Vjosa Osmani apo Albin Kurti?

Politika

Vjosa Osmani apo Albin Kurti?

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 19 shtator 2019 Në ora: 11:13
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Ndonëse fushata zgjedhore akoma nuk ka filluar zyrtarisht, partitë politike kanë nisur mobilizimin dhe deklaratat pro vetës dhe kundër tjetrit.

Kandidatët potencial për kryeministër të Kosovës, kanë filluar fushatat dhe takimet e ditëpërditshme me qytetarë gjithandej nëpër Kosovë.

Sondazhet e shumta të realizuara, tregojnë një konkurrencë mjaftë të ashpër ndërmjet partive politike, përkatësisht kandidatëve për kryeministër, për zgjedhjet e 6 tetorit.

Hoti: Vjosa Osmani po e mbizotëron fushatën

Image
Avdullah Hoti

Avdullah Hoti, zyrtar i LDK-së, njëherit dhe kandidat për deputet nga radhët e kësaj partie, për “Bota sot”, ka deklaruar që Vjosa Osmani është duke e mbizotëruar fushatën.

Ai, po ashtu, shtoi se ditëve  të fundit Osmani ka filluar edhe me çështjet programe të LDK-së, duke qartësuar për votuesit se çfarë do të ndërmerret që nga dita e parë e qeverisjes.

“Pa asnjë dyshim se znj. Osmani është duke e mbizotëruar këtë fushatë. Ditëve të fundit ajo ka kaluar në çështjet programore të LDK-së, në atë se çfarë ne do të ndërmarrim nga dita e parë e qeverisjes”, tha ai.

Më tej, Hoti theksoi se në ditët në vijim, kjo formë e paraqitjes së znj.Osmani do të intensifikohet, në mënyrë që të gjithë qytetarët të dëgjojnë dhe kuptojnë për politikat programore të qeverisë së ardhshme.

Rrahmani: Albin Kurti, kandidati më serioz për kryeministër

Image
Eman Rrahmani

Eman Rrahmani, kandidati i Vetëvendosjes për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, për “Bota sot”, ka thënë se fushata zgjedhore në Kosovë, nuk janë zgjedhore por janë populizëm i pastër, duke shoqëruar me akuza ndaj njëri-tjetrit. Akuza këto, që sipas Rrahmanit, kanë qëllim uljen e dinjitetit personal të tjetrit.

“Fushata zgjedhore në Kosovë zakonisht nuk janë programore, ato janë më shumë populiste e me akuza ndaj njëra tjetrës, akuza që më shumë kanë qëllimin e uljes së dinjitetit personal se sa ofrimin e ndonjë programi për qeverisës. Prej shumicës së kandidatëve nuk kemi ndonjë program ku ka ofertë për qytetarët që do të kishte zhvillim ekonomik, që do të kishte përmirësim në arsim, në shëndetësi në bujqësi. Kemi retorika të përditshme e që besa edhe pazare me vota, kjo është mënyra që mendojnë të mbijetojnë”, tha ai.

Rrahmani, theksoi se i vetmi kandidat serioz me program konkret në këto zgjedhje është Albin Kurti.

Përderisa kandidatët tjerë shfrytëzojnë fuqinë e tyre që kanë ndaj të punësuarve në sektorin publik, Albin Kurti po i përmbush sallat e oborret e shtëpive me mbështetje popullore.

“Të vetmin kandidat serioz e më program konkret në këto zgjedhje e kemi Albin Kurtin. Albini në krahasim me kandidatët e tjerë për mua është në një nivel tjetër, si për nga përgatitja ashtu edhe për nga ofrimi i zgjidhjeve për problemet e qytetarëve. Përderisa kandidatë e tjerë po e shfrytëzojnë fuqinë e tyre që kanë ndaj të punësuarve në sektorin publik, duke i detyruar të dalin në tubime. Albin Kurti po i mbushë sallat e oborret e shtëpive me mbështetje popullore në secilën qytet, e në secilin fshat. Kjo mbështetje kurrë nuk ka qenë kaq e madhe për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe për Albin Kurtin Kryeministër”, tha ai

Krasniqi: LDK dhe VV po bëjnë gabim që PDK-në e kanë nxjerrë jashtë loje. Vota e tyre

Image
Faik Krasniqi

Faik Krasniqi, analistë dhe njohës i rrethanave politike, për “Bota sot”, ka thënë se deri më tash, votuesi potencial nuk ka parë asgjë konkrete që përkon me nevojat e qytetarëve të vendit.

Ai, tha se premtimet e politikanëve, respektivisht kandidatëve për kryeministër, nuk përputhen me realitetin në Kosovë.

“Deri më tash nuk kemi parë nga asnjë kandidatë për kryeministër diçka konkrete për nevojat e qytetarëve, përveç akuzave dhe kundërakuzave. Premtimet e tyre janë fantastiko-shkencore, por jo që përputhen me realitetin në Kosovë. Edhe ata e dinë qe po gënjejnë kur bëjnë premtime të tilla. Por jemi mësuar me premtimet e tyre gjatë fushatave zgjedhore. Siç ka thënë Stalini: Politikanët ta premtojnë urën edhe aty ku s’ka lumë”, tha Krasniqi.

Më tej, Krasniqi, shtoi se në bazë të fushatave që po zhvillohen këto ditë, nuk sheh ndonjë fitues potencial. Megjithatë, jep pak hapësirë për Vetëvendosjen, ndonëse, siç tha Krasniqi, Vetëvendosje do të duhej që të mos e anashkaloj PDK-në. Sepse, siç tha ai, për sa kohë PDK-ja ishte në pushtet, janë kujdesur për votat e tyre, qoftë me punësime apo favore të tjera.

“Nuk shoh asnjë kandidatë fitues në bazë të fushatave të tyre. Por LVV për një nuancë e shoh fituese të këtyre zgjedhjeve sepse s’kanë qenë kurrë në pushtet. LDK dhe VV po bëjnë gabim që PDK-në e kanë nxjerrë jashtë loje. Vota e tyre është votë interesi dhe shumë e qëndrueshme. Për 12 vite sa janë në pushtet, ata janë kujdesur për votat e tyre, qoftë me punësime e qoftë me favore të ndryshme. Sidoqoftë, kjo s’ka shumë rëndësi. Edhe pas zgjedhjeve fitoi kush fitoi, nuk pres ndonjë mrekulli. Vendi të vazhdojë të braktiset nga qytetarët, mjerimi do vazhdojë dhe ne do vazhdojmë të vdesim nëpër spitalet e shkatërruara nga ta. Ne votojmë, ata pasurohen. Ne votojmë, ata ngriten në karrierë. Ne votojmë, ata jetojnë në luks. Ne i dërgojmë fëmijët në shkolla publike në vend, ata i dërgojnë në shkolla jashtë shtetit. Ne vdesim nëpër spitalet shtetërore, ata me paratë tona shërohen jashtë shtetit”, tha Krasniqi.

Dauti: Deri tash duket që Albin Kurti prinë dukshëm në debate

Image
Daut Dauti

Nga ana tjetër, publicisti dhe pjesëtari i Vetëvendosjes Daut Dauti, për “Bota sot”, tha se kandidatët për kryeministër kanë bërë fushatë mjaftë intenzive.

Për Dautin, është Albin Kurti ai që po prinë në sondazhe. Madje, siç njoftoi Dauti, Vetëvendosje do ta bëj publike edhe plan programin qeverisës për qeverinë që do të krijohet pas zgjedhjeve të tetorit.

“Kandidatët për kryeministër deri tash kanë bërë fushatë mjaftë intenzive. Por, gjatë ditëve të ardhshme pritet inensifikimi i aktiviteteve pasi që programet e partive politike do të publikohen. Ta zëmë, sot bëhet aprovimi dhe publikimi i programit të LVV. Deri tash duket që Albin Kurti prinë dukshëm në debate. Përparësia e tij nga sot, pas publikimit të programit, pritet të rritet akoma më shumë”, tha ai.

Gecaj: Këtë herë Kosova do të votojë LDK-në dhe Vjosa Osmanin si në kohën e Ibrahim Rugovës

Image
Bajram Gecaj

Që Vjosa Osmani është e vetmja kandidate serioze për kryeministre, brenda karakterit të saj konstant dhe konsistent, vijë moderne të LDK-së, vazhdon të jetë Vjosa Osmani është edhe zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj.

Gecaj, për “Bota sot”, ka thënë se është i bindur se Vjosa Osmani do të shënoj fitore si në kohën e Ibrahim Rugovës.

“I vetmi kandidat/e që po zhvillon fushatë brenda karakterit të saj konstant e konsistent, vijës tradicionale dhe asaj moderne të LDK-së, por mbi të gjitha në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është Vjosa Osmani. Prandaj jam i bindur dhe i sigurt se këtë herë Kosova do të votojë LDK-në dhe Vjosa Osmanin si në kohën e Ibrahim Rugovës. Do ta bëjnë këtë për hir të sakrificës së gjeneratave të tërë, për hir të vendit dhe për hirë të ardhmërisë së sigurt të fëmijëve dhe familjeve të tyre”, tha ai.

Gecaj, tha se kandidatët tjerë nuk e kanë energjinë, as përkrahjen e as sinqeritetin e Vjosa Osmanit.

“Kandidatët tjerë nuk e kane as energjinë, as përkrahjen e as sinqeritetin e kandidates së LDK-së. Kadri Veseli, në stilin mbrojtja më e mirë është sulmi vet, mundohet dëshpërueshëm t’i bind qytetarët e Kosovës se krimin, korrupsioni dhe nepotizmin do ta largojnë ata të cilët kanë investuar vazhdueshëm në këto dukuri të shëmtuara tani e njëzet vite radhazi. Ramush Haradinaj mundohet te mbuloj gjithë paaftësinë dhe keqqeverisjen e tij me një tarifë (taksë) prej 100 përqindësh të vendosur ndaj Serbisë, pra, tenton t’u hedh hi syve popullit me një fushatë populiste në palcë, por krejtësisht shterpë në substance”, tha ai.

Ndërkaq, sipas Gecajt, Albin Kurti, për dallim nga mbulesa fiktive të cilën e përdor Haradinaj, tenton të përdor një mbulesë tjetër, atë psikologjike, për t’ua hedh qytetareve duke pretenduar se ai dhe lëvizja e tij kanë ndryshuar, se nuk janë më ata adoleshentët e dhunshëm, dhe se respektojnë shtetin dhe simbolet e Kosovës të krijuar me mund, djers e gjak.

“Megjithatë, populli thotë se “ujku ndërron qimen, por jo zanatin”! Është e qartë se tjerët pretendente nuk kanë as gjasat më të vogla për të fituar pozitën e kryeministrit të vendit, andaj edhe nuk po merrem me ta”, tha Gecaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat