Dardan Molliqaj nga dashuria e madhe e urren Vetëvendosjen, prandaj sulmoi Haki Abazin

Politika

Dardan Molliqaj nga dashuria e madhe e urren Vetëvendosjen, prandaj sulmoi Haki Abazin

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 12 shtator 2019 Në ora: 22:33
Dardan Molliqaj e Haki Abazi

Ndonëse ka kohë që nuk përcjell aq debatet politike, nga mungesa e debateve të mirëfillta, të mërkurën mbrëmë u gjenda përballë televizorit. Duke ndërruar kanalet me telekomandë, hasa në një debat të zjarrtë në njërin nga televizionet tona. Nga katër të ftuarit debati i zjarrtë ishte mes kandidatëve për deputetë”: Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Dardan Molliqaj nga PSD, por që përfaqësonte në këtë debat koalicionin AAK-PSD. Isha kureshtar të dëgjoja Hakiun, më të cilin njihemi që moti dhe kemi bashkëpunuar edhe në FER. Megjithëse shumë kohë janë bërë që më s’kemi kontakte, gjithsesi në mendjen time ka ngelur një djalë i zgjuar dhe punëtor. Pa dashur të paragjykoja të tjerët, thjesht mendoja se do të ishte debat i arsyeshëm, edhe pse i zjarrtë.

Nuk ndodhi ashtu si e mendoja, debati u personalizua pa nevojë duke i përmendur njëri tjetrin aspektin moral, konkretisht familjen. Njëri fliste për babanë e tij, tjetri për gruan, aq sa pas emisionit edhe thuhet se ka ndodhur një përplasje fizike mes tyre. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe policia, e cila ka konsideruar si “sulm”, duke bërë të ditur se po e heton rastin. Më erdhi keq për veten që nuk pash një debat të mirëfilltë ku prezantohen programet, ndeshën idetë dhe konceptet. Tentative për të kthyer debatin në personale e humb kredibilitetin e një debati serioz, për të cilin qytetarët kanë më së shumti nevojë. Dardan Mulliqaj ishte shumë i frustruar me veten e tij, gjykoj është penduar që është larguar nga VV, andaj ka aq inat dhe urrejtje për këtë parti, jo kot thonë se limiti mes dashurisë dhe urrejtës është krejtësisht  i padukshëm. Pa harruar këtu edhe gafet e Hakiut, i cili s`kishte pse të binte në kurthin e dikujt tjetër, aq më tepër t’i përmend tjetrin gruan, pavarësisht se personi në fjalë është person publik.

Në anën tjetër përfaqësuesi i NISMA që mundohej që të pasqyronte partinë e tij si oaza e qeverisë, e cila s`ka asnjë mëkat dhe të metë. Sikur kishte harruar personi në fjalë se është vet i dënuar nga gjykata për gjuajte me armë. Dhe s’mund të harrohet këtu edhe përfaqësuesi nga PDK, që mundohej të përgjithësonte krimin dhe korrupsionin. Nuk i vinte turp që përfaqësuesi i partisë, që është përgjegjëse për krejt korrupsionin dhe nepotizmin, fliste  gjoja për vendosmërinë e tyre për të luftuar këto dukuri. Ishte krejtësisht irituese të dëgjoje një njeri pa fije marre teksa fliste “se ne do të luftojmë korrupsionin dhe nepotizmin’’. Thash me vete : o Zot si nuk i vjen turp, djalli të flet për parajsë.  

Duke përjashtuar vitet deri në pavarësi, tani po bëhen 13 vjet shtet, dhe ende s`kemi pasur debate vërtetë konstruktive, ku flitet në bazë të programeve  me fokus të këmbimit të ideve. Sikur partitë politike ende nuk kanë njerëz të  formuar intelektualisht, ku flasin për ide dhe parime. Këtu s’duhet të harroj një rast, dhe deri tani të vetmin fatkeqësisht, debatin mes Kujtim Shalës dhe Hajredin Kuqit. 

Aty ishte debat i fortë me argument, me të cilët Kujtim Shala shkëlqeu. Njerëz të tillë na duhen  në debate, njerëz me integritet, jo zhurmues dhe shpifës e ofendues. Gjuha e tillë nuk i duhet kësaj shoqërie, aq më tepër përleshja fizike. Njerëzit e dobët në mungesë të argumenteve kalojnë në personale, e pastaj edhe në rrahje. Shpresoj të jetë debati i tillë i fundit që shoh, me shpresën që partitë politike nuk do të qojnë në tv njerëz pa kredibilitet, por të zot që flasin me argument. Vetëm kështu mund të shpresojmë se do të kontribuojmë në ngritjen e vlerave, si personale ashtu edhe shoqërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat