Veriu i Mitrovicës harrohet nga partitë politike

Politika

Veriu i Mitrovicës harrohet nga partitë politike

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 shtator 2019 Në ora: 19:08
Lugina e Diellit

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë hapur fushatën zgjedhore në qytetin e Mitrovicës. Pak kilometra larg qendrës së Mitrovicës, në pjesën veriore të saj, ndodhet lagjja e ashtuquajtur “Lugina e diellit”, e ndërtuar për serbët që nuk kanë qenë banorë të përhershëm të asaj pjese.

Me një fjalë, veriu po kolonizohet serbë ardhacakë dhe kjo po ndodhë tash e sa vite, derisa institucionet e Kosovës janë treguar të pafuqishme që ta ndalin.

Njohës të çështjeve politike dhe juridike, konsiderojnë se heshtja e partive politike karshi kolonizimit të veriut që po ndodhë përmes ndërtimit të shtëpive dhe sjellës së banorëve të ri serbë në lagjen Lugina e Diellit, po ndodhë për shkak se veriu i Kosovës kurrë s’ka qenë prioritet i tyre.

Barani: Kolonizimi dhe spastrimi në pjesën e okupuar të Mitrovicës, përkatësisht Kosovës, ka filluar me 26 qershor 1999

Kryetari i Këshillit rajonal për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Komunën e Mitrovicës, Halit Barani ka thënë se sa i përket kolonizimit, përkatësisht spastrimit etnik të pjesës së okupuar të qytetit të Mitrovicës, kjo s’është fare risi, pasi spastrimi i asaj pjesë, përkatësisht kolonizimi nuk ka filluar sot. “Kolonizimi dhe spastrimi në pjesën e okupuar të Mitrovicës, përkatësisht Kosovës, ka filluar me 26 qershor 1999 kur në urën kryesore të lumit Ibër, ushtria franceze i pat vënë telat gjembor dhe që atëherë filloj dëbimi me dhunë i shqiptarëve nga pjesa e okupuar e qytetit të Mitrovicës, përkatësisht Kosovës nga ushtria, policia, paraushtaraket dhe civilët e armatosur çetnik serb të ndihmuar edhe nga një pjesë e ushtrisë (KFOR-it) Francez. Për këto nëse i keni përcjellë atë kohë tregojnë raportet ditore, javore, mujore dhe vjetore të KMDLNJ, Qendra Rajonale në Mitrovice. Vazhdimisht ka raportuar për KMDLNJ në Prishtinë”, ka thënë Barani. Sipas tij, KMDLNJ, Qendra Rajonale në Mitrovicë rrallë ka pasur edhe reagime të ashpra dhe ju ka bërë thirrje jo një herë udhëheqjes së Republikës së Kosovës që të bëjnë trysni tek Bashkësia Ndërkombëtare që të ndalin dëbimin me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, nga pjesa e okupuar e Mitrovicës, përkatësisht Kosovës. “Një gjë dihet saktësisht se Serbia vazhdimisht ka punuar për spastrime etnike, përkatësisht për asimilimin e shfarosjen e shqiptareve ndërsa një pjesë e udhëheqjes së Republikës së Kosovës edhe në kohën kur vriteshin shqiptarët rrugëve, nëpër shtëpi të veta, nëpër lokale të ndryshme ata bashkëpunofshin me bandat kriminelë çetnike serbe. Madje të tillët edhe i amnistuan të gjithë kriminelët, dhe i punësuan nëpër institucione të ndryshme në Kosovë, ku sot e asaj dite punojnë në Republikën e Kosovës të cilën nuk e njohin e punën kryesore e bëjnë për Serbinë, përkatësisht Beogradin. Vlen te përmenden dy raste, menjëherë pas lufte, në ditët e para kriminelët çetnik serb i pushkatuan vëlla e motër Sherife (16) dhe Blerim (25) (Beqë) Abdyli në Cerajë të Zubipotokut. Dhe jo që i pushkatuan por edhe i sakatosën duke i coptuar me sakica në shtëpi të tyre, me 3 dhe 4 shkurt 2000. Po ashtu kriminelët çetnik serb, brenda nëpër banesa të veta i pushkatuan : Muharrem Sokoli (51), Nezir (61) e Shqipe (54) Voca, Selime Berisha (60), Remzije Canhasi (56), Nderim Ajeti (13), Sebaha Abrashi (50), Negjmije Xhaka (44), Bashkim Rrukeci (38) dhe Niman Sejdiu (52). Madje kjo masakër ka ndodhur pas lufte në prani të ushtrisë franceze dhe policisë së UNMIK-ut. Ku për këtë masakër është dënuar vetëm një kryekriminel serb”, ka thënë Barani. Ai më tej ka shtuar se në periudhën kohore 4 shkurt 2000 prill nga pjesa e okupuar e qytetit të Mitrovicës, janë dëbuar me dhunë nga bandat kriminele çetnike serbe 1564 familje me 11364 anëtarë ku prej atëherë pjesa dërrmuese e tyre janë duke bredhur rrugëve e duke jetuar nëpër podrume e kthina të ndryshme nëpër qytete të ndryshme të Kosovës e një pjesë kanë ikur edhe nga Kosova. “Gjatë periudhës kohore pas lufte shkurt 2000- 2007 në pjesën e okupuar të Mitrovicës janë djegur para syve të ushtrisë franceze dhe policisë së UNMIK-ut shumë shtëpi dhe objekte tjera të shqiptarëve. Madje janë plaçkitur edhe materialet ndërtimore të cilat ua ofrofshin shqiptarëve organizatat e ndryshme humanitare ndërkombëtare për rindërtimin e shtëpive në atë pjesë të qytetit. Posa mbërrinin materialet ndërtimore nëpër troje të shqiptarëve, kriminelët çetnik serb para syve të ushtrisë franceze i merrnin materialet dhe i dërgonin nëpër shtëpi të veta”, ka deklaruar Barani.

Image
Halit Barani

Ai ka rikujtuar se, kur patën filluar ndërtimin e lagjes së re të ashtuquajtur ‘Kodra Diellit”, institucionet e Kosovës, u patën zotuar se nuk do të lejojnë të ndërtohet ajo lagje pa leje të tyre. Sipas tij, përderisa ata merreshin me përralla Serbia ndërtonte shtëpi dhe objekte të larta në pjesën e okupuar të Mitrovicës. “ Tani at a ud hëhe q ësit e Republikës së Kosovës nuk e përmendin atë pjesë të qytetit, përkatësisht të Kosovës sepse nuk kanë pasur dhe nuk kanë qasje absolutisht në pjesën e okupuar të Mitrovicës, përkatësisht Kosovës. I vetmi është kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri i cili prej se ka ardhur në krye të komunës në Mitrovicë vazhdimisht ka bërë përpjekje që të rindërtojë shtëpitë e shqiptarëve në atë pjesë por nuk pati përkrahje edhe pse ka kërkuar vazhdimisht nga udhëheqja e Kosovës qe ta përkrahin në këtë drejtim. Një Qeveri e Kosovës deri me sot, nuk e kanë marrë seriozisht kthimin e shqiptareve, boshnjakeve e tureqve ne pjesën e okupuar prej kah janë dëbuar me dhunë, në mënyrë që të kthehen në trojet e veta. Ata tani e kanë harruar pjesën e okupuar të Kosovës dhe absolutisht nuk ju bie ndër mend s’paku ta përmendin nëpër tubimet që janë duke i mbajtur me popullatën e deleve. Një pjesë e të nominuarëve për deputet e që kanë qenë edhe me parë deputet flitet se janë duke bashkëpunuar me kontrabandistet serbe e shqiptare të cilët veprojnë në pjesën e okupuar të Kosovës, ky është shkaku se tani e kanë harruar fare këtë pjesë sepse e konsiderojnë si pjesës (territor) tanimë e shkuar”, ka thënë Barani.

Krasniqi: Kolonizimi i Veriut me serbë është duke ndodhur tash e shumë vite

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi, ka thënë se kolonizimi i Veriut me serbë është duke ndodhur tash e shumë vite. Sipas tij, për këtë gjë janë në dijeni të gjitha institucionet dhe partitë politike në Kosovë. “Veriu i Kosovës kurrë s’ka qenë prioritet për partitë politike që kanë shijuar deri më tash pushtetin. Për ta çështja primare ka qenë zhvatja e buxhetit dhe pasurimi personal. Deri sa nuk shohim asnjë program konkret prej tyre, përveç akuzave dhe kundër akuzave, s’mund të themi me saktësi se çfarë plani kanë. Edhe po ta kenë në letër në program, jo që e zbatojnë në praktikë. Asgjë nuk kanë realizuar në praktikë se çfarë kanë thënë ose çfarë kanë pasur në «programin» e tyre. Për ta me rëndësi është pushteti, zhvatja e parave të qytetarëve dhe privilegjet e shumta”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Burjani: Deri më tash, nuk kanë pasur asnjë ide se çfarë duhet të bëjnë partitë për gjendjen në veri

Image
Blerim Burjani

Kurse njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani, ka thënë se deri më tash nuk ka pasur asnjë ide se çfarë duhet të bëjnë partitë për gjendjen në veri.

“Nuk ka angazhime, partitë janë angazhuar në dialog me Serbinë dhe kanë zënka të brendshme se si dhe qysh duhet t`i qasen dialogut me Serbinë, përveç që ka ide të fillojë komunikimi me pakicën serbe në veri, por pa ndonjë përmbajtje tjetër programore se për çfarë do të shërben dialogu i brendshëm. Pra, ka ide jo të qarta dhe nuk ka ndonjë seriozitet në këtë çështje as ndonjë platformë të caktuar se si dëshirohet të arrihet që serbet e Kosovës të pranojnë shtetin e Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat