Zbulohet arsyeja pse Ramush Haradinaj i’a kris këngës

Politika

Zbulohet arsyeja pse Ramush Haradinaj i’a kris këngës

Nga Më 10 shtator 2019 Në ora: 17:02
Ramush Haradinaj

Ramushi ia krisi këngës sërish. Kësaj here në një studio televizive. E derisa kënga e tij të vazhdojë, edhe kukama e padëgjuar edhe qytetarëve nuk do të pushojë.

Është një kukamë e klithje të cilën shoqërisht po e shpërfillim. Por, shpërfillja është e institucionalizuar, dhe askush më shumë nuk e simbolizon atë mosdurim e atë keqtrajtim të këtyre njeri se sa Ramush Haradinaj, kryeministër në dorëheqje.

“Kah po shkon o moj zanë?” – i pëlqen të ciatet Ramushit tonë milioner.

Cilat janë parakushtet që e çojnë një lider politik drejt këngës në një kohë mjerimi e ankthi ekzistencial për shumicën e qytetarëve të vendit?

Epo, të bëhemi realistë. Kur i ashtuquajturi Rambo, që merr emrin e një personazhi muskuloz, del në terren dhe merr ledhën e njerëzve të vendit, ai mendon se këta janë “qytetarët e vendit”. Jo, jo Rambo. Këta nuk janë qytetarët e vendit. Këta janë figurantët brenda ëndrrës tënde, brenda flluskës në të cilën jetën, këta janë pjesa e klientelës së partisë tënde, njerëzit që i ke shti në punë ose ata të cilëve iu ke premtu punë. Ti as nuk i njeh qytetarët e vendit në skamje e kushte të rënda. Ti gërditesh prej tyre. Ti mërzitesh prej halleve të tyre. Bota e tyre nuk të intrigon.

Prandaj, pse të mos këndosh? Ti ke dëgjuar për mjerimin e varfërisë veç nëpër pak media. Ti ke dëgjuar për shtresën e varfër shoqërore nëpër televizione, dhe me siguri e ke ndërruar kanalin. Por, ti nuk i ke parë me sytë e tu këta njerëz. Sepse, era e tyre skamje ta prish qejfin, dhe përzihet me erën e parfumëve të shtrenjtë që ngjet në trup për ta heqë zdralin. Po t’i shihje këta njerëz, po t’i dëgjoje hallet e tyre, a do të këndoje vallë? Jo, kurrën e kurrës. Sepse, paramendoj se megjithatë e ke një farë mirëkuptimi e dhembshurie.

Por, Ramushi e vazhdon këngën. Dhe në partinë e tij ka afruar njerëz të estradës, këngëtarë e profesorë muzike bile. Labinot Tahirin e tallavasë. Muzika le të kumbojë! Kukama e fukarenjve le të shuhet! Kështu e thotë Ramboja.

Duke i hequr prej pamjes e duke i hequr prej veshëve, Ramushi kësisoj nuk jeton në botën tonë. E as ne nuk jetojmë në botën e tij. Ai nuk rrethohet në një varg përçudnimesh e banalitetesh të përditshme. Ai rrethohet me njerëz të pasur si ai vetë. Me njerëz që lëshojnë erë 10 metra larg. Erë parfum, se çka tjetër.

Eh pra, muzika e tij nuk është rastësore. Muzika e tij ka kuptimin e çlirimit të trupit. Ai dëshiron ta çlirojë veten nga piskama qytetare nga mjerimi e padrejtësitë, nga pabarazia e marrëzitë, një piskamë fantazmë që ne të tjerëve na i shurdhoi veshët. Por jo atij. Ai u çlirua. Dhe tash këndon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat