Pajtimi i heshtur LDK-VV për postin e kryeministrit, Liri Loshi komenton situatën

Politika

Pajtimi i heshtur LDK-VV për postin e kryeministrit, Liri Loshi komenton situatën

Nga: D. RR Më: 29 shtator 2019 Në ora: 20:30
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Dëshira e madhe e dy partive më të mëdha në vend për pozitën e kryeministrit, ka bërë që deri më tani të mos arrihet ndonjë marrëveshje që të bëjnë një koalicion paszgjedhor.

Pra, ani pse jemi në ditën e pestë të fushatës zgjedhore asnjëra prej subjekteve nuk pranon të heqë dorë nga kandidatët e tyre për kryeministër.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike dhe ish pjesëtar i UÇK-së, Liri Loshi, thotë se ka gjasa që të ketë një koalicion VV-LDK dhe nuk sheh asnjë arsye pse të mos ndodh kjo.

Image
Liri Loshi

“Është ende herët të supozohet fituesi i këtyre zgjedhjeve, por gjasat janë që ose VV ose LDK të dalë e para. Nëse kjo ndodh unë nuk shoh asnjë arsye që këto dy parti të mos bashkohen në formimin e qeverisë së re. Meqë ato nuk arritën koalicionin parazgjedhor për shkak që secila insistonte postin e kryeministrit, mbetet sovrani ai që do ta përcaktojë fituesin e zgjedhjeve dhe rrjedhimisht edhe postin e kryeministrit. Është një tendencë e spektrit politik të Kosovës që ta përjashtojnë mundësinë që Albin Kurti të bëhet kryeministër i Kosovës edhe nëse ai del fitues i zgjedhjeve, gjoja për shkak të mospajtimit të faktorit ndërkombëtar që qeverinë ta udhëheq një lider, i cili në vazhdimësi ka pasur rezervat dhe kundërshtimet e veta ndaj shumë proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi e që kanë qenë nën sponzorimin e faktorit ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Loshi thekson se dialogu është tema më e rëndësishme për t’u kryer nga qeveria e ardhshme dhe mendon se partitë tjera do ta shantazhojnë Albin Kurtin me pretendimet flas se ai është pengesë për dialogun.

“Mirëpo, pas shumë vitesh dialogu me Serbinë të gjithë tani e kemi të qartë se një marrëveshje e mundshme që do të duhej të arrihej me këtë shtet fqinj, mbetet ende larg dhe skepticizmi për një epilog të duhur të dialogut me Serbinë është fare real. Situata nuk ka arritur deri në këtë pikë për shkak të Albinit dhe subjektit të tij politik, por për shkak të paaftësisë dhe neglizhencës së palëve në dialog, por edhe faktorit ndërkombëtar që nuk e ka luajtur rolin më të mirë në fascilitimin e këtij dialogu. Me një fjalë, përjashtimi që partitë politike i bëjnë Albin Kurtit për të qenë kryeministër i ri i Kosovës në emër të barrierës së faktorit ndërkombëtar, është komplet fals dhe aspak bindës. Nëse Albin Kurti del fitues i zgjedhjeve pritet një shantazhim nga ana e PDK-së duke paraqitur zotin Kurti si pengesë për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, por edhe e LDK-së, shkas për ta marrë postin e kryeministrit edhe nëse nuk del e para në votimet e 6 tetorit”, vlerësoi Loshi.

Mirëpo ai thotë se LDK-ja ka një grup të mirë politikanësh të prirë nga Vjosa Osmani, teksa thekson se binomi Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, do të ishte një çift ideal për t’iu prirë proceseve madhore.

“Fat i mirë është se LDK ka vënë përpara një plejadë të re politikanësh të aftë, realistë dhe të pakomplekse, të prirë nga zonja Osmani dhe unë pres që një kalkulim i tillë jo parimor të mos ndodh nga asnjëra palë. Pra, postin e kryeministrit do ta këtë partia që fiton vota më shumë. Në fakt, ka kohë që brenda këtyre dy grupimeve politike është arritur një pajtim me bazë të gjere që partia që del e para në zgjedhje automatikisht ta fitoje rolin prijës në qeveri, sado që ky pajtim mbahet i heshtur dhe jo i këndshëm për asnjërën palë. Kosova ka dy probleme tash: një është problem akut e tjetri kronik. Problemi akut është marrëveshja me Serbinë dhe kjo do të arrihet brenda vitit, kurse problemi kronik është dukuria e korrupsionit dhe nepotizmit që po e pengon zhvillimin e Kosovës dhe integrimin e saj me Evropën. Vendi ynë kurrë më parë nuk e ka pasur një binom më të mirë se tash, një “qift” pothuaj ideal për t’iu prirë proceseve madhore, siç është tash Albini e Vjosa, dy politikanë intelektualë dhe përfaqësues të patriotizmit bashkëkohor. Të dy partitë tash duhet të jenë të kujdesshme që t’u shmangën konflikteve verbale për të mos u rrënuar ajo për çka kanë punuar një kohë të gjatë të dy liderët partiakë dhe për të mos u rrënuar shpresa e fundit e rinisë dhe e qytetarëve tjerë për ndryshim. Unë jam i bindur se ky koalicion duhet të ndodh dhe shpresoj se do të ndodh”, nënvizoi Loshi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat