Sovrani ndëshkoi shtetshkatërruesit

Politika

Sovrani ndëshkoi shtetshkatërruesit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 tetor 2019 Në ora: 10:25
Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj

Zgjedhjet e 6 tetorit ishin test, me të cilin qytetarët e Kosovës refuzuan korrupsionin e shfrenuar, lidhjet e politikës së komandantëve me krimin, nepotizmin dhe politikat e këqija të Partisë Demokratike, e cila ka qeverisur prej 12 vitesh në Kosovë.

Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike ku sipas tyre, kjo një dëshmi qe qytetaret e Kosovës dinë të durojnë, vlerësojnë dhe ndëshkojnë.

Ata konsiderojnë se 6 tetori do mbahet mend si një ditë e ndëshkimit popullor ndaj të keqes, dhe shpërblim ndaj atyre që duruan çdo gjë për hir të së mirës së përgjithshme.

Mehmeti: Ka marr fund epoka e krahut të luftës

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se 6 tetori do mbahet mend si një ditë e ndëshkimit popullor ndaj të keqes, dhe shpërblim ndaj atyre që duruan çdo gjë për hir të së mirës së përgjithshme.

“Gjithashtu kjo ditë është mesazh se populli më nuk duron askënd që të luaj me fatin e tij, duke mos pranuar nënshtrimin. Ka marr fund epoka e krahut të luftës, të cilët meritojnë të jenë në opozitë për tu reformuar për të mirën e përgjithshme. Me PDK-në dhe AAK- në opozitë vendi pritet të merr frymë lirshëm, me këto parti të cilat gjatë qëndrimit në opozitë duhet të bëjnë reforma brenda tyre.”, ka thënë Mehmeti.

Bytyçi: Do ishte mirë që të merrej iniciativa për shkarkimin e Thaçit

Image
Enver Bytyçi

Profesori universitar Enver Bytyçi, ka thënë për “Bota sot”, nëse do të ekzistojë vullneti politik dhe konsensusi midis VV dhe LDK-së, vendimet dhe ligjet e parlamentit do të jenë dobiprurëse për jetën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore të Kosovës

“Zgjedhjet ishin test pozitiv për mënyrën si ato u zhvilluan, për pjekurinë dhe kulturën demokratike të Kosovës. Ato dhanë një shembull konkret për skeptikët sa i përket shtetësisë së Kosovës. Zgjedhjet ishin jo vetëm test, por edhe model i aplikimit të standardeve demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm Shqipëria, si delja e zezë e rajonit në këtë aspekt, por edhe vendet e tjera, të cilat kanë hapur bisedimet për integrim në BE, duhet të marrin shembull se si zhvillohen zgjedhjet demokratike ka thënë profesor Bytyçi, duke shpresuar që këtë pjekuri politike ta mbajë shënim Brukseli.

Ai konsideron se zgjedhjet e 6 tetorit i dhanë Kosovës një qeveri të re dhe një kryeministër të pa testuar më parë.

“Do të shohim se sa do të ndryshojë programi i Vetëvendosjes në dobi të shtetësisë së Kosovës, por unë do thosha se është mirë që ndodhi kështu. Mbi të gjitha vullneti i qytetarëve të Kosovës e ndau pushtetin thuajse në mënyrë të barabartë midis VV dhe LDK-së, duke u dhënë votën për të krijuar një qeveri të shumicës absolute, pa pasur nevojë për patericën e Listës Srpska. Në këto kushte, edhe nëse Lista Srpska merret në qeveri, pesha dhe ndikimi i saj do të jetë i papërfillshëm. Për pasojë edhe Beogradi do të ketë më pak mundësi e shanse për të provokuar dhe ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës. Mazhoranca do të ketë një qëndrueshmëri më të madhe dhe vendimet e parlamentit nuk do të mund të kushtëzohen as nga opozita, as nga pakicat. Kjo do të thotë më shumë efektivitet. Nëse do të ekzistojë vullneti politik dhe konsensusi midis VV dhe LDK-së, vendimet dhe ligjet e parlamentit do të jenë dobiprurëse për jetën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore të Kosovës”, ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, vota e qytetarëve e 6 tetorit duhet lexuar edhe si votë kundër Hashim Thaçit dhe idesë e përpjekjeve të tij për ta tjetërsuar territorin e Kosovës.

“Nëse e lexojmë këtë votë kësisoj atëherë do të duhej që koalicioni i ri qeverisës LDK-VV të tërheqë në qeverisje edhe AAK-në e Ramush Haradinajt. Ndoshta i duhet një mazhorancë prej dy të tretat, sepse vendimet që do të merren mund ta përjashtojnë vetëm Hashim Thaçin, por jo edhe partitë e tjera politike, qoftë dhe atë të Kadri Veselit. Kjo qeveri besoj se do të mbahet mend për përmbylljen me sukses të dialogut me Serbinë, gjithnjë në interes të shtetësisë, pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Prandaj i duhet bashkëpunimi edhe me opozitën, por asnjë lloj bashkëpunimi me Hashim Thaçin, si autorin e shkatërrimit të shtetësisë dhe pavarësisë së vendit të tij, mbetur deri sot në tentativë. Do ishte mirë që të merrej iniciativa për shkarkimin e tij. Por, nëse jo, atëherë së paku ata duhet ta izolojnë. Përfshirja e Ramush Haradinajt në qeverisje do të jetë një farë testi për izolimin total të Thaçit”, ka thënë profesori universitar Bytyçi.

Sipas tij, zgjedhjet e së dielës nxorën fitues VV dhe Albin Kurtin, por nuk e nxorën humbëse Vjosa Osmanin.

“Prandaj dhe besoj se suksesi i qeverisjes do të kërkojë konsensus në vendimmarrje dhe sinqeritet e transparencë në marrëdhëniet midis palëve. Kjo do të thotë që, nëse Albin Kurti ruan miqësinë personale me njerëz të tillë si Rexhap Qosja, duhet të heq dorë kategorikisht nga miqësitë politike me të tillë njerëz. Kjo kategori njerëzish nuk është këshilltare e mirë për kryeministrin Kurti. Dhe po të kemi parasysh orientimin për përçarje dhe karakterin inatçor të tyre, atëherë duhet besuar se këta njerëz do ta dëmtojnë rëndë qeverisjen e Kosovës”, ka thënë profesori universitar Bytyçi.

Ai ja theksuar se qeverisja në fund të fundit, ashtu si çdo marrëdhënie njerëzore është çështje besueshmërie.

“Raporti i besueshmërisë duhet ruajtur. Po bashkëpunoi njëra palë me armiqtë e pandreqshëm, si Rexhep Qosja, kundër palës tjetër, atëherë nuk do të funksionojë kjo qeverisje dhe do të kishim një dezha vu, zgjedhje të parakohshme. Kur flas për këtë çështje kam parasysh edhe ndërtimin e marrëdhënieve me Tiranën. Nëse do të krijohen marrëdhënie vartësie për hir të preferencave dhe anësive politike, Kosova nuk do të ketë sukses në qeverisje dhe zgjidhjen e problematikave të saj”, ka thënë profesori universitar Enver Bytyçi.

Krasniqi: PDK është dashur qysh moti të jetë në opozitë, por gjithmonë kishte parti që e mbante në pushtet

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se në këto dy dekada në Kosovë ndodhën keqpërdorimet më të mëdha, duke filluar nga ekonomia, arsimi, shëndetësia dhe çdo pore e shtetit u degradua.

Sipas tij, politikanët u pasuruan dhe sovrani i ndëshkoi me votën e tij keqbërësit.

“I ndëshkoi ata që e varfëruan, e ofenduan dhe poshtëruan Kosovën. Edhe Albinin e ofenduan shumë, madje e etiketuan me lloj-lloj nofke, por të gjithëve ua tregoi vendin. PDK është dashur qysh moti të jetë në opozitë, por gjithmonë kishte parti që e mbante në pushtet, andaj edhe nuk pres opozitarizëm të pastër nga PDK-ja”, ka thënë politologu Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat