Një PAN i dytë, i rrezikshëm për Kosovën

Politika

Një PAN i dytë, i rrezikshëm për Kosovën

Valon Rugova Nga Valon Rugova Më 12 shtator 2019 Në ora: 11:17
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli

Jo më shumë se një muaj na ndajnë nga zgjedhjet e 6 tetorit, të cilat do të sjellin qeverinë e re. Në zgjedhjet e kaluara, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, si të vetme kishin përballë një grumbull partish nën petkun e PAN-it, të cilët fituan zgjedhjet dhe krijuan qeverinë, që la shumë për të dëshiruar.

Për shkak të mosarritjes së koalicionit në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, është krijuar mundësia që qeveria e re, të përbëhet sërish nga partitë që e përbënin koalicionin PAN.

Një ide si kjo, ngjallë frikë tek palët që u intervistuan nga “Bota sot”. Ata thonë se nëse qeveria e re do të krijohet nga njëra nga partitë e ish-koalicionit PAN, Kosova do të pësoj dëme.

Dauti:  Një qeveri e PAN-it e zgjatë gjendjen e rëndë në Kosovë

Image
Daut Dauti

Daut Dauti, publicist dhe anëtar i Vetëvendosjes, për “Bota sot”, ka thënë se një qeveri e re e krijuar nga PAN, do t’ia zgjaste gjendjen e rëndë Kosovës.

Ai, tha se kjo nuk duhet të ndodh pasi që Kosova do ta kishte të vështirë të përballoj edhe një mandate të tyre dhe se këndellja do të jetë e pamundur.

“Një qeveri e PAN-it e zgjatë gjendjen e rëndë në Kosovë. Kjo gjë nuk duhet të ndodh pasi që Kosova do ta kishte shumë vështirë ta përballoj edhe një mandat të tyre. Këndellja do të ishte pothuajse e pamundshme”, tha ai.

Më tej, Dauti, shtoi se marrë parasysh situatën dhe disponimin e njerëzve, vihet re se PAN-I nuk ka gjasa për fitore.

Ai është i mendimit se në këto zgjedhje, gara kryesore të jetë në mes të LVV-së dhe LDK-së.

Gecaj: Popullata është vetëdijesuar se nuk mund t’i besoj më “gjeneralëve”

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i lartë i LDK-së, Bajram Gecaj, për “Bota sot”, ka thënë se koalicioni PAN e ka sjellë Kosovën në pikën zero apo siç ai në fund të pusit. Ai shtoi se përsëritja e një koalicioni të tillë, do të e dërgonte Kosovën në një situatë nga e cila do të rrezikohej e ardhmja.

“Koalicioni PAN e ka sjellë Kosovën në pikën zero, apo siç thotë populli “në fund të pusit”. Më poshtë nuk ka ku shkojmë. Përsëritja e një koalicioni të tillë, do të na dërgonte në situatë nga e cila do të rrezikonim gjithë atë që është arritë në 30 vitet e fundit, pra në një situatë të pa kthim”, tha ai.

Megjithatë, Gecaj, shtoi se kjo nuk do të ndodh për shkak të vetëdijesimit të popullatës. Ai, tha se qytetarët më nuk iu besojnë “gjeneralëve”.

Gecaj, po ashtu shtoi se e ardhmja është në duart e Vjosa Osmanit dhe se me një qeveri e udhëhequr nga Vjosa, Kosova dhe e ardhmja e saj vihen në binarë të sigurt.

“Unë besoj fuqishëm se kjo nuk do të ndodh dhe se popullata është vetëdijesuar se nuk mund t’i besoj më “gjeneralëve”. Nëse do të ndodhte një koalicion i tillë, as zoti nuk do të mund të na ndihmonte. E ardhmja e këtij vendi varet nga këto zgjedhje dhe nga vullneti e vota e qytetarëve të republikës. Me Vjosa Osmanin kryeministre, ardhmërinë e vendosim në binarë të sigurt”, tha ai.

Shahu: Do të dëshiroja të vetme të kishte fuqinë qeverisëse LDK-ja

Image
Rexhep Shahu

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, për “Bota sot”, tha se nëse qeveria e re e Kosovës do të krijohet nga partitë që përbënin PAN, atëherë, Kosova kthehet 20 vite më prapa. Sipas tij, nëse ndodhë kjo, Kosova rrezikon të shndërrohet në një shtet monstër.

“E çon Kosovën 20 vite më prapa dhe e rrezikon me krijue shtet monstër, përbindësh”, tha ai.

Më tej, Shahu, theksoi se e dhimbshme fakti që LDK-ja asnjëherë nuk ka pasur mundësi të qeverisë si duhet për shkak se ishte peng i partive të vogla por me fyt të madh.

“Asnjëherë në këtë periudhë kohore nuk ka pasur qeveri të vetën LDK-ja pasi ka qenë peng i partive aleate të vogla me fyt të madh. Do të dëshiroja të vetme të kishte fuqinë qeverisëse LDK-ja”, tha ai.

Shahu, deklaroi se nuk ka asgjë personale me Ramush Haradinajn e as me Kadri Veselin por se – siç thotë ai – këta dy nuk kanë fuqi me u nda nga bota e nëndheshme.

“Unë nuk kam asgjë me Ramushin apo Kadri Veselin si persona, por ata nuk janë të zotët, nuk kanë fuqi me u nda bota e nëndheshme. Ata janë kukulla që ua lëvizë duart dikush tjetër. Duhet me e nda mendjen me vdekë dhe veç atëherë nuk të fusin nën shërbim me plotësu orekse të Serbisë”, tha Shahu.

Haziri: Me një PAN të dytë, Kosova do të pësonte regres

Image
Nexhat Haziri

Nga ana tjetër, analisti Nexhat Haziri, është i idesë se në Kosovë do të kishte një regres shoqëror nëse ndodh qeveria të krijohet nga ish-partitë e PAN-it.

“Kujtoj se është një regres shoqëror nëse edhe pas 6 tetorit një nga partitë që ishte pjesë e PAN-do të udhëhiqte me qeverinë”, tha ai.

Sipas tij, vendi do të rrezikojë të futet në destabilitet politik të përgjithshëm që për pasojë do të prodhojë izolim të vendit.

“Përtej kësaj vendi do të rrezikohej duke u futur në  destabilitet politik të përgjithshëm që për pasojë do të prodhonte izolimin e vendit, mungesë së investimeve nga jashtë, destabilitet social,rritjen e ndikimit te krimit te organizuar, mungesë perspektive në integrimet euro-atlantike, me një fjalë do ta rrezikonte seriozisht funksionimin e shtetit”, tha Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat