LDK-ja është e ndërtuar mbi themele të mira

Politika

LDK-ja është e ndërtuar mbi themele të mira

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 26 shtator 2019 Në ora: 08:32
Vjosa Osmani

Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] është emri i partisë më të mirë, më demokratike, më të qytetëruar e më paqësore në Kosovë e në rajon.

Është e vetmja parti me kuadro të bollshme, me plot njerëz të aftë, me një grua të votuar nga 80 mijë njerëz, me një demokraci të brendshme që s’e ka asnjë parti tjetër në mbarë Ballkanin. Hajt, nëse mendoni që po ekzagjeroj, gjejeni një të vetme. Në Kroaci nuk ka. Lëre më, në Serbi, Greqi, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Shqipëri apo Bosnje e Hercegovinë.

LDK-ja ia doli të kalonte nëpër kohëra tepër të këqija. Nuk ishte aspak e kollajshme të duroje gjithë presionin që e bënte regjimi i Millosheviqit në vitet ’90. Shumë e shumë njerëz po e anatemojnë frymën Rugoviane këto ditë, duke dashur të dëgjojnë fjalë të mëdha nga Milaim Zeka, Nasim Haradinaj, e njerëz të sojit të tyre. Ai promovoi paqen e përbashkimin. Promovoi punën e palodhshme. Jo fjalët e tepërta. Jo acarimet. Jo ‘nxehjen në çaj’.

Dhe, edhe pse kishte plot hajvanë edhe brenda LDK-së, se fundja ky popull nxjerr njerëzit sipas kutit të vet, kjo frymë u ruajt e u kultivua.

Ndërkohë që partitë e tjera, matur me kandarin e LDK-së nuk janë përnjëmend askund. PDK-ja, AAK-ja, NISMA e AKR-ja shërbejnë për të krehur egot e disa njerëzve të shqetësuar me personalitetin e tyre. E disa njerëzve krejt të pagdhendur që nuk kanë kapacitet për të menduar përtej hundës së tyre. PDK-ja e kriminalizoi vendin aq shumë, sa shpresat e një pjese të madhe të njerëzve për t’i ikur varfërisë e për të çelur mundësi e perspektivë, kanë mbetur në korrupsion. Qytetarëve u janë lënë dy rrugë: ose të kalben në varfëri e të mos mund të përparojnë kurrqysh. Ose, tjetra, t’ia mësyjnë formave korruptive dhe të bëhen njësoj si ata.

Nuk ka tru Hashim Thaçi, e asnjëri prej të tjerëve që i kanë personalizuar partitë njësoj si telefonët, që të mendojnë për të ardhmen shtetërore, për të ardhmen shoqërore. E LDK-ja, pavarësisht incidenteve që mund të ndodhin, shtyrjeve me bërryla, ndërskamsave, intrigave – ka ruajtur me xhelozi e fanatizëm mundësinë për të menduar se çka do të ndodh me vendin në të ardhmen.

E këtu na del në rrugë Vetëvendosja. Qysh ta klasifikojmë këtë parti? Jo, ata nuk janë kriminelë. E gënjejmë veten nëse themi diçka të tillë. Nuk janë të korruptuar. Mund të jenë ndonjë aty-këtu, por s’e meriton Kurti të quhet i korruptuar. E as Glauku.

Por, problemi është që këta i kanë neutralizuar zërat kundër.

E në këtë pikë, të dashur miq, qofshi edhe militantë të partive tjera, ju pajtoheni me mua: LDK-ja ka themele të mira. E këto themele, ia vuri presidenti ynë i papërsëritshëm, z. Ibrahim Rugova. Rugova ishte më i madhi ndër të gjithë politikanë, dhe ne edhe sot me LDK-në, mund ta shohim punën e tij të heshtur e vetëmohuese, të përulur e efikase. Bravo të qoftë more burrë, se s’di nga na dole kaq i madh!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat