Profesori ndërkombëtar: Ky ishte shkaku kryesor i krizës parlamentare dhe dorëheqjes së Haradinajt

Politika

Profesori ndërkombëtar: Ky ishte shkaku kryesor i krizës parlamentare dhe dorëheqjes së Haradinajt

Nga: V.R Më: 15 shtator 2019 Në ora: 07:46
Ramush Haradinaj

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Bytyçi, për “Bota sot”,  tha se dialogu i Prishtinës me Serbinë ishte shkaku kryesor i krizës parlamentare dhe dorëheqjes së kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj.

Ai tha se vendosja e takës ndaj mallrave serbe nga ana e qeverisë së Kosovës bëri që Beogradi ta kushtëzojë heqjen e saj me vazhdimin e dialogut. Për këtë arsye shtetet mike të Kosovës shtuan presionin për heqjen e taksës, sepse interesi perëndimor euro-amerikan ishte dhe mbetet zgjidhja e konfliktit midis shqiptarëve dhe serbëve.

“Por qeveria e Kosovës kundërshtoi prerë mundësinë e heqjes së taksës. Presioni ndërkombëtar nga një anë dhe mungesa e gatishmërisë së Haradinajt për të reflektuar pozitivisht ndaj këtij presioni çoi në dorëheqjen e kryeministrit”, tha ai.

Image
Enver Bytyçi

Më tutje, Bytyçi tha se partitë politikë janë deklaruar të gjithë se janë të gatshme që me formimin e qeverisë së re të rifillojnë dialogun me Serbinë.

“Kjo gatishmëri duket si shprehje e vullnetit të mirë të institucioneve të vendit, por në fakt është produkt i presionit amerikan dhe atij të BE-së. Ndërkaq për taksën, nëse ajo do të mbetet ose do të hiqet, nuk ka deklarime të qarta. AAK rithekson se taksa do të mbetet edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit, derisa Serbia të njohë shtetin e pavarësinë e Kosovës. PDK është shprehur për heqjen e taksës.

“Shenja të tilla kanë dhënë dhe partia e Pacollit dha ajo e Limajt. Por askush nuk e di pozicionin e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Asnjëri prej tyre nuk ka thënë prerë se si do të veprohet me taksën nëse ata vijnë në pushtet. Por duket se në para fushatë ose në fushatë disa parti politike e kanë të vështirë të deklarohen për çështje sensitive, për shkak të humbjes ose përfitimit të votuesve. Nëse ato shprehen për heqjen e taksës, frika është se humbasin elektorat. Nëse shprehen për mbajtjen e saj, frika është se humbet përkrahja ndërkombëtare. Ndaj ka dhe paqartësi”, tha ai.

Ai, tha se dialogu me Serbinë, do të vazhdojë. Sipas tij, qeveria e ardhshme do të detyrohet që ta pezullojë taksën, por me një kusht që bisedimet të vazhdojnë pa agjendën e ndryshimit të kufijve ose shkëmbimit të territoreve, gjë për të cilën partitë politike shprehen qartë.

“Kosova është një rast specifik. Kjo është thënë e thuhet vazhdimisht, kur është në pyetje diskutimi i shpalljes së pavarësisë, nëse ky akt është ose jo në përshtatje me të drejtën ndërkombëtare. Këtë e ka pohuar dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vendimin e saj të datës 22 korrik 2010. Kjo do të thotë se pavarësia e Kosovës është produkt i dhunës së Milosheviçit kundër shqiptarëve. Se çfarë ka ndodhur, tashmë është e dokumentuar dhe në memorien e gjithkujt. Atëherë, del se ka mundësi që Kosova të zotohet për fqinjësi të mirë me Serbinë e të nënshkruajë një traktat paqeje, në të cilin të parashikohet që Kosova të mos ngrejë në të ardhmen çështjen e reparacioneve ose dëmeve të luftës që Serbia ka bërë në Kosovë. Në këmbim të kësaj Serbia do të angazhohet për ta respektuar pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kjo sjell edhe atë, për të cilën flet Haradinaj, tregun për Serbinë e anasjelltas në Kosovë”, tha Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat