Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet Muhamet Hamiti, ka folur për mundësinë e formimit të koalicionit pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Ai në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se LDK-ja nuk ka parakontratë për koalicion me asnjë parti politike, mirëpo ka përjashtuar mundësinë e një të tillë me PDK-në.
Madje ish-zëdhënësi i Presidentit Rugova dhe ish-ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, ka akuzuar PDK-në për instalimin e një sistemi korruptiv në Kosovë.
“Ne nuk kemi parakontratë për koalicion me asnjë parti. Duam të dalim të parët për të pasur mundësinë që ta drejtojmë Qeverinë me programin e LDK-së si strumbullar të saj. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, siç e dini, ka përjashtuar mundësinë e koalicionit qeverisës me PDK-në, e cila është treguar partner i pabesë në raport me ne. Veç kësaj, PDK-ja është shembëlltyrë e sistemit korruptiv që është instaluar në Kosovë”, ka deklaruar Hamiti.
Ndërsa, teksa ka folur për Lëvizjen Vetëvendosje, ai ka thënë se koalicioni me këtë parti është I mundshëm, por se çdo gjë varet nga rezultatet e zgjedhjeve.
“Koalicion ideal nuk ka në asnjë vend. Me Vetëvendosjen kemi dallime të mëdha konceptuale. Është parti e majtë, me elemente të esktremit të majtë, ndërsa ne jemi parti e qendrës së djathtë. Koalicioni me VV-në është i mundshëm, por jo i paevitueshëm. Çdo gjë do të varet nga rezultatet që do të marrim ne, por edhe partitë e tjera ‘të mëdha’, të cilat s’janë edhe aq të mëdha, në të vërtetë”, është shprehur më tej Hamiti.
I pyetur se a do ta pranojë LDK-ja Albin Kurtin, kryeministër, nëse Vetëvendosje del parti e parë, Hamiti ka thënë se kjo është “punë që nuk bëhet”.
Sipas tij, VV-ja mund të jetë partner i vogël në Qeveri me LDK-në, pot ajo nuk mund t’i prijë Qeverisë së Kosovës.
“Albini kryeministër? Kjo është punë që s’bëhet. Në rastin më të mirë VV-ja mund të jetë partner i vogël (junior partner) në Qeveri me LDK-në. VV-ja, që ka probleme esenciale me ekzistencën e Republikës së Kosovës, mbasi e sheh projekt kalimtar, madje përbuz atributet e shtetësisë së saj (flamurin, ta zëmë), nuk mund t’i prijë Qeverisë së Kosovës. Duhet të mësohen të qeverisin fillimisht”, ka deklaruar Muhamet Hamiti për “Bota sot”.