Mbrojtja e territorit të Kosovës, detyrë themelore e qeverisë së ardhshme

Politika

Mbrojtja e territorit të Kosovës, detyrë themelore e qeverisë së ardhshme

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 shtator 2019 Në ora: 19:19
Foto ilustrim

“Kosovën s’ka pse ta tremb deklaratat e tilla që vijnë nga një politikan shovinist siç është Dodik, dhe ajo që i mbetët qeverisë së ardhshme të Kosovës, është përgatitja së më e mirë, argumentuese dhe bindëse për t'iu qasur procesit të dialogut me Serbinë, ku duhet të kërkohet që ky proces të jetë i afatizuar dhe në fund të rezultojë me njohje reciproke”, ka thënë opinionist Nexhat Haziri.

Anëtari i presidencës rotative të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, i ka ofruar Serbisë, Republikën Serbe dhe 4 komunat veriore të Kosovës.

Dodik, ka deklaruar dje se një prej opsioneve për të zgjidhur çështjen e Kosovës është që katër komunat e veriut të Kosovës, siç thotë ai, “t’i mbesin Serbisë”, ndërsa Republika Serbe e BeH-së të bëhet pjesë e Serbisë.

Por, si duhet të sillet Kosova karshi këtyre pretendimeve të Serbisë e në ketë mes edhe të Millorad Dodikut nga Bosnje e Hercegovina, dhe a është dëshmi se rreziku për ndarjen e Kosovës ende nuk ka kaluar?

Analistët politik vlerësojnë se një deklaratë që vije nga një politikan serb si Millorad Dodik është e pritur pasi ai vetëm e konfirmon atë se ëndrra e tyre për Serbinë e madhe akoma ekziston ende.

Sipas tyre, tani synimet i kanë në Bosnje dhe Kosovë, duke i shpallur si shtete jofunksionale, prandaj çdo ndarje e Bosnjës respektivisht Kosovës është realizim i planit serb.

Shahu: Dodikut nuk i dhemb për territoret shqiptare dhe serbe ku jetojnë, andaj dhe jep territoret shqiptare

Analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se asnjëherë që nga viti 1913 nuk ka qenë jashtë loje tema e rrezikimit të trojeve shqiptare nga gllabërimi serb e grek.

Sipas tij, në dy vitet e fundit në emër të paqes e stabilitetit u shtrua opsioni i dhënies territor shqiptar Serbisë dhe për herë të parë u shëmtuar një president shqiptar Thaçi si tregtar i trojeve shqiptare në këmbim të pushtetit dhe sigurisë personale të tij.

Image
Rexhep Shahu

“Dodik nuk i dhemb për territoret shqiptare ku jetojnë edhe serbe dhe ai i jep territoret shqiptare. Nuk është lajm që na çuditë. Por Dodik dhe të gjithë e dinë në thelb se kufijtë ku janë vendosë gjithmonë në luftë dhe gurët e kufirit janë vu nga “pleqtë”, nënkupto Fuqitë e mëdha. Dhe sa për ta pakësuar ende Kosovën se asaj ia ka marrë me shumë se gjysmën Serbia, por Serbisë i duhet të bëjë ende luftë me armë, i duhet që të vdesin edhe më shumë serbë, të derdhet edhe më shumë gjak serb për ta lëvizë kufirin”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Haziri: Nuk është diçka e papritur

Kurse, opinionisti Nexhat Haziri, ka pohuar se nuk është diçka e papritur një deklaratë që vij nga një politikan serb si Millorad Dodik, i cili vetëm e konfirmon atë se ëndrra e tyre për Serbinë e madhe akoma ekziston.

Sipas tij, këtu ka diçka të vërtetë në deklaratën tij dhe kjo është se pjesë e këtij projekti serb mbi ndryshimin e kufijve në Ballkan, që prekte në masë të madhe Kosovën ishin bërë edhe presidenti Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Image
Nexhat Haziri

“Megjithatë pas deklarimeve të Gjermanisë, por edhe të SHBA-ve dhe shteteve të tjera perëndimore me ndikim kundër çfarëdo korrigjimi kufijsh në Ballkan, dhe çfarëdo marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë mbi këtë bazë të ndryshimit të kufijve, rreziku për ndarjen e territorit të Kosovës tashmë thuajse është i vdekur, dhe me këtë edhe plani i ripërsëritur i Millorad Dodikut. Andaj Kosovën s’ka pse ta tremb deklaratat e tilla që vijnë nga një politikan shovinist siç është Dodik, dhe ajo që i mbetët qeverisë së ardhshme të Kosovës, është përgatitja së më e mire, argumentuese dhe bindëse për t'iu qasur procesit të dialogut me Serbinë, ku duhet të kërkohet që ky proces të jetë i afatizuar dhe në fund të rezultojë me njohje reciproke”, ka thënë opinionist Nexhat Haziri.

Duhanaj: Ishte plani famëkeq serbomadh, për realizimin e Serbisë së madhe ai që shkaktoj luftërat në ish Jugosllavi

Kurse, analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se ishte plani famëkeq serbomadh, për realizimin e Serbisë së madhe ai që shkaktoj luftërat në ish Jugosllavi.

Sipas tij, për ketë ide u bë gjenocid ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.

Image
Leon Duhanaj

“Qëllimi ishte shkëputje e një pjese të Kroacisë regjionit të Kninit i cili u çlirua me sulmin e famshëm kroat stuhia. Pastaj ishte pushtimi, respektivisht ndarja e Bosnjës, Kosovës dhe Maqedonisë. Malin e Zi e konsideronin si pjesë të vetën dhe e gjithë kjo filloj t'u dështoj në Kroaci. Në Bosnje fituan me Republika Serbska por për të ndryshuar kufij duhet të dështoj Bosnja si shtet. Mali i Zi u doli dorësh me ndihmën e Gjukanoviçit dhe fuqive perëndimore. Edhe Maqedonia të cilin synonin ta destabilizonin përmes Gruevskit, u dështoi”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, tani synimet i kanë në Bosnje dhe Kosovë, duke i shpallur si shtete jofunksionale, prandaj çdo ndarje e Bosnjës respektivisht Kosovës është realizim i planit serb.

“Për fat të keq, këtij plani i ndihmuan shumë shqiptarët. Duke filluar nga ata që nuk lanë gurë pa rrotulluar duke luftuar shtetësinë e Kosovës kinse nën synimin e "bashkimit kombëtarë". Ata që nuk lanë fond pa keqpërdorur, pasuri pa vjedhur e shpërdoruar. Pos kësaj shkatërruan çdo segment duke filluar nga drejtësia, arsimi, shëndetësia e deri tek kultura, e deri tek ata që viteve të fundit e promovuan shkëmbimin, korrigjimin apo ndarjen si opsion”, ka thënë analisti politik Duhanaj.

Ai konsideron se shqiptarët, e kanë vetëm një shans dhe atë duke e ruajtur shtetin e Kosovës dhe tërësinë territoriale ashtu siç e ruajtën me luftë.

“Nëse nuk janë unik, do të pendohemi me vonë, sepse serbet edhe nëse e ndajnë Kosovën, prapë do të mbeten prezentë në pjesën e mbetur. Kjo sepse shqiptarët me herët u kujdesen t'ua falin trashëgiminë kulturore ortodokse. Trashëgimi të cilën serbet do ta kontrollojnë dhe, në emër të së cilës do të qëndrojnë në Kosovë. Pra, e vetmja mundësi dhe zgjidhje e mirë për shqiptarët është mbrojtja e pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Kosovës”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

Krasniqi: Deklarata e Dodikut është një iluzion, sepse vetëm serbët janë në gjendje të krijojnë iluzione të tilla

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se Dodiku i ka ofruar Serbisë 4 komuna të Kosovës dhe kjo i bie sikurse një lider politik shqiptar i Maqedonisë, t'i ofrojë Kosovën Lindore Kosovës, ose Malin e Zi, Tuzin dhe komuna tjera shqiptare Shqipërisë.

Image
Faik Krasniqi

“Deklarata e Dodikut është një iluzion, sepse vetëm serbët janë në gjendje të krijojnë iluzione të tilla. Rreziku i ndarjes së Kosovës nuk vije nga deklaratat iluzionistë të një hiçi si Milorad Dodik, por rreziku i ndarjes ose të një shkëmbimi territori vij nëse është interes i fuqive të mëdha botërore”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat