Vjosa Osmani, ankthi i kundërshtarëve politik

Politika

Vjosa Osmani, ankthi i kundërshtarëve politik

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 16 shtator 2019 Në ora: 14:53
Vjosa Osmani

Ani pse edhe me tej nuk ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit, akuzat që bëhen ndërmjet kandidatëve për kryeministër të vendit së fundi kanë filluar të shpeshtohen.

Akuza e fundit është drejtuar në adresën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku kandidatët e partive tjera politike janë duke “nënçmuar” kandidaten e LDK-së për kryeministre të vendit, Vjosa Osmanin, lidhur me delegimin e dialogut me Serbinë.

Mirëpo, lidhur me këto pretendime, të fuqishme kanë qenë kundërpërgjigjet e partisë së Isa Mustafës, shkruan gazeta “Bota sot”.

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës shprehen se formësimi i Vjosa Osmanit është shndërruar në ankth për kundërshtarët politik, e sidomos, sipas tyre, për ata që deri tani nuk kanë treguar asnjë aftësi pozitive për të drejtuar vendin apo ndonjë proces të rëndësishëm.

Ndërkaq, analisti i zhvillimeve politike në vend vlerësojnë se kjo kritikë bëhet për shkak se kundër kandidatët e saj e kanë nuhatur humbjen e tyre dhe ka filluar qysh tani t’i zë paniku për fitoren e Osmanit, e cila do të konfirmohet fuqishëm me 6 tetor.

Sipas Hazirit, zgjedhja e Osmanit në krye të qeverisë do të ketë impakt edhe në përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si një vend normal me demokraci në zhvillim pozitiv dhe shumë më të shpejtë dhe me ambicie të arsyeshme për integrime euro-atlantike

LDK: Vjosa Osmani, ankth për kundërshtarët politik

Image
Armend Zemaj

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, duke i komentuar deklaratat e partive tjera, ka thënë se kandidatja e tyre ka aftësi për t’i drejtuar.

“Kandidatja për kryeministre të LDK-së, Vjosa Osmani, ka aftësi për të drejtuar Kombet e Bashkuara e jo vetëm Qeverinë e Kosovës”, është shprehur fillimisht Zemaj.

Me tej, ai ka thënë se përgatitja e kandidates së tyre për kryeministre të vendit është shndërruar në ankth për kundërshtarët politik.

Ai gjithashtu nuk ka lënë pa goditur kundërshtarët, duke thënë se deri më tani këta të fundit nuk kanë treguar asnjë aftësi pozitive për të drejtuar vendin.

“Formësimi i saj intelektual dhe profesional është shndërruar në ankth për kundërshtarët politik, sidomos për ata që deri tani nuk kanë treguar asnjë aftësi pozitive për të drejtuar vendin apo ndonjë proces të rëndësishëm për Kosovën”, ka përfunduar, Armend Zemaj, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, për gazetën “Bota sot”.

Geci: Sa më i shkolluar që të jetë personi aq më dinjitetshëm do t’i mbrojë interesat e popullit të vet

Image
Marigona Geci

Marigona Geci, kandidate për deputete në kuadër të listës zgjedhore të LDK-së, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e tyre ka shumë procese para vetës.

Ajo për gazetën “Bota sot”, gjithashtu ka deklaruar se partia e saj në radhët e veta ka akademikë e doktorë, të cilët, sipas saj, mund t’i dalin në ballë këtij procesi të rëndësishëm, sic është dialogu me Serbinë.

“Republika e Kosovës ka shumë procese para vetës dhe LDK si parti e djathtë në gjirin e saj ka akademikë, dhjetëra doktor shkencash, Prof. Dr. te të gjitha fushave, dhe unë mendoj se sa më i shkolluar që të jetë personi aq më dinjitetshëm mbron interesat e popullit të vet”, ka deklaruar Marigona Geci, kandidate për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Haziri: Vjosa Osmani do ta përmirësojë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare

Image
Nexhat Haziri

Nga ana tjetër, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri, duke folur për gazetën “Bota sot”, është shprehur se janë të natyrshme kritikat nga kandidatët e tjerë.

Mirëpo ai gjithashtu ka thënë se këto kritika janë të pabazë, të cilën sipas Hazirit konkurrentët e saj e bazojnë në atë vetëm pse është grua, e që po ashtu kjo kritikë shpërfaqë anën primitive te konkurrentët të saj.

“Është e natyrshme që e vetmja kritikë që i drejtohet kandidates për kryeministre Vjosa Osmani nga kundërkandidatët e saj, është se gjoja Osmani, që për mendimin tim është kryeministrja në ardhje, është gjoja se ajo nuk mund ta drejtoj dialogun me Serbinë, dhe kritika e tyre është krejt e pa bazë, të cilën konkurrentët e saj e bazojnë në atë vetëm pse është grua, e që po ashtu kjo kritikë shpërfaqë anën primitive të konkurrentët të saj”, ka thënë Haziri.

Mes të tjerave Haziri ka thënë se Osmani është shumë e aftë për t’u ballafaquar me të gjitha sfidat që i ka përpara vendi, pra edhe me dialogun me Serbinë.

“Kjo kritikë bëhet për shkak se kundërkandidatët e saj e kanë nuhatur humbjen e tyre dhe ka filluar qysh tani t’i zë paniku me për fitoren e Osmanit, e cila do të konfirmohet fuqishëm me 6 tetor. Vjosa Osmani është një kandidate më e përgatitur që të jetë kryeministre e Kosovës në raport me konkurrentët e saj, në së cilin aspekt, qoftë në aspektin politik, profesional dhe me integritet të lartë, dhe kjo e bënë shumë të dallueshme nga konkurrentët e tjerë”, është shprehur ai.

Ai gjithashtu ka theksuar se zgjedhja e Osmanit për kryeministre të vendit do të ketë impakt jo vetëm në ndryshimin pozitiv të gjendjes në Kosovë, por do të ketë impakt edhe në përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Zgjedhja e saj për kryeministre të vendit, që do të konfirmohet edhe me vullnetin lirë të qytetarëve të Kosovës me 6 tetor, do të ketë impakt jo vetëm në ndryshimin pozitiv të gjendjes në Kosovë, por do të ketë impakt edhe në përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si një vend normal me demokraci në zhvillim pozitiv dhe shumë më të shpejtë dhe me ambicie të arsyeshme për integrime euro-atlantike”, ka përfunduar analisti politik Nexhat Haziri.

Kujtojmë, se kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, së fundi gjithashtu ka thënë se në partinë e saj ka pushtet më shumë se çdo kandidat tjetër dhe se asnjëherë nuk ka pasur mospajtime për kandidimin e saj.

“Unë kam pushtet më shumë se secili kandidat i partive tjera. Asnjë parti s’mund të ketë sukses pa bashkim. Unë kam ekip, kam ekip fitues dhe të shkëlqyeshëm. Ekipa të bën më të fortë se sa vendimet individuale. Në kokë vete. Tek ne askush nuk e ka ndi nevojën të largohet. Kandidimi im i ka bashkuar të gjithë në LDK”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat