Dialogu të udhëhiqet nga Presidenti apo Qeveria? Tregon Shahu

Politika

Dialogu të udhëhiqet nga Presidenti apo Qeveria? Tregon Shahu

Nga: G.B Më: 19 shtator 2019 Në ora: 15:14
Rexhep Shahu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është drejtuesi i dialogut Kosovë-Serbi.

Por, nëse LDK qeveris me vendin, dialogu nuk do të drejtohet nga ai por nga qeveria.

Kështu ka deklaruar kandidatja për kryeministre nga LDK, e cila ka thënë se dialogu  udhëhiqet nga qeveria e jo nga presidenti apo grupet negociatore, të cilat i ka quajtur artificiale.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se bisedimet nuk duhet të udhëhiqen nga kryeministri, por nuk duhet të vazhdojnë të udhëhiqen nga Thaçi.

“Posti i Presidentit të vendit është post me rëndësi dhe nuk ka pse bisedimet të udhëhiqen nga kryeministri, i cili si funksion jep raport para presidentit të vendit. Por bisedimet Kosovë -Serbi nuk mund të udhëhiqen më tutje nga presidenti Hashim Thaçi i cili pas këtyre zgjedhjeve duhet të shkojë të ruajë lopët në Burojë. Ai e derdhi kovën e tamlit duke luftuar me ia heq një copë toke Kosovës e me ia dhënë Serbisë në këmbim të asaj që Serbia e Vuçiqi ta quajnë djalë të mirë Hashimin”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, ai duhet të hiqet nga ai post për shkak të zvarritjes së bisedimeve, mos seriozitetit dhe për shkak të caktimit të grupit negociator.

“Për shkak të zvarritjes së bisedimeve, për shkak të mos seriozitetit të tyre, për shkak të caktimit të një grupi bisedor pa përgjegjësi politike dhe të pa miratuar nga gjithë faktorët politik por sikur janë ngarkuar me ble harxhet e dimrit për Kosovën, për shkak të zhagitjes së Kosovës dhe paqartësisë së krijuar nga presidenti tregtar territoresh, ai duhet hequr nga ai post, ose i duhen hequr gjithë kompetencat përse të shes dekorata e llamarina me tituj. Por bisedimet nuk mendoj se duhen udhëhequr nga qeveria edhe pse qeveria është pjesa themelore e biseduesve”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat