“PDK i ka shteruar resurset e saj në shtet-shkatërrim, falë themeluesit të saj Hashim Thaçi”

Politika

“PDK i ka shteruar resurset e saj në shtet-shkatërrim, falë themeluesit të saj Hashim Thaçi”

Nga: D.RR Më: 17 shtator 2019 Në ora: 10:12
Foto ilustrim

Ndonëse nuk ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, partitë politike çdo ditë po i shohim në teren duke e praktikuar atë.

Programin e tyre zyrtar, do ta plasojnë para qytetarëve më datën 25 shtator, kur edhe fillon fushata.

Mirëpo, pak a shumë po dihen programet e secilës parti politike, përmes premtimeve të tyre të vazhdueshme në tubimet që po i mbajnë.

Përderisa PDK-ja si primare ka luftimin e krimit dhe korrupsionit, Vetëvendosja deklarohet se kjo punë është e kryer me të ardhur ata në pushtet dhe se do të përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës për të rinjtë që ata të mos e lëshojnë vendin,  LDK-ja prioritet po e ka dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa koalicioni AAK-PSD po e mban frymën e social-demokracisë.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Bytyçi: Fatkeqësisht vihet re një fushatë populiste

Prof. Dr. Enver Bytyçi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka folur lidhur me këtë temë, ku tha se asnjëra nga partitë politike nuk ka paraqitur ndonjë plan konkret për qeverisjen e ardhshme.

“Partitë politike në Kosovë janë në fushatë parazgjedhore. Ato janë në fushatë për mobilizimin e anëtarëve të tyre. Pas datës 25 shtator do të paraqesin platformën e qeverisjes dhe alternativën politike. Në fakt partitë politike do të duhej që platformën dhe programin e tyre të qeverisjes, nëse vijnë në pushtet, t’ia paraqesin edhe anëtarëve të tyre. Por kjo nuk po ndodh, ose po ndodh pjesërisht. Asnjëra prej subjekteve politike deri më sot nuk shoh të ketë shpallur ndonjë projekt konkret lidhur me qeverisjen e saj së paku për disa pika: - Për projektet ekonomike, sistemin e taksave dhe tatimeve, politikat për pagat e pensionet, politikat sociale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, punësimin dhe investimet e huaja e kështu me radhë. - Për masat juridike e ligjore për reformat administrative, ekonomike, financiare dhe reformimit të sistemit gjyqësor, me qëllim krijimin e një atmosfere pozitive për investimet vendase dhe të huaja. - Për politikat e integrimeve euro-atlantike dhe mënyrat si do të çohen këto procese përpara. - Për forcimin e shtetësisë së Kosovës, për dialogun me Serbinë. Në këtë pikë qytetarët do të donin të dinin se cili është qëndrimi dhe zgjidhja që propozon secila nga subjektet politike”, tha ai.

Ai ka analizuar fushatën e partive politike, teksa ka thënë se vihet re një fushatë populiste.

“Fatkeqësisht vihet re një fushatë populiste. Sipas meje janë tri kategori pikëpamjesh në këtë fushatë elektorale: Së pari, partitë politike që janë pjesë e problemit dhe e krizës, të cilat bëjnë një fushatë elektorale sikur vijnë nga një planet tjetër. Këtu kam parasysh Partinë Demokratike, e cila është shkaktare e korrupsionit dhe vjen në fushatë me sloganin e luftës kundër korrupsionit. Është njësoj si në atë përrallën se ‘Macja nuk i ha mëlçitë, edhe pse i mban të varura në qafën e saj’! Partia Demokratike duket se nuk guxon të ballafaqohet me pikëpamjet e themeluesit të saj, presidentit të vendit, Hashim Thaçit për idenë e ndryshimit të kufijve. E për t’i ikë këtij problemi me të cilin u ballafaqua, merret me diçka hipotetike. Së dyti, Fushata elektorale nuk ishte e papritur. Dihej se qeveria Haradinaj do të rrëzohej, sepse nuk kishte zgjidhje tjetër për konfliktin thelbësor midis presidentit dhe kryeministrit, midis dyshes destruktive Thaçi-Rama nga njëra anë dhe Ramush Haradinajt dhe mbështetësve të tij në mbrojtje të territorit të Kosovës. Por edhe pse e dinin këtë, partitë politike nuk u morën me programet dhe alternativat e qeverisjes së ardhshme. Thuhet se zgjedhjet e 6 tetorit do të shënojnë një epokë të re. Nëse shohim shpalosjen e programeve të derisotme, kjo nuk perceptohet kësisoj. Thuhet se Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosja, nëse vijnë të dyja në pushtet, do të shënojnë kthesën e madhe. Por unë nuk shoh që LDK të shfrytëzojë pikat e saj të forta për t’u paraqit si alternativë krejt bindëse dhe këto pika janë institucionalizmi dhe aftësia shtet ndërtuese si dhe aftësia për drejtimin efektiv të ekonomisë. Por as Vetëvendosja nuk po i përmbahet sa duhet pikës së saj të fortë, pastërtisë morale në raport me qeverisjen, duka proklamuar bindshëm premtimin për luftën kundër korrupsionit. Në të dy rastet nuk e kam fjalën për reklamën, por për mungesën e argumentit se si do të realizohen këto objektiva. AAK vijon me alternativën 100 për qind shtet, si dhe me rritjen e pagave dhe pensioneve. Por nuk po merret me atë se si do ta ndërtojë shtetin edhe funksionalisht, jo thjesht në raportet e Kosovës me Serbinë. Ndërsa partitë politike tjera, PDK, Nisma, AKR, nuk besoj se kanë ndonjë pikë të fortë, përveç synimit që me një deputet në parlament të marrin nga dy-tri ministri! PDK jep ministri, por nuk ka më çfarë të japë si alternativë. I ka shteruar të gjitha resurset e saj në shtet shkatërrim. Kjo falë destruktivitetit të themeluesit të saj, Hashim Thaçi”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat