Më në fund Albin Kurti e pranoi se në themelet e Kosovës qëndron dr. Rugova

Politika

Më në fund Albin Kurti e pranoi se në themelet e Kosovës qëndron dr. Rugova

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 28 shtator 2019 Në ora: 18:13
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Jeta ashtu si edhe politika është proces dhe natyrisht se njeriu gjatë këtij procesi edhe ndryshon. Si duket një ndryshim i tillë ka ndodhur edhe tek lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Derisa po flasim për Albinin, për personin tjetër në këtë shkrim, presidentin Rugova s`kemi çfarë të flasim. S`kemi pasi figura e tij kolosale është një thesar jetik për shtetin e Kosovës, andaj sot të gjithë këtë gjë e kanë kuptuar, madje edhe kundërshtarët e tij më të mëdhenj. Njëri prej tyre ishte edhe Albin Kurti, i cili injoronte rolin historik të dr. Rugovës, por si duket kjo tashmë i takon të kaluarës. Për herë të parë në një tubim, konkretisht në Istog, Albin Kurti çmoi rolin historik të dr. Rugovës. Natyrisht se kjo nuk ndikon asgjë në lartësimin e figurës së dr. Rugovës, pasi figura e tij tashmë ka arritur majat, ndikimi pozitiv mund të jetë për Albinin. Kur themi ndryshim nuk nënkuptoj marrjen e votave edhe nga rugovistët, vlera e saj shtohet tek formimi i z.Kurti si një lider që duhet ndjek hapat e presidentit Rugova. Natyrisht, tani jemi në një situatë tjetër nga ajo kur vepron Presidenti historik, megjithatë rruga e trasuar nga ai duhet ndjekur. Duhet ndjekur sepse mbi vizionin, urtësinë dhe mqnurinë e tij janë ndërtuar themelet e shtetit të Kosovës. Këtë s`mund ta mohoj askush, dhe kushdo që nuk ndjek këtë vizion nuk i shërben Kosovës. Duke shtuar këtu edhe marrëdhëniet jetësore me SHBA, për të cilat Albini shpesh ka marrë kritika. Koncepti rugovian nuk i takon 

vetëm LDK-së, sepse mbi të është ndërtuar Kosova jo vetëm e sotme, por edhe e ardhme. Këtë vizion duhet ta ndjek Albini nëse ka ambicie të qeveris mirë, t’i jap Kosovës kualitet dhe jetë.

Si duket Albini e ka kuptuar se nuk mund të arrij në pushtet, pa u mbështetur tek Rugova. Qysh nga fillimi i fushatës tonet e tija ndaj LDK dhe presidentit historik kanë qenë pozitive. Kam përshtypje se z.Kurti e ka kuptuar se pa LDK, konkretisht pa vizionin e Rugovës as ai nuk mund të vij në pushtet, por as Kosova nuk mund të ecën tutje. Që nga ikja e dr. Rugovës në amshim, fatkeqësisht Kosova ka marrë rrugën drejt greminës.

Ndryshimi pozitiv tek Albini është shenjë e mirë jo vetëm për të personalisht, por edhe për Kosovën. Për Kosovën  e cila synon t’i jap një ditë z. Kurti shansin për të qeverisur, mbase qysh pas 6 tetorit në një koalicion me LDK, konkretisht znj. Vjosa Osmani. Binomi Vjosa-Albini mendohet se do të jetë shumë i suksesshëm. Përtej kësaj, duhet theksuar se Kosova duhet të ndërtojë vijat e kuqe të saja për temat jetike, faktikisht  ky vizion i saj është, vetëm duhet ndjekur. Vizioni i dr. Rugovës është i duhuri, e të cilin dita ditës po e pranojnë edhe dikur kundërshtarët e tij më të mëdhenj. Një shenjë e mirë për ta nxjerrur vendin nga errësira që e futën bandat kriminale të prirë nga klani “ Pronto”.  Shtetet suksesshme janë të ndërtuar mbi themelet e baballarëve të tyre të mëdhenj, njerëzve të mençur, p.sh SHBA është ndërtuar mbi themelet e Xhorxh Uashingtonit, të cilën rrugë e ndjekin edhe sot. Nëse Kosova vazhdon të ndjek rrugën e dr. Rugovës jo vetëm tani por gjithnjë, jam i bindur  do të jetë krenari për të gjithë shqiptarët, repsektivisht banorët e saj. Derisa Albini e pranoi kontributin e dr. Rugovës, që ishte kundërshtar i tij i madh, nuk besoj se ka ndonjë njeri që ka dy fije mend në kokë që mos të kuptoj një gjë: Kosova është ndërtuar mbi themelet e dr. Rugovës, dhe vetëm duke ndjekur rrugën e trasuar nga Rugova mund të shohim ditë të mira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat