Si nuk i vjen turp Hisen Berishës që kaloi në PDK?

Politika

Si nuk i vjen turp Hisen Berishës që kaloi në PDK?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 23 shtator 2019 Në ora: 12:46
Hisen Berisha dhe Kadri Veseli

Kalimi i Hisen Berishës në PDK për shumë kë ishte befasi e dorës së parë. Befasi nënkupton që një gjë e tillë nuk ishte pritur për shumë arsye. Kjo, nisur nga e kaluara ku komandant Berisha ishte pjesë ushtarake e linjës së udhëhequr nga Ministra e Mbrojtës e Republikës së Kosovës. Faktikisht formacioni i kësaj linje ishte sa i urryer aq edhe i luftuar jo vetëm nga forcat serbe, por edhe ato shqiptare. Këto shqiptare fatkeqësisht udhëhiqeshin nga njerëz që sot janë në krye të PDK-së, ku nuk mungon as vet kreu i saj Kadri Veseli.

Mbase Hisen Berisha ka harruar se ishin njerëzit e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt që luftuan dhe vranë njerëz të FARK-ut. Këtë e pohoi para pak javësh edhe Armend Zemaj, nip i kolonelit Tahir Zemajt. Prandaj, është krejtësisht e pabesueshme dhe pashpjegueshme logjikisht që t’i bashkohesh një partie krerët e të cilëve dikur t’i kanë vrarë ushtaret tua. Për më tepër të bashkohesh me një parti gjoja “ për të mirën e Kosovës”, kjo përveç se s`ka logjikë, s`ka as moral as njerëzor dhe as profesional. Duke u munduar që të arsyetonte këtë veprim Hisen Berisha akuzoi LDK-në për një kapërcim të tij në PDK. Kjo duket sa qesharake të flitet nga një komandat i njohur nga lufta e fundit, kryesisht nga Betaja e Koshares.

Të akuzosh dikë për kalimin tënd në një parti “armike” lexohet sa injorante aq edhe naivitet. Guximi për të arsyetuar në mungesë të arsyes, të akuzosh dikë nuk pi ujë dhe as që duket në horizont e kapshme për njerëzit që të kanë mbështetur. I frikësuar nga humbja e mbështetjes dhe respektit nga qytetarët Hisen Berisha u mundua që topin e përgjegjësisë t’ia hidhte LDK-së. Mos vallë i tha LDK, shko tek Kadri Veseli apo LDK nuk i dha hapësirë. Asnjëra nuk qëndrojnë. Pavarësisht se mund të kemi kritika për LDK, të akuzosh tjetrin për gabimet tua nuk është aspak e ndershme. Hisen Berisha duhet të bëhet i sinqertë dhe të tregojë arsyen e vërtetë që e shtyri të shkoj te Kadri Veseli dhe Xhavit Haliti. Pikërisht ky i fundit njihet për organizimin e përndjekjes ndaj ushtarakëve të FARK-ut, pjesë e të cilës ishte edhe vet Hisen Berisha. Të shtunën që shkoi Hisen Berisha bëri homazhe tek kolonel Ahmet Krasniqi, ish ministri i Mbrojtjes i republikës së Kosovës.

Dihet se kolonel Krasniqi u vra nga shqiptarët, përflitet Feriz Kërrnaja i afërt i Hakjalave, të cilët thuhet se kanë maltretuar ushtarakët e FARK-ut. Gjithsesi, pavarësisht kësaj PDK asnjëherë nuk e ka njohur kolonel Krasniqin për ministër, dhe asnjëherë nuk i ka bëre respekt. Lirisht mund të themi se Hisen Berisha tradhtoi shokët e luftës, prandaj edhe Vjosa Osmani e injoroi, dhe me të drejtë, meqenëse të gënjesh dhe tradhtosh nuk është as vlerë dhe as e njerëzishme. Sado që mundohet të mbulojë turpin e tij, Hisen Berisha e ka të pamundur që të arsyetoj këtë kalim të turpshëm. Nëse jo në LDK ka pasur diku tjetër ku ka mundur të kyçet por jo në PDK.

Së paku jo në këtë PDK të sotme, ku ende të krye të saj janë ata që edhe në luftë më tepër luftuan FARK-un se Serbinë. Si dhe pas luftës, edhe agjencitë e huaja, e kanë cilësuar si organizatore të vrasjeve të pasluftës në mesin e tyre edhe Kolonel Zemajn, të cilin Hisen Berisha e kishte komandant. Ose Hisen Berisha paska qenë spiun brenda FARK-ut, ose Kadri i ka premtuar ndonjë post dhe tender?. Gjithsesi një gjë mbetet e pashlyer, Hisen Berisha tregoi fytyrën e vërtetë, u shit tek djalli! Pakti me djallin mbase i sjell përfitime materiale, por asnjëherë morale dhe njerëzore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat