Dialogun duhet ta udhëheqin njerëzit që nuk e kanë dëmtuar kurrë Kosovën

Politika

Dialogun duhet ta udhëheqin njerëzit që nuk e kanë dëmtuar kurrë Kosovën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 shtator 2019 Në ora: 18:30
Ish-grupi negociator

“Kemi shumë përvoja të hidhura  me koncesionet e vazhdueshme  e në dëm të Republikës, të cilat na kanë përcjellur e po na përcjellin në vazhdimësi. Devijimi i programeve politike, është bërë rregull i partive politike që kanë qeverisur  nga paslufta dhe programet politike më shumë shfrytëzohet për qëllime politike se sa për emancipim e progres shoqëror. Më shumë duhet gjykuar rolin dhe rëndësinë e partive të cilat kanë qenë konsistence në qëndrime karshi dialogut me Serbinë, e posaçërisht me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial  të shtetit.”, ka thënë Hidajet Ahmeti.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit Kosova do t`i rikthehet sërish cështjes së dialogut me Serbinë për të arritur deri tek marrëveshja përfundimtare. Partitë politike në programet e tyre e kanë paraparë edhe mënyrën se si do t`i qasen kësaj teme mjaft të nxehtë. Kujtojmë se në gjysmëmandatin e Qeverisë Haradinaj, Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të paligjshëm ekipin negociator të kryesuar nga kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti.

Sipas analistëve, dialogun Kosovë – Serbi pas zgjedhjeve të 6 tetorit, duhet ta udhëheqin njerëzit të cilët nuk e kanë dëmtuar asnjëherë Kosovën dhe partitë politike të cilat ofrojnë program  më të qartë për mbrojtjen e territorit të Kosovës nga ndarja.

Ahmeti: Devijimi i programeve politike, është bërë rregull i partive politike që kanë qeverisur  nga paslufta

Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë se nuk duhet të shikohet vetëm ana formale  e programeve të partive  politike, por substanca e saj, por njëkohësisht  edhe nga kush përfaqësohen ato parti politike.

Image
Hidajet Ahmeti

“Kemi shumë përvoja të hidhura  me koncesionet e vazhdueshme  e në dëm të Republikës, të cilat na kanë përcjellur e po na përcjellin në vazhdimësi. Devijimi i programeve politike, është bërë rregull i partive politike që kanë qeverisur  nga paslufta dhe programet politike më shumë shfrytëzohet për qëllime politike se sa për emancipim e progres shoqëror. Më shumë duhet gjykuar rolin dhe rëndësinë e partive të cilat kanë qenë konsistence në qëndrime karshi dialogut me Serbinë, e posaçërisht me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial  të shtetit.”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, nuk duhet besuar partive të cilat kanë zbehur substancën e Republikës me koncesione të vazhdueshme dhe kanë instaluar frymën e manipulimit me opinionin publik.

“Vetëvendosje si parti politike në vazhdimësi ka qenë kritike dhe qasjes se gabuar ndaj dialogut, por edhe  duke dhënë alternativë për një dialog të drejtë  e me qëllime të mira për komunitet që jetojnë në Kosovë e jo dialogu të reduktohet si instrument për t’i ndihmuar Serbisë në drejtim të BE-se. Por njëkohësisht edhe protestat  masive të cilat i ka organizuar  kjo lëvizje shkaku i pretendimeve të disa  politikanëve karrierist për ndarje të Kosovës. Prapë po shprehem më shumë duhet besuar konsistencës së qëndrime të partive politike se sa programeve politike formale e pa substancë”, ka thënë Ahmeti.

Politologu Faik Krasniqi ka thënë për “ Bota sot” se deri më tash nuk kemi parë program të qartë të asnjë partie politike në Kosovë, përveç akuzave dhe kundër akuzave, se kush është më patriot, e kush është më tradhtar.

Sipas tij, territori nuk mbrohet nga partitë politike, sepse nëse territori i Republikës së Kosovës ka mbetur të mbrohet nga partitë politike, atëherë paska mbaruar ky vend.

Image
Faik Krasniqi

“Për dy dekada partitë që ishin në pushtet na e dëshmuan se çfarë janë në gjendje t'i bëjnë këtij vendi. Kushtetuta e mbron territorin e një vendi. Kjo vlen për çdo shtet të botës. Ata politikanë që tentojnë të bëjnë pazare me territor, është Kushtetuta që e penalizon një gjë të tillë dhe ata politikanë përballen me ligjin për cenim të territorit. Dialogun duhet ta udhëheqin njerëzit që nuk e kanë dëmtuar kurrë Kosovën”, ka thënë politologu Krasniqi.

Burjani: Askush në Kosovë, nuk është për opsion te shkëmbimeve territoriale as ndarje 

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani ka thënë se, problemi i dialogut është shumë komplikuar dhe ky problem as në Kosovë a as në Serbi, nuk mund të zgjidhet me patriotizëm por me zgjidhje reale pragmatike.

Image
Blerim Burjani

“Në Kosovë askush nuk është për opsion te shkëmbimeve territoriale as ndarje “problemi kryesor është se si të zgjidhet , LDK dhe PDK mund të kenë më shumë sukses në këtë temë, ose një konsensus i plotë në mes partive , tjetër alternativë nuk ka, nuk ka nevojë partitë më pas program me kushtetutën e Kosovës integriteti territorial dhe sovraniteti i shtetit është i garantuar, askush nuk ka të drejtë të negocioj për kufijtë”, ka thënë Burjani.

Duhanaj: Udhëheqjen e bisedimeve, e përcakton çartë Kushtetuta e vendit dhe aty nuk guxon të ketë kompromis

Kurse, analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se bazuar në paraqitjet publike të deritanishme të partive politike, nuk mund të vërehet që ka ndonjë ndryshim të madh në qëndrimet e tyre për sa i përket çështjes së kufijve dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Sipas tij, në nuanca minimale megjithatë vërehet pritshmëria e ndonjë lëshimi pe.

Image
Leon Duhanaj

“Jo të vetë kufijtë e shtetit, sa tek të drejtat e serbëve në Kosovë, përkatësisht asociacionit. Këto probleme e kanë burimin tek gjashtë pikëshi i Ban ki Mun-it apo Ahtisari Plus. Për fat të keq, thirrjet e njerëzve jashtë pushteti, nuk merren parasysh dhe, si pasojë ndodhin vendime të gabueshme, që me vonë përballemi me to. Në gjithë këtë katrahurë të krijuar, kërkohet para së gjithash unitet dhe platformë e çfarë kombëtare. Ndryshe, nuk do t'ia dalim ta mbrojmë sovranitetin e shtetit”, ka thënë analisti politik Duhanaj.

Ai ka thënë se udhëheqjen e bisedimeve, e përcakton çartë Kushtetuta e vendit dhe, aty nuk guxon të ketë kompromis.

“Qeveria e Kosovës duhet ta marrë detyrën e udhëheqjes së vendit në të gjitha segmentet, po ashtu edhe dialogun. Në ketë kontekst, do duhet që secili kandidat për kryeministër, ta ketë të prezantuar idenë e tij për zgjidhjen e problemit. Duhet të kenë përgjigjeje të çarta se si do ta zgjidhin çështjen, ose mos ta mashtrojnë popullin”, ka thënë Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat