PDK, një histori trishtimi që po përfundon

Politika

PDK, një histori trishtimi që po përfundon

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 2 tetor 2019 Në ora: 20:39
Kadri Veseli

Partia Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga Kadri Veseli, tashmë po e nuhatë se do të jetë humbësja e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit. Nuk po i ndihmon as lufta kundër korrupsion e as thirrja në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk i ndihmon as mbështetja nga parashutisti Ramiz Kelmendi, që “fluturon” nga partia në parti në sinkronizim me erën. Nuk po i ndihmon as forca komanduese e ish Komandantit të Koshares Hisen Berisha, që për arsye të caktuara jo shumë të qarta ia besoi mbështetjen Kadri Veselit dhe u radhit në mesin e të parëve kandidatë për deputet. Kosharja është fituar sepse ka pasur unitet e profesionalizëm, e qeveria nga PDK është një histori e keqe e rrënimit të shtetit.   

Nuk mund të jesh kundër korrupsionit dhe njëkohësisht korrupsionin ta kesh mjet kryesor veprimi.

Pra, historisë trishtuese e zhgënjyese për qytetarët e Kosovës po i vjen fundi. Qeverisja nën udhëheqjen e PDK-së, përmendej vazhdimisht për të keq në raportet ndërkombëtare. Me ministra e kryetarë komunash dhe vartës të tjerë të dyshuar për korrupsion, PDK-ja i solli Kosovës vetëm regres. Mjafton të kujtojmë dështimin për liberalizimin e vizave. Nën udhëheqjen e PDK-së dhe së fundi të AAK-së, Kosova nuk arriti ta përmbush kriterin kryesor që kërkohet në këtë proces. Kujtojmë këtu edhe thirrjet e përfaqësuesve të lartë amerikanë e evropian se vizat liberalizohen atëherë kur Kosova dëshmon se e ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Çka të thuhet më tepër për një parti e cila në krye të saj ka ish shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin, që doli nga nëntoka, pa i sqaruar ato që kishin ndodhur në të kaluarën.

PDK ka shuar ëndrrat e mijëra të rinjve të cilët nuk shohin të ardhme në Kosovë, por kërkojnë jetë më të mirë jashtë vendit.

Ishte PDK ajo që tentoi ta prishte miqësinë e Kosovës me SHBA-në, pasi kërkoi që të zhbëhet Gjykata Speciale. A kujton Kadri Veseli se SHBA e ka harruar nismën shtet-shkatërruese të iniciuar nga partia e tij?

Shumë lojëra i janë bërë vendit. Qytetarët duhet t`i kujtojnë këto lojëra e të zeza dhe të vendosin me kokë të kthjellët për ndryshimin e qeverisjes. 6 tetori është mundësia ideale për ta sjellë këtë ndryshim të shumëpritur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat