Diaspora shfrytëzohet vetëm si burim votash për partitë politike

Politika

Diaspora shfrytëzohet vetëm si burim votash për partitë politike

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 tetor 2019 Në ora: 22:12
Foto ilustrim

Diaspora ka dhënë dhe vazhdon jap kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën. Mirëpo, pavaësisht kësaj, ajo nuk ka asnjë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

E partitë politike po vazhdojnë ta shfrytëzojnë këtë kategori shoqërore si burim për vota.

Pra, ato po i vlerësojnë bashkatdhetarët që jetojnë jashtë Kosovës, vetëm kur po është interesi i tyre, por asnjëherë nuk kanë marrë mundin që atyre t`i sigurojnë ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

Meqë pakicat në shtetin tonë përfaqësohen me ulëse në Kuvend, atëherë edhe diaspora meriton të përfaqësohet në të njëjtën mënyrë, vlerësojnë analistët.

Bytyçi: Diaspora meriton t’i jepet një rol i caktuar në qeverisjen e vendit

Image
Enver Bytyçi

Profesori Enver Bytyqi ka thënë për “Bota sot” se zgjedhjet e 6 tetorit ishin një test dhe rast i mirë për ta promovuar pjesëmarrjen e diasporës në votime dhe për t'i dhënë asaj një rol të caktuar në qeverisjen e vendit.

Sipas tij, ka shumë forma, me të cilat diaspora mund të tërhiqet në qeverisjen e vendit.

“Ajo më përgjithësuesja është përmes votimit të drejtpërdrejtë gjë që parashihet në ligjin zgjedhor për Kosovën. Por mundet që diaspora të kishte ose të ketë edhe vende të rezervuara në parlamentin e vendit. Kjo e dyta nuk ka ndodhur. Kosova ka një diasporë, e cila mbart meritat kryesore për çlirimin e saj nga okupatorët dhe sunduesit mizorë serbë. Kontributet e diasporës për çlirimin e Kosovës ishin të disa dimensioneve. Me lobing, me mbështetjen në para të politikanëve perëndimore që u morën me çështjen shqiptare, me protesta të mëdha e të fuqishme për të drejtat e shqiptarëve, me kontribute financiare për mbajtjen e institucioneve paralele, me kontribute financiare për luftën dhe fitoren e saj dhe më në fund me pjesëmarrjen aktive në luftë. Madje edhe për rindërtimin e vendit, investime dhe kontribute të shumta në paqe”, ka thënë Bytyqi.

Tutje, Bytyçi thekson se, aq shumë janë angazhuar shqiptarët e diasporës, sa mund të thuhet pa frikë se pa ata Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur. Por, diaspora është gjithashtu pjesa më vitale e vetëdijes kombëtare edhe në kushtet e sotme.

“Ajo nuk pajtohet me shkërmoqjen e shtetit, me ndarjen e territorit, me krijimin e një shteti serb brenda kufijve të saj dhe as me kriminalitetin dhe korrupsionin e pamatë në Kosovë. Ajo i urren komandantët që e përdorën luftën për ta plaçkit Kosovën, për ta rrënuar shtetësinë e saj dhe për ta shkatërruar jetën ekonomike e sociale të qytetarëve të vendit. Në këto kushte politika e korruptuar dhe e keqpërdorur në Prishtinë nuk ka asnjë interes që në parlamentin e Kosovës të kishte një grup parlamentar me përfaqësues nga diaspora. Ky grup parlamentar, sado i vogël në numër të ishte, do të shihej si rrezik për privilegjet e atyre që kanë drejtuar deri më sot Kosovën”.

Ai me tej thotë se për këtë arsye diaspora mbetet e papërfaqësuar, edhe pse ajo ka të drejtën të votojë.

“Për zgjedhjet e 6 tetorit janë regjistruar disa dhjetëra mijë shqiptarë të diasporës për të votuar për subjektet politike që ata preferojnë t'i shohin në qeverisjen e vendit. Nëse do të kishte vende të rezervuara numri i shqiptarëve që do të votonte do të ishte qindra mijë e jo aq pak, sa janë regjistruar. Kjo ndodh edhe se nuk krijohen kushte reale për pjesëmarrje në votim, por edhe se mungon besimi për leximin si duhet të votës së diasporës”, përfundoi Bytyqi.

Krasniqi: Diaspora meriton të ketë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës

Image
Faik Krasniqi

Njohësi i rrethanave politike në vend Faik Krasniqi, në përgjigje për “Bota sot” ka thënë se, klasa politike që kanë qenë në pushtet në Kosovën e pasluftës, shqiptarët e diasporës i kanë shfrytëzuar vetëm për çështje interesi.

“Diasporën e kanë parë vetëm lekë, por jo edhe për investime kapitale, kur e dimë që me mijëra shqiptarë atje kanë bizneset e tyre. Vetëm në Gjermani mbi 30 mijë biznese janë të shqiptarëve. Por as truri nuk është shfrytëzuar.

Ai po ashtu thekson se diaspora shqiptare ka qenë bartësja kryesore e çlirimit të Kosovës.

“Edhe sot paratë që i dërgojnë për të afërmit e tyre në Kosovë, dhe paratë që i shpenzojnë gjatë pushimeve, mbajnë qetësinë sociale në vendin tone”, thotë Krasniqi.

Më tej vazhdon se, kjo diasporë nuk është trajtuar kurrë ashtu siç e meritojnë. Diaspora duhet të ketë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

“Kjo është dashur të ndodh menjëherë pas luftës. Është absurde që minoriteti serb të ketë 10 vende të rezervuara, pakicat tjera 10 vende, kurse diaspora jonë asnjë vend. Pse të kenë minoritetet vende të rezervuara, me 96 përqind shqiptare. Serbia dhe asnjë shtet nuk kanë vende të rezervuara për pakicat kombëtare, edhe pse në Serbi përqindja e pakicave është shumë më e madhe se tek ne. Së paku 5 vende është dashur të rezervohen për diasporën shqiptare”, përfundoi Krasniqi.

Mehmeti: Partitë e dala nga lufta nuk pajtohen që diaspora të jetë në Kuvend, dhe në institucione

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti, për “Bota sot” ka thënë se diaspora duhet të përfshihet në shumë segmente të jetës sonë, si ajo parlamentare ashtu edhe në atë ekonomike. Kjo ngase diaspora mbetet ende shtylla kurrziore e balancave ekonomike të shtetit dhe kjo është mjaft domethënëse, bile edhe fundamentale.

“Por duke parë orientimin e diasporës më shumë tek VV dhe LDK, partitë e dala nga lufta nuk pajtohen që ajo të jetë në Kuvend, dhe në institucione. Megjithatë duhet me çdo kusht që diaspora të ketë vendet e rezervuara të saja, dhe nëse jo të rezervuara së paku të përfaqësohet përmes votimeve kur dihet se diaspora është e shumtë, dhe mund të ketë pa problem së paku mbi 10 deputet nga radhët e saj.

Burjani: Ulëset në Kuvend për diasporën lidhen me reformën zgjedhore

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështje politike dhe juridike Blerim Burjani, për “Bota sot” ka thënë se, kjo është çështje e reformës zgjedhore që duhet të ndodhë në Kosovë, ka edhe shumë tema që lidhen me reformën.

“Diaspora mund të votoj për zgjedhje parlamentare por për ato lokale është e qartë që nuk e kanë domosdoshmëri të votojnë sepse jetojnë jashtë vendi”, shprehet Burjani.

Sipas tij, sa i përket përfaqësimit të diasporës është çështje e vlerësimit të visibilitetit, ka shumë faktor që shtyjnë shtetet të kenë përfaqësim në Kuvend, deri më tash vetëm Maqedonia e ka marr seriozisht këtë temë.

“Kosova është shtet me emigrant të shumtë që kanë emigruar nga Kosova , kjo çështje duhet të vlerësohet nga komisioni për reforma”, përfundoi Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat