Një fushatë ndryshe e LDK-së

Politika

Një fushatë ndryshe e LDK-së

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 25 shtator 2019 Në ora: 10:26
Kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani

Loti i Agim Veliut, në prezantimin e Vjosës në Podujevë, përloti ndjenjatarët e LDK-së. Puthja e Vjosës nga Lutfi Haziri, si vëllai motrën, në prezantimin e saj në Gjilan, është domethënëse dhe flet për pendesën e Lutës, në qëndrimet e hershme ndaj saj. Duam të besojmë se sjelljet fisnike të dy nënkryetarëve të LDK-së, janë të sinqerta, madje, të shprehura ndjeshëm, bindshëm dhe botërisht. Rrjedhimisht, skepticizmi medial është i sponsorizuar nga kundërshtarët politikë të LDK-së.

Kuvendi i 9-të Zgjedhor i LDK-së, nuk përmbushi pritjet e anëtarësisë. Përkundrazi, ishte një zhgënjim i radhës. Përveç përbërjes pozitive të Këshillit të Përgjithshëm, por, jo edhe pa mangësi, asgjë të re! "Zgjedhja" e Kryesisë dhe sidomos statusquoja në Kryesinë e ngushtë, dëshpëruese. "Lindja e vështirë" e kandidates për kryeministre, sa ngushëlluese, aq edhe stresuese. Një rebus i zorshëm.

Retrospektivë:

Viti 25 maj 2015. Kuvendi i 8-të Zgjedhor i LDK-së. Delegatët e Degës të LDK-së në Gjermani, u bllokuan në hyrjen e Hotel "Emerald". E para nga Kuvendi farsë doli e mllefosur Vjosë Osmani, pasi kushti monstrum 50+1, i pamundësoi garën për kryetare të LDK-së. Kundër këtij kushti kishte reaguar edhe kuadri i hershëm i Presidentit Rugova, Rexhep Gjergji, i cili lëshoi sallën e "Kuvendit". Reagime kishin bërë edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ish-kryetari i LDK-së dhe i Kolegjiumit të Degëve në Diasporë, Hafiz Gagica.

Por, një zonjë e Kryesisë kishte ndërhyrë, me porosi: "Mos ia prishim hijeshinë këtij Kuvendi me debate!" Dhe, ndryshoi rrjedha kuvendore, duke vazhduar me emërime, për t`i lënë jashtë strukturave të partisë të rebeluarit e arsyeshëm. Ata (ato) u akuzuan, padrejtësisht, si "populistë, egoistë, karrieristë, anarkistë!" Ndërkohë që ata kërkonin reforma e demokraci të mirëfilltë partiake.

Viti 2017. Fushata përmbyllëse zgjedhore në Istog. Një mjedis festiv, i stolisur me banderola e flamuj. Muzikë e përzgjedhur. Radha e parë dhe e dytë, të rezervuara për figura qendrore e lokale. Mua më ishte caktuar radha e dytë, aty, ku ishin ulur edhe deputetët. Hyrja e Vjosa Osmanit dhe e Anton Qunit, spontanisht, u pritën me duartrokitje. Kaluan para karrigeve të para, edhe ende bosh, ishin të rezervuara. Vjosa kaloi gadi në cep të radhës, pa zënë vend. Përfitova nga mundësia e lëvizjes, i fola, e putha në të dy faqet, në shenjë mbështetjeje e kurajimi. Një nip i imi, në kujdestarinë shërbyese të fushatës, i bëri vend Vjosës. Në mbrëmje ajo foto, e marrë nga Facebook-u i Vjosës, më erdhi në e-mail-in tim nga mbesa Erblinë dhe nusja ime.

Anatema, e shoqëruar me denigrim, krejt e pazakonshme për LDK-në e Ibrahim Rugovës, kundër të të ashtuquajturit "grupi i të rinjve", por, në fakt, ka edhe të grup-moshave tjera, veç kishte filluar, për të mos thënë, kulmuar.

"Bilbil ky shekull orë e çast ndërrohet..." ofshante i urti Mjedë.

Vjosë Osmani fillon turin e takimeve me anëtarësinë e LDK-së, në cilësinë e kandidates për kryeministre. Fjalime përgjithësuese, entuziaste, mirëpritëse, por, jo edhe programore të mirëfillta. Ndoshta të justifikueshme, meqë nuk ka filluar zyrtarisht fushata.

Begatimi i fushatës me elemente shtesë

Andaj, lypset bërë një fushatë ndryshe. Përgjithësimi me akuza për partinë si të tërë, nuk është e shëndetshme për një kryeministre të ardhshme, sepse ajo duhet të jetë kryeministre e të gjithë popullit të Kosovës. Vërtet, nuk justifikohet populli që mbron e voton kriminelët, por, megjithatë, kritika duhet përqendruar tek krerët, banda e PDK. Kështu duhet vepruar edhe për banditët në krye të AAK-së. Dhe, faktet janë sa të bollshme, aq edhe të trishtime, ngase është përgjakur Kosova, me gjakun e ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe të veprimtarëve të shquar të LDK-së pikërisht, nga bandat e partive të koalicionuara në PAN.

Acarimin me Vetëvendosjen e duan PAN-istët kriminelë, për ta thelluar, pakthyeshëm, në pajtim e koalicionim. Teza e bashkimit kombëtar, e proklamuar, zëshëm e bujshëm, nga Vetëvendosja, në kushtet aktuale, është një përrallë sa dëmshme, aq edhe e kushtueshme për Kosovën. Sepse, i jep shansin, më saktë, favorizon kërkesa e Serbisë, për ndarjen e Kosovës. Veç kësaj, shqiptarët nuk janë të përgatitur, ende, për një proces të tillë, sepse ata nuk kanë arritur të dakordohen, të merren vesh, për çimenton, patatët, vezet dhe, së fundi, taksën plaçitëse të rrugës së "Kombit", nga paranojaku Edvin Rama.

Qëndrimi i Vetëvendosjes, më saktë, i Albin Kurtit, ndaj Gjykatës Speciale, EULEX-it dhe të Qendrave të Vendosjes Ndërkombëtare, është vajtuese. Mosmirënjohja ndaj çliruesve faktikë të Kosovës, është turpëruese për popullin e Kosovës dhe të shqiptarëve botërorë.

Kjo është një huazim ideologjik i Enver Hoxhës, i cili, për shkak të krimeve të bëra qysh gjatë luftës, me porosi të emisarëve kriminelë jugosllavë, njësoj sikur krerët PAN-istë, e kushtëzoi koracimin stalinist, për ta ruajtur lëkurën e tij, me sundimin e hekurt, vrasje e burgje masive.

Megjithatë, kjo duhet shmangur edhe për arsye shtesë: Na ishte një kohë kur Vetëvendosja ishte e vetme në mbrojtje të Republikës. Ndërkohë që, LDK-ja ishte e njëzëshme me PDK-në, në veprimet fatale për Kosovën: "Zajednica", Demarkacioni, Hashimi - president, Kadrija - kryeparlamentar, e tjetra.

Përrallisjet e Ramushit për korrigjimin e demarkacionit, i demanton ultimatumi zyrtar malazez, për rrënimin e staneve bjeshkore, kundrual Kullës së Zhlebit. Llogarisni sa ka kushtuar posti i kryeministrit të rrëmujshëm, arbitrar dhe, tërësisht, dështak?!

Vërtet, Vetëvendosjes i mungon drejtë-orientimi, madje, edhe drejtë-peshimi. Dhe, vetëm koalicioni me LDK-në, do ta ndihmonte për emancipimin e saj bashkëkohor. Do të përfitonin, reciprokisht, LDK-VV. Por, e favorizuar do të ishte Vetëvendosja, sepse do të nismonte profilizimi i saj. Dhe, që këtej, do të fitonte edhe Kosova, duke fituar një forcë politike serioze, aq më parë, kur kjo është një parti e dominuar nga rinia, e ardhmja e Kosovës.

Tashmë, duke u kursyer në përgjithësime, Vjosë Osmani duhet të shpalosë parësitë programore të LDK-së në qeverisjen e ardhshme.

Skepticizmi i opionistëve në media, se Vjosë Osmani është nën vartësinë e klanit Mustafa, tashmë, është zvetënuar, në mos tejkaluar. Kryetari Isa Mustafa, në kërkim të përmirësimit të imazhit, fort të rrënuar, më në fund, u dorëzua, lehtësisht, me justifikimin se Vjosa është dashuria numër 1 (një) e anëtarësisë të LDK-së, madje, e duan, jo më pak se kryeministre.

Loti i Agim Veliut, në prezantimin e Vjosës në Podujevë, përloti ndjenjatarët e LDK-së. Puthja e Vjosës nga Lutfi Haziri, si vëllai motrën, në prezantimin e saj në Gjilan, është domethënëse dhe flet për pendesën e Lutës, në qëndrimet e hershme ndaj saj. Duam të besojmë se sjelljet fisnike të dy nënkryetarëve të LDK-së, janë të sinqerta, madje, të shprehura ndjeshëm, bindshëm dhe botërisht. Rrjedhimisht, skepticizmi medial është i sponsorizuar nga kundërshtarët politikë të LDK-së.

Fushata e kandidates për kryeministre të Kosovës, Vjosë Osmanin, duhet të begatohet edhe me premtime, që do ta rikthejnë frymën rugoviane në LDK-e, që, tashmë, është bjerrur, duke mbetur vetëm si një kujtim nostalgjik, i një të kuluareje jo shumë të largët:

1) Vjosë Osmani duhet të premtojë, hapur e botërisht, se do të punojë me ekip dhe jo me klan;

2) Se do të nismojë ndryshimin e statutit të LDK-së, duke hequr kushtin monstrum 50+1, për zgjedhjen e kryetarit të LDK-së;

3) Do të aplikojë, zbatojë, domosdoshmërish, tri parimet bazë të demokracisë:

a.- debatin e gjerë, të shpenguar në të gjitha strukturat e partisë;

b.- konkurrencë e ndershme, për të gjitha strukturat e partisë;

c.- votimi i fshehtë demokratik, për të gjitha strukturat e partisë.

Kryesia aktuale e LDK, bombë e kurdisur

Fushatës të LDK-së i mungon veprimtarja e suksesit cilësor, Donikë Gërvalla. Dhe, ky është paradoks dhe difekt i madh i kësaj fushate, tejet e rëndësishme partiake. Nevoja e kooptimit në Kryesinë Qendrore, të Donikë Gërvallës, do të ishte parakusht për praninë e saj në fushatën aktuale.

Gjithashtu, kooptimi i kryetarit të Degës të LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi, në Këshillin e Përgjithshëm, është sa i ligjshëm, aq edhe i nevojshëm. Sepse veprimtarët e Mërgatës janë vlerë. Ata nuk e pranojnë hilenë e hipokrizinë. Kanë guximin qytetar, për ta denoncuar të ligën, të keqen, qoftë edhe të vetmuar, në kundërshti me heshtjen tufëzuese, qyqare, mjerane.

Kjo u provua edhe në Kuvendin e 9-të Zgjedhor të LDK-së, kur delegati i nga Dega e LDK-së në Gjermani, autori i këtij shkrimi, reagoi, madje, fuqishëm, 6 (gjashtë) herë, përgjatë Kuvendit, në kundërshti të veprimeve kundra-demokratike të Kryesisë së punës kuvendore. Dhe, gjithherë, përfaqësonte të drejtën absolute.

Çuditërisht, duartroikitej kundërshtia e tij ndaj klanit, drejtues të punës kuvendore. Por, hipokrizisht, po ata delegatë të Kuvendit, në tufëzim blegëtor, votonin veprimet arbitrare e skandaloze të Kryesisë klanore!!!

Në takimin tonë me kryetarin Isa Mustafa, ai kërkoi unitet në LDK-e. Por, uniteti nuk bëhet me fjalë e sofizma, por, me fakte e veprime konkrete. Normalisht, kandidatët në garë, brenda një subjekti, humbësi bëhet i dyti i partisë. Thyerja e këtij kodi, të Sejdiut për Dacin, i kushtoi shumë LDK-së dhe atij, personalisht. Nga ky pësim, Isa Mustafa, duhet të mësojë, edhe pse Fatmir Sejdiu nuk është humbës, ngaqë nuk është provuar me votën e fshehtë demokratike. Rrjedhimisht, Profesor Fatmir Sejdiu duhet të kooptohet në Kryesinë e LDK-së dhe prania e tij në fushatë, fisnikëron LDK-në.

"Po të bëhesha edhe një herë nuse, do të dija si të nusëroja",- fjalë sa përmallëse, aq edhe penduese të plakës apo plakave. Dhe, vërtet, ish-kryetari Fatmir Sejdiu është denoncuesi, fort i saktë, i të gjitha devijimeve nga rugovizmi i suksesshëm e klasik i LDK-së, që bëri Isa Mustafa me klanin e trashëguar, por, rrastë të konsoliduar, që i kushtoi shumë LDK-së dhe Kosovës.

Është një fiksim kamere, kur mendja e zgjuar e Profesor Sejdiut, e nuhati se lista seleksionuese e Këshillit të Përgjithshëm, nën ndikimin e klanorëve të tij, është fatale, andaj, provoi ta zhbënte. Por, pengohet nga klanori i fuqishëm, duke e pushtuar për krahu dhe stopuar, për të vazhduar me listën shkaktare të ndarjes të LDK-së.

Përvoja prej 6 (gjashtë) dekadash në rrjedhat e politikës së brendshme dhe të jashtme, opinioni dhe veprimet e mia politike, se pavarësisht travajave e vuajtjeve personale, duke lënë modestinë me një anë, unë isha gjithherë në anën e së drejtës. Dhe, kjo ka qenë dhe mbetet ngushëlluese për mua, pa menduar kurrë për pendesë.

Prandaj, jam fort i bindur, për gjithçka që sugjeroj për mikën time dinjitoze e njerëzore, Vjosë Osmani. Ajo asnjëherë nuk bëri kompromise, në kundërshtim me parimet e saj. Tashmë, Vjosa jonë është dëshmuar si ndjekëse, mbrojtëse e denjë, e rreptë e vizionit të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Urojmë për suksese Vjosën, LDK-në, Kosovën, sepse fiton Vjosa, fiton Kosova!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat