Albin Kurti-Vjosa Osmani, binomi ideal për Kosovën

Politika

Albin Kurti-Vjosa Osmani, binomi ideal për Kosovën

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 30 shtator 2019 Në ora: 22:06
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

“Fat i mirë është se LDK ka vënë përpara një plejadë të re politikanësh të aftë, realistë dhe të pakomplekse, të prirë nga zonja Osmani dhe unë pres që një kalkulim i tillë jo parimor të mos ndodh nga asnjëra palë. Pra, postin e kryeministrit do ta këtë partia që fiton vota më shumë. Në fakt, ka kohë që brenda këtyre dy grupimeve politike është arritur një pajtim me bazë të gjere që partia që del e para në zgjedhje automatikisht ta fitoje rolin prijës në qeveri, sado që ky pajtim mbahet i heshtur dhe jo i këndshëm për asnjërën palë”, ka deklaruar publicisti Liri Loshi për gazetën “Bota sot”.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, para më shumë se një muaji, ishin shumë të përafruara në qëndrime dhe shumë afër koalicionit parazgjedhor, teksa të dy partitë e “ledhatonin” njëra-tjetrën me deklarata publike.

Por, tash, në fushatën zgjedhore ka filluar të ashpërsohet gjuha ndërmjet këtyre dy partive drejtuar njëra-tjetrës. Përderisa shefi i shtabit të LDK-së, Lutfi Haziri, e quan Albin Kurtin “Mr. Bean” në mënyrë ironike, lideri i VV-së po akuzon LDK-në se po frikësohen nga PDK-ja dhe se po mbushin autobusët me simpatizantë të tyre për tubimet elektorale.

Mirëpo, kur akuzat ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes po shkonin duke u rritur, në skenë doli Isa Mustafa, i cili si lider i Lidhjes Demokratike, theksoi se ka gjasa reale për një koalicion pas zgjedhor të partisë së tij me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Deklarata se Koalicioni ndërmjet Mustafës dhe Kurtit do të jetë koalicion i korrupsionit dhe i izolimit është huqje e llojit të vet. Por, asgjë më e mirë nuk pritet prej tij. Po e vërteton që s’po arrin të jetë politikan, por mbetet një i dështuar në zejen e vjetër të tij. Sa i përket koalicionit ndërmjet LDK-së dhe VV, konsideroj se gjasat janë shumë reale”, shkroi Mustafa në Facebook, në përgjigjen e tij për Kadri Veselin i cili tha se koalicioni LDK-VV do të ishte koalicion i korrupsionit.

Edhe nga Vetëvendosja kanë dhënë shenja pozitive për koalicion me LDK-në.

Kandidati për deputet dhe zyrtari i kësaj partie, Avni Zogiani, është shprehur për “Bota sot” se Lëvizja Vetëvendosje mendon se koalicioni VV-LDK do të mundësonte një periudhë transformimi të përgjithshëm shoqëror.

“Vetëvendosje e ka shprehur qartë vullnetin edhe për koalicion parazgjedhor. Ne mendojmë që shumica më e mirë për të kaluar një periudhe transformimi të përgjithshëm shoqëror do të ishte ai VV-LDK”, tha shkurt Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Albin Kurti do të luftohet nga kundërshtarët

Ndërsa njohësi i çështjeve politike dhe ish pjesëtar i UÇK-së, Liri Loshi, thotë se ka gjasa që të ketë një koalicion VV-LDK dhe nuk sheh asnjë arsye pse të mos ndodh kjo.

Image
Liri Loshi

“Është ende herët të supozohet fituesi i këtyre zgjedhjeve, por gjasat janë që ose VV ose LDK të dalë e para. Nëse kjo ndodh unë nuk shoh asnjë arsye që këto dy parti të mos bashkohen në formimin e qeverisë së re. Meqë ato nuk arritën koalicionin parazgjedhor për shkak që secila insistonte postin e kryeministrit, mbetet sovrani ai që do ta përcaktojë fituesin e zgjedhjeve dhe rrjedhimisht edhe postin e kryeministrit. Është një tendencë e spektrit politik të Kosovës që ta përjashtojnë mundësinë që Albin Kurti të bëhet kryeministër i Kosovës edhe nëse ai del fitues i zgjedhjeve, gjoja për shkak të mospajtimit të faktorit ndërkombëtar që qeverinë ta udhëheq një lider, i cili në vazhdimësi ka pasur rezervat dhe kundërshtimet e veta ndaj shumë proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi e që kanë qenë nën sponzorimin e faktorit ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Loshi thekson se dialogu është tema më e rëndësishme për t’u kryer nga qeveria e ardhshme dhe mendon se partitë tjera do ta shantazhojnë Albin Kurtin me pretendimet flas se ai është pengesë për dialogun.

“Mirëpo, pas shumë vitesh dialogu me Serbinë të gjithë tani e kemi të qartë se një marrëveshje e mundshme që do të duhej të arrihej me këtë shtet fqinj, mbetet ende larg dhe skepticizmi për një epilog të duhur të dialogut me Serbinë është fare real. Situata nuk ka arritur deri në këtë pikë për shkak të Albinit dhe subjektit të tij politik, por për shkak të paaftësisë dhe neglizhencës së palëve në dialog, por edhe faktorit ndërkombëtar që nuk e ka luajtur rolin më të mirë në fascilitimin e këtij dialogu. Me një fjalë, përjashtimi që partitë politike i bëjnë Albin Kurtit për të qenë kryeministër i ri i Kosovës në emër të barrierës së faktorit ndërkombëtar, është komplet fals dhe aspak bindës. Nëse Albin Kurti del fitues i zgjedhjeve pritet një shantazhim nga ana e PDK-së duke paraqitur zotin Kurti si pengesë për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, por edhe e LDK-së, shkas për ta marrë postin e kryeministrit edhe nëse nuk del e para në votimet e 6 tetorit”, vlerësoi Loshi.

Mirëpo ai thotë se LDK-ja ka një grup të mirë politikanësh të prirë nga Vjosa Osmani, teksa thekson se binomi Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, do të ishte një çift ideal për t’iu prirë proceseve madhore.

“Fat i mirë është se LDK ka vënë përpara një plejadë të re politikanësh të aftë, realistë dhe të pakomplekse, të prirë nga zonja Osmani dhe unë pres që një kalkulim i tillë jo parimor të mos ndodh nga asnjëra palë. Pra, postin e kryeministrit do ta këtë partia që fiton vota më shumë. Në fakt, ka kohë që brenda këtyre dy grupimeve politike është arritur një pajtim me bazë të gjere që partia që del e para në zgjedhje automatikisht ta fitoje rolin prijës në qeveri, sado që ky pajtim mbahet i heshtur dhe jo i këndshëm për asnjërën palë. Kosova ka dy probleme tash: një është problem akut e tjetri kronik. Problemi akut është marrëveshja me Serbinë dhe kjo do të arrihet brenda vitit, kurse problemi kronik është dukuria e korrupsionit dhe nepotizmit që po e pengon zhvillimin e Kosovës dhe integrimin e saj me Evropën. Vendi ynë kurrë më parë nuk e ka pasur një binom më të mirë se tash, një “qift” pothuaj ideal për t’iu prirë proceseve madhore, siç është tash Albini e Vjosa, dy politikanë intelektualë dhe përfaqësues të patriotizmit bashkëkohor. Të dy partitë tash duhet të jenë të kujdesshme që t’u shmangën konflikteve verbale për të mos u rrënuar ajo për çka kanë punuar një kohë të gjatë të dy liderët partiakë dhe për të mos u rrënuar shpresa e fundit e rinisë dhe e qytetarëve tjerë për ndryshim. Unë jam i bindur se ky koalicion duhet të ndodh dhe shpresoj se do të ndodh”, nënvizoi Loshi për gazetën “Bota sot”.

Albin Kurti nuk do ta tradhtojë LDK-në

Edhe analisti Rexhep Elezaj mendon se ka gjasa të mira për koalicion LDK-VV. Ai për “Bota sot” u shpreh se deklaratat e Vjosa Osmanit se nuk do të ketë koalicion me PDK-në, i hapin rrugë bashkëpunimit me VV-në.

Image
Rexhep Elezaj

“Ka gjasa të mira që pas zgjedhjeve LDK-VV të bëjnë koalicion qeverisës pas zgjedhor, sepse po që se i marrim parasysh deklaratat e Vjosa Osmanit, kandidate për kryeministre, dhe ato të zyrtarëve tjerë të LDK-së, se nuk do bëjnë kurrë koalicion me PDK-në, atëherë unë jam i prirur t'iu besoj se pas zgjedhjeve do bëjnë koalicion me LVV. Natyrisht se LDK-ja po beson se do dalë partia e parë në zgjedhjet e 6 tetorit, andaj si partner qeverisës e preferon VV-në e jo PDK-në, ngase edhe ashtu i ka ngelur borxh VV-së e cila e sakrifikoi madje edhe postin e kryeministrit kur pranoi që Vjosa Osmanin ta radhiste të parën në listën e përbashkët, po që se do bënin koalicion parazgjedhor”, tha ai.

Elezaj mendon se Albin Kurti do ta tradhtojë kurrë LDK-në për koalicion, edhe pse po përballet me një fjalor ngacmues nga LDK-ja.

“Por, unë besoj se LVV-je do t'i fitojë zgjedhjet me marzhë të madhe dalluese në përqindje më shumë se LDK-ja, prandaj nuk është i rastësishëm fjalori ngacmues i zyrtarëve të LDK-së herë pas here ndaj VV, duke krijuar kështu psikozën e fituesit, se gjoja ne do dalim para saj me rezultate! Sido që të jetë, mundësia për koalicion midis LDK-së dhe LVV-je është reale, ngase z. Albin Kurti nuk do ta tradhtojë kurrë LDK-në, kur dihet gatishmëria e tij për të hy me të në koalicion edhe parazgjedhor! Se a do e sakrifikojë Albini postin e kryeministrit për hir të kauzës shtetërore, duke ia dhënë atë Vjosa Osmanit, këtë nuk e besoj”, theksoi Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat