Mashtruesit veteranë përdoren për qëllime elektorale

Politika

Mashtruesit veteranë përdoren për qëllime elektorale

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 11 shtator 2019 Në ora: 08:04
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Çështja e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është njëra ndër temat më të përfolura në vend pasi tanimë edhe organet e drejtësisë do të merren me afro 20 mijë veteranë të cilët janë përfshirë në listat e “Mashtruesve”.

Lista e veteranëve u përfol pasi në të u gjenden shumë veteranë të cilët nuk ishin të denjë për ato lista.

Organet e drejtësisë tashmë po merren me këtë çështje. Ndaj disa përfaqësuese të partive politike janë ngritur edhe aktakuza. Por, pavarësisht kësaj, veteranët e dyshuar si të rrejshëm kanë vazhduar t'i marrin pensionet, duke i shkaktuar dëme buxhetit të vendit miliona euro.

Raporti i IKD-së

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Drejtësia ‘amniston’ veteranët e rrejshëm, dëmton buxhetin e Republikës së Kosovës: Analizë e aktakuzave, proceseve gjyqësore dhe aktgjykimeve në rastet e veteranëve të rrejshëm”.

IKD vlerëson se sistemi i drejtësisë nuk ka përmbushur obligimet ligjore në rastin e “veteranëve” dhe se Prokuroria Themelore e Pejës dhe Gjykata Themelore kanë dështuar në mbrojtjen e buxhetit të shtetit.

“Prokuroria e shtetit, Prokuroria e Themelore e Pejës dhe Gjykata Themelore e Pejës kanë dështuar në mbrojtjen e buxhetit të shtetit në rastin e veteranëve të rrejshëm....Prokuroria Themelore e Pejës kishte pranuar 17 mijë dosje dhe me 24 maj të këtij viti ka ngritur 20 aktakuza ndaj 21 personave. Në një rast të monitoruar IKD ka gjetur se Prokuroria Themelore e Pejës në aktakuzën e saj ka propozuar që të pandehurit të shpallën fajtor, por nuk ka propozuar që të pandehurit të kompensojnë shumën e fituar në mënyrë të kundërligjshme në emër të pensionit të veteranit. Në këtë mënyrë Prokuroria Themelore e Pejës vetëm sa e ka identifikuar palën e dëmtuar në rastin konkret Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por nuk ka propozuar që këto mjete buxhetore të kthehen në buxhetin e shtetit. Për më tepër nuk ka propozuar as që të bëhet një dënim plotësues krahas dënimit kryesor në mënyrë që të kemi kompens im të dëmit”, thuhet ndër të tjera në raportin e IKD-së.

Duhanaj: Një amnisti për të shpejtuar procesin e listës së veteranëve

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, tha që shkaku i zgjedhjeve partitë po japin deklarata për ta zvogëluar korrupsionin mirëpo që është hap i vogël në drejtimin e duhur.

“Tani, duke qenë se, secila parti, i ka shpallur luftë korrupsionit dhe krimit ekonomik në vend, të paktën në mënyrë deklarative, po mendoj që është një hap i vogël në drejtimin e duhur. Kur bëhet fjalë për veteranët e rrejshëm, për mendimin tim, duhet të zbatohet ligji me gjithë ashpërsinë e tij, në mënyrë që secili që ka bërë shkelje edhe të dënohet”, tha Duhanaj.

Më tej, Duhanaj, u shpreh që ndoshta do të ishte ide e mirë që të mendohet një amnisti në mënyrë që të përshpejtohet procesi dhe të kursehet shteti.

“Ndoshta kishte me qenë mirë të mendohet një amnisti për ata që tërhoqën vullnetarisht, para se të hetohen dhe të dënohen njëri pas tjetrit, në mënyrë që edhe të përshpejtohet ky proces, edhe të kursehet buxheti i shtetit. Megjithatë, nuk mendoj që subjektet do të marrin ofensivë tash para zgjedhjeve, pasi që synojnë maksimalizimin e votave”, u shpreh, Duhanaj.

Mehmeti: Përveç dëmtimit të buxhetit, lista e veteranëve ka pasur efekt edhe tek ndërkombëtarët

Image
Faton Mehmeti

Analisti tjetër politik, Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim, tha që të pastrohen këto lista është shumë vështir pasi që janë krijuar nga vetë militantët e tyre dhe se duhet një komision i huaj ta mbikëqyrë.

“Besoj se do të jetë shumë vështirë që lista e veteranëve të spastrohet me krahun e luftës në pushtet, duke qenë se janë pikërisht këta që e kanë mbushur listat me militante të tyre. Duhet një komision i huaj që të mbikëqyr nga fillimi këtë proces që duhet të ndodhë, meqenëse shteti dëmtohet shumë në këtë drejtim”, tha Mehmeti.

Tutje, Mehmeti, u shpreh që qeveria e ardhshme duhet të merret me këtë çështje në mënyrë që të ndaloj gllabërimin e parasë publike.

“Kushdo që zbulohet se ka mashtruar të jep llogari para ligjit, përveç dëmtimit të buxhetit lista e veteranëve kanë pasur efekt edhe tek ndërkombëtarët, të cilët na kanë trajtuar me rezerva. Qeveria në ardhje duhet të nis nga fillimi këtë proces, që rrezikon shumë të gllabëroj paranë publike”, përfundoi, Mehmeti.

Preteni: Lista e veteranëve e UÇK-së, është shfrytëzuar nga të gjitha partitë politike në Kosovë

Image
Musa Preteni

Politologu Musa Preteni, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se partitë politike e kanë shfrytëzuar listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se ky shfrytëzim u bë nga të dy rrafshët e Kosovës.

“Çështja e veteranëve, më konkretisht listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është shfrytëzuar nga të gjitha partitë politike në Kosovë në dy rrafshe. Rrafshi i parë nënkupton që të gjitha partitë politike kanë futur në këto lista njerëz të tyre për qëllime elektorale dhe përfitime të natyrave tjera, kurse rrafshi i dytë nënkupton qasjen e partive politike pas publikimit të këtyre listave se do t’i luftojnë të gjithë veteranët e rrejshëm dhe listat do të pastrohen”, tha Preteni.

Në fund, Preteni, tha që edhe pse do të jepen premtime në këto fushata përveç lojërave sipërfaqësore asgjë tjetër nuk do merret në këmbim.

“Andaj në këtë frymë unë mendoj që gjatë kësaj fushate do të luhet sërish me këto lista duke dhënë premtime për kinse pastrimin e tyre, kurse unë mendoj që krejt çfarë do të mund të bëhej në të ardhmen është një loja sipërfaqësore me to”, përfundoi Preteni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat