve nuk ka asnjë garancion, sigurim të mbrojtjes. Shembullojmë me konvertimet masive të votave të mërgimtarëve, në rastin e zgjedhjeve të fundit komunale, në Istog, kur votat e LDK-së, ishin konvertuar e faturuar partisë-bandë AAK-së. Dhe, megjithatë, denoncimet faktike i heshti KQZ, nuk i penalizoi kriminelët falsifikatorë e vjedhës të AAK-së, duke u bërë edhe KQZ pjesë e krimit. E vërteta është se në Mërgatë jetojnë më shumë se gjysma e popullatës të Kosovës. Andaj, Mërgata, ndër vite, ka kërkuar organizimin e votimeve në shtetet ku jetojnë. Këtë e kanë zgjidhur shumë shtete tjera”, thuhet në letër.

Më tej, Zeqiraj, ka deklaruar se përmes letrës publike kërkon sqarime ose nëse nuk lehtësohet procedura e votimit atëherë ngrehen dyshime se edhe KQZ-ja është pjesë e – siç shprehët ai – krimit monstrum.

“Përndryshe, edhe ju, anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor, do të bëheni pjesë e krimit monstrum. Lërini burokracitë e turpshme e kriminale në komunikim me Mërgatën. Jepni përgjigje të menjëhershme në kërkesat tona legjitime”, shkruan Zeqiraj.

Rexhaj: Diaspora në fakt është e përjashtuar nga pjesëmarrja në votime

Nga ana tjetër, “Bota sot”, kontaktoi dhe veprimtarin tjetër për çështjen kombëtare, Sali Rexhajn, i cili, po njëjtë si Zeqiraj, shprehi indinjatën e tij për procedurat.

Ai, tha se diaspora është e përjashtuar nga pjesëmarrja në votime.

Image
Sali Rexhaj

“Diaspora në fakt është e përjashtuar nga pjesëmarrja në votime. Aq më shumë në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat kanë afat shumë të shkurtër. Vet procedura e nxjerrjes së formularëve, dërgimi i tyre për regjistrim është shumë i komplikuar dhe rrallë dikush mund të merret me këtë punë. Të paktë janë ata që i hipin aeroplanit për të ardhë në Kosovë për të votuar. Jo vetëm që humb shumë kohë por edhe ka shpenzime të mëdha”, tha ai.

Rexhaj, theksoi se mundësia më e mirë për të votuar është nëpër përfaqësive diplomatike të Kosovës në vendet ku jetojnë mërgimtarët. Sipas tij, kjo është mënyra me e drejtë, më e lehtë dhe që do të kishte numër më të madh votuesish.

“Unë nuk e kuptoj pse nuk mundësohet votimi i mërgatës në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në vendet ku jetojnë. Kështu do të rritej shumë pjesëmarrja në votime. Deri tani sa e di unë, mërgata milionëshe nuk merr pjesë fare në votime. Disa qindra të tillë, janë shumë pak. Zakonisht janë fanatik partiak të cilët nuk kanë asnjë ndikim”, tha ai.

Rexhaj, tregoi se të shtunën e ka përmbushur formularin për aplikim dhe tregon vështirësitë që ka hasur.

“Unë për vetën dje e dërgova formularin për aplikim i cili më morri kohë. Sigurimin e mbushjen e formularin, fotokopjimin të dokumenteve të identitetit, dërgimin. Tani pres të publikohet emri në lista disa ditë dhe arritjen e fletëvotimeve me postë. Votimin dhe dërgimin e tyre prapa, gjë e cila nuk është e sigurt nëse do të arrijë me kohë”, tha ai.

Rexhaj tha, se kjo është procedurë e komplikuar që i largon votuesit.

“Pra punë e komplikuar e cila i largon votuesit. Deri sa është kjo procedurë e komplikuar nuk pritet pjesëmarrje e mërgatës në zgjedhje. Nga një milion mërgimtar, do të votojnë 2 deri në 3 mijë”, deklaroi Rexhaj.

Zogiani: Pushteti aktual ka frikë nga diaspora

Avni Zogiani, kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, nëpërmjet një deklarate për “Bota sot”, tha se Lëvizja Vetëvendosje intenzivisht po tenton që t’iu rrijë gati bashkëatdhetarëve për t’iu lehtësuar procedurën e votimit për zgjedhjet nacionale.

Image
Avni Zogiani

“Është një formularë që duhet shkarkuar nga vebi i KQZ. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë një zyrë të vëçantë për t'i asistuar ata. Fatkeqësia është se shteti nuk ka kriju mundësi që ata ta ushtrojnë votën e vet në vendet ku jetojnë, por duhet të dërgohet me postë”, tha ai.

Zogiani, duke iu referuar numrit të madh të votuesve në 2017-tën dhe që në fakt ato ishin shumica për Vetëvendosjen, ka thënë se pushteti aktual, duke iu referuar PAN-istave, kanë frikë nga diaspora.

Elezi: KQZ ka pranuar 13 mijë aplikime nga diaspora

Nga ana tjetjtër, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për “Bota sot”, ka thënë se prej 30 gushtit kur ka filluar ky proces dhe deri në mesditën e së dielës (8 shtator) janë pranuar 13 mijë aplikime për tu regjisteuar si votues jashtë Kosovës.

Aplikimet janë bërë përmes fax-it, fahut postar të KQZ-së dhe e-mailave të shërbimit votues.

Elezi, tha se i përket ditëve që KQZ-ja ka caktuar për këtë periudhë – është bërë maksimalja brenda ditëve që janë në dispozicion për të organizuar të gjithë procesin zgjedhor, duke shtuar numrin e ditëve për aplikim.

Image
Valmir Elezi

“Në zgjedhjet e vitit 2017 periudha e votimit përmes postës ka mundur të realizohet brenda 16 ditëve, ndërsa tani (2019) janë gjithsej 17 ditë për të votuar përmes postës për të gjithë aplikuesit e suksesshëm”, tha ai.

Ndryshe, Elezi, periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës ka filluar më 30 gusht dhe do të përfundojë më 10 shtator.

“Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 6 tetor 2019. Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë”, tha Elezi.

Brenda afatit të përcaktuar nga KQZ-ja, aplikimi për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës mund të bëhet përmes këtyre mundësive: fahut postar të KQZ-së, fax-it të KQZ-së dhe përmes ndonjërës nga e-mail adresat e Shërbimit Votues të KQZ-së.

“Duke pasur parasyshë që shumica e tyre votojnë VV-në, është e qartë pse pushteti deri sot nuk e ka bërë këtë. Thjesht kanë frike nga diaspora”, tha ai.

Krasniqi: Nuk dihet numri i saktë, por mund të jenë aq sa është numri i qytetarëve që jetojnë brenda Kosovës

Nga ana tjetër, Faik Krasniqi, njohës i çështjeve politike, ka thënë se deri para pak ditësh mbi 10 mijë bashkëatdhetarë kanë aplikuar për të votuar. Shumica prej tyre, sipas Krasniqit, kanë paralajmëruar që do të vijnë dhe fizikisht në Kosovë në ditën e zgjedhjeve.

Image
Faik Krasniqi

“Deri para pak ditësh mbi 10 mijë bashkatdhetarë tanë që jetojnë në perëndim, kanë aplikuar për të votuar online për zgjedhjet e 6 tetorit. Shumë prej tyre kanë paralajmëruar që do të vijnë fizikisht në Kosovë për të votuar. Kjo mbetet të shihet. Në perëndim jetojnë një numër jashtëzakonisht i madh i shqiptarëve të Kosovës. Nuk dihet numri i saktë, por mund të jenë aq sa është numri i qytetarëve që jetojnë brenda Kosovës. Në bazë të numrit të shqiptarëve që jetojnë jashtë Kosovës, konsiderojë që ky numër do të duhej të ishte shumë më i madh që do të votonin në zgjedhjet e përgjithshme”, tha ai.

Krasniqi, për “Bota sot”, deklaroi që nëse bashkatdhetarët nuk votojnë, atëherë është e kuptueshme së në fund t’fundit, ata e kanë nderuar jetën e vet. Obligim sipas Krasniqit, e kanë qytetarët e Kosovës nëse duan ndryshime në vend.

“Megjithatë, unë i arsyetojë edhe pse nuk votojnë. Ata atje kanë ndërtuar jetën e tyre, dhe është e natyrshme kjo gjë. Nuk e kanë këtë obligim. Obligim do të duhej ta kishin qytetarët e Kosovës që jetojnë këtu, nëse duan të ndryshojnë diçka për të mirë, edhe pse tek shumica është humbur shpresa që ky vend do të pësoj ndryshime për të mire”, tha Krasniqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...