Kërkohet reciprocitet i plotë me Serbinë, para se të arrihet marrëveshja përfundimtare

Politika

Kërkohet reciprocitet i plotë me Serbinë, para se të arrihet marrëveshja përfundimtare

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 11 shtator 2019 Në ora: 12:22
Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq

Procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon edhe me tej të ketë ngecje, përkundër tentative dhe ideve të ndryshme që vijnë nga përfaqësues të shteteve të ndryshme.

Është deputeti i Bundestagut gjerman nga radhët e CDU/CSU, Peter Beyer, i cili gjatë një takimi që ka pasur javën e kaluar me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, në Beograd, ka thënë se “Modeli i dy Gjermanive” është një ide për të cilën ia vlen ende të mendohet për zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përveç tjerash Beyer ka ripërsëritur qëndrimin gjerman kundër shkëmbimit të territoreve, dhe ka thënë se njohja e plotë e Kosovës është një kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkim Evropian.

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës vlerësojnë se gjithçka që ka të bëjë me relacionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen si relacione ndërmjet dy shteteve të pavarura.

Ndërsa, nga ana tjetër, njohësit e fushës politike shprehen se kuptojnë vullnetin e mirë të deputetit gjerman për zgjidhjen e ngërçit mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo, sipas tyre, ky plan nuk do të rezultonte i suksesshëm.

Murtezaj: Pikënisja është kërkimfalja nga ana e Serbisë

Image
Valon Murtezaj

Valon Murtezaj anëtar i kryesisë së re të LDK-së, dhe njëherit profesor i negociimit ndërkombëtar dhe diplomacisë në Paris, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se çdo zhvillim që ndodhë mes dy vendeve, parësore është se Kosova duhet të trajtohet si shtet i pavarur.

“Gjithçka që ka të bëjë me relacionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen si relacione ndërmjet dy shteteve të pavarura. Historia nuk mund të harrohet as të kthehet prapa”, ka thënë profesor i negociimit ndërkombëtar dhe diplomacisë.

Tutje, sipas tij, pikënisja është kërkim falja nga ana e Serbisë për të gjitha dëmet e shkaktuara Kosovës dhe popullit te saj

“Kosova ka shpallur pavarësinë pas shumë fazave të kaluara, dhe duke përmbushur të gjitha obligimet e pranuara nga propozimi Ahtisaari. Po ashtu pikënisja është kërkim falja nga ana e Serbisë për të gjitha demet e shkaktuara Kosovës dhe popullit të saj”, ka shtuar ai.

Ndërsa, gjithashtu Murtezaj ka thënë se vlerëson lartë personalitetin e deputetit Beyer lidhur me kontributin e vazhdueshëm të tij për paqe në rajon.

Kelmendi: Gjermania zyrtare është në mbrojtje të interesave të Kosovës

Image
Jeton Kelmendi

Ndërkaq profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se pjesa zyrtare e Gjermanisë, është kundër çdo ideje për ndarje apo copëtimin të Kosovës.

Kelmendi shpjegon se ideja për ndarje e Kosovës erdhi nga Serbia me ide të Rusisë, dhe që fatkeqësisht sipas tij, kjo gjeti mbështetje edhe disa persona në Kosovë të cilët ishin pro politikave serbe.

“Është e natyrshme që edhe Serbia të ketë aleatë dhe të prodhojë ndonjë ide, pasi Gjermania apriori nuk është Gjermania perfektë në raport me shqiptarët, sepse si çdo vend që mund të jetë me interesa të ndryshme, andaj mendoj se nuk është serioze të merret një gjë e tillë, pasi pjesa zyrtare e Gjermanisë, gjegjësisht qeveria dhe institucionet janë kundër çdo ideje për ndarje apo copëtimin, ashtu siç kishte disponim nga disa qarqe të caktuara në Amerikë, sepse ideja u prodhua në Serbi, me ide të Rusisë, dhe e cila fatkeqësisht gjeti mbështetje edhe të disa krerë të vendit të cilët ishin pro politikave serbe”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi është i mendimit se duhet të kërkohet një marrëveshje e cila natyrisht nuk i prek interesat dhe integritetin territorial.

“E them prapë se Gjermania zyrtare është në mbrojtje të interesave të Kosovës. Duhet të kërkohet një marrëveshje e cila natyrisht nuk i prek interesat dhe integritetin territorial dhe të drejtat e shqiptarëve, thjesht duhet të ndodhë njohja bilaterale dhe natyrisht serbët veçse kanë privilegje të shumta tashmë”, ka shtuar ai.

Ai nënvizon se qeveria e ardhshme që shpreson se do të jetë mes LDK-së dhe VV-së, duhet të kërkojë reciprocitet.

“Kasta jonë e kalbur politike edhe në takimet e mëhershme ka lëshuar tejmase pe, pasi gjithçka që jepet Kosova do të humbas edhe më shumë. Pala shqiptare duhet të jetë e vendosur dhe qeveria e ardhshme që shpresojë të jetë mes LDK-së dhe VV-së, gjegjësisht mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, dhe këta njerëz nuk duhet të hamenden, pasi në çdo aspekt duhet të ketë reciprocitet mes dy vendeve”, ka deklaruar Jeton Kelmendi.

Politologu Krasniqi: “Modeli i dy Gjermanive” nuk është zgjidhje

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se e kupton vullnetin e mirë të deputetit gjerman për zgjidhjen e ngërçit mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo, sipas tij, ky plan nuk do të kishte sukses.

“E kuptoj vullnetin e mirë të deputetit gjerman për zgjidhjen e “problemit” Kosovë-Serbi. Ky nuk është ndonjë problem, por e përkëdhelura Serbi nga BE-ja dhe pa aftësia jonë ka arritur në atë pikëse Kosova dhe Serbia kanë probleme të hapura. Por, nuk besoj që “Modeli i dy Gjermanive” do të kishte sukses mes problemi Kosovë-Serbi”, është shprehur Krasniqi.

Me tej, ai ka shpjeguar gjithashtu se pse nuk do të kishte sukses ky plan, i cili mendohet nga Gjermania si mënyra “ideale” për zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pse s'do të kishte sukses? Me dy Gjermanitë kemi pasur të bëjmë me një popull gjerman, por i ndarë në dy shtete, në Gjermaninë Federale dhe Gjermaninë Demokratike, të cilat me vonë u ribashkuan”.

“Kosova dhe Serbia janë dy kombe të ndryshme. Nëse zbatohet ky plan, atëherë i bie që Kosova dhe Serbia pas disa kohesh të bëhen prapë bashkë. Ky nuk është as qëllimi dhe as vullneti ynë. Deputeti gjerman ose ka dalë me këtë plan nga mosdija, ose është plan i mirë menduar në favor të Serbisë”, ka përfunduar Krasniqi.

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian së fundi kanë ndezur motorët sa i përket çështjes së rinisjes së dialogut dhe arritjes së një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Washingtoni zyrtar ka përcaktuar, Matthew Palmer, si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, i cili do të merret ekskluzivisht me çështjen e bisedimeve Prishtinë-Beograd, ndërkohë duarkryq nuk ka ndenjur as kancelarja gjermane, Angel Merkel. Javën e kaluar në Prishtinë e Beograd ka qëndruar i dërguari i saj special, deputeti i Bundestagut nga radhët e koalicionit CDU/CSU, Peter Beyer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat