Ku gaboi LDK-ja?

Politika

Ku gaboi LDK-ja?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 8 tetor 2019 Në ora: 17:05
Lidhja Demokratike e Kosovës

“Është kandidaturë e pa sinqertë nëse e kandidon në minutat e fundit. Po të mos ishte frika e elektoratit, kurrë s’do e kishin kandiduar. Ne e dimë fare mirë se me përjashtim të z. Haxhi Avdyli që e ka përkrahur, të gjithë të tjerët kanë qenë kundër saj. Me çdo kusht mundoheshin ta eliminonin politikisht’, ka pohuar analisti Faik Krasniqi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë tashmë publikimin e numërimit e gati të të gjitha votave. Nga këto rezultate, del se Lëvizja Vetëvendosje është e para, ndërsa, e dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës.

Përkundër, pritjeve të mëdha dhe sondazheve të shumta që nxirrnin LDK-në si të parën, një gjë e tillë nuk ndodhi edhe në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Mirëpo, çfarë ndodhi në të vërtet, pse Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk arriti të shpallet fituese e këtyre zgjedhjeve, ani pse pati rritje të votave në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017-të për 10 mijë sosh.

Analistët e zhvillimeve politike në vend, konsiderojnë se ndër arsyet me shpjegimet përkatëse e këtij rezultati të LDK-së del të ishte mbarëvajtja e Kuvendit zgjedhor, mungesa e hapjes së një dialogu të brendshëm, si dhe mungesa e debatit qytetar për platformën e saj partiake.

Ata gjithashtu janë të mendimit se largimi i Thaçit nga posti i presidentit me inicim të LDK dhe të përkrahur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, do ishte shpërblimi i LDK-së ndaj votuesve të saj të indinjuar që kjo parti bëri president Thaçin.

Tahiri: Ja pse LDK doli e dyta dhe jo e para

Politologu Ramush Tahiri, duke e komentuar rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo parti në këto zgjedhje pati një rritje të numrit të votuesve dhe të numrit të ulëseve që ka marrë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Image
Ramush Tahiri

“Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë nuk doli partia e parë fituese edhe pse pati një rritje të numrit të votuesve dhe të numrit të ulëseve që ka marrë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. LDK doli e dyta me një diferencë prej një deputeti tash në rezultatet e para apo prej tre deputetësh, mundet, në rezultatin përfundimtar pasi të numërohen të gjitha votat, pra ato me kusht, votat e diasporës dhe votat që mbesin nga partitë se subjektet që nuk e kaluan pragun zgjedhor e që sipas formulës iu takojnë partive fituese”, ka thënë fillimisht Tahiri.

Sipas Tahirit, e rëndësishme është që vetëm LDK dhe VV e kanë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të zgjedhur Qeverinë në Kuvend.

“E rëndësishme është që vetëm këto dy parti e kanë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të zgjedhur Qeverinë në Kuvend që tregon stabilitetin e saj për një mandat të plotë katërvjeçar. Do të ishte mirë që kjo Qeveri të ishte programore, efikase, e suksesshme të vendit t’i siguronte edhe një mandatë të dytë, duke merituar sërish votën e qytetarëve. Pse LDK doli e dyta dhe jo e para duhet një analizë gjithëpërfshirëse që vet strukturat e partisë do ta bënin më mirë. Sa analizë empirike nga jashtë mund të konkludohet se rritja tregon një trend të konsolidimit, të mirë por jo të mjaftueshëm për të dalë parti fituese”, është shprehur ai.

Me tej, politologu i njohur ka shpjeguar se pse Lëvizja Vetëvendosje ishte me e mobilizuar se LDK.

“Lëvizja Vetëvendosje si parti konkurruese doli në fushate me liderin e saj Albin Kurti, ishte me e mobilizuar, ishte më e qarte në kritikat ndaj koalicionit qeverisës dhe më e vendosur në parimet për Qeverinë e ardhshme. Pati kritika për besueshmërinë e LDK-së, sidomos duke marr shembullin se si ishte bërë kryetari i LDK-së kryeministër në koalicionin me PDK-në. Një shpjegim i përciptë do të thoshte se LDK-së i mungoi pak më shumë angazhim që ta mundte diferencën për relativisht pak vota nga Vetëvendosja”, tha me tej politologu i njohur.

Gjithashtu ai ka potencuar se, “ndër arsyet me shpjegimet përkatëse e këtij rezultati të LDK-së del të ishte mbarëvajtja e Kuvendit zgjedhor, mungesa e hapjes së një dialogu të brendshëm, mungesa e debatit qytetar për platformën e saj partiake, përçarjet nëpër komuna degë e nën degë që mbesin të pa sanuara e deri të vet fushata që u përdorë gjatë zgjedhjeve edhe karshi medieve edhe në tubimet publike”, ka thënë ai.

Në fund, Tahiri ka nënvizuar se interesant është të shihet se kush do të jenë 30-32 deputetët e mundshëm të kësaj partie.

“Tregues interesant është të shihet kush do të jenë 30-32 deputetët e LDK që u zgjodhën për Kuvend nga 110 kandidatët që ishin në garë dhe cilën frymë e përçojnë si dhe përfaqësimi regjional i tyre, në komunat ku LDK është e para ose jo si dhe struktura e grupmoshës”, ka përfunduar politologu Ramush Tahiri, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Largimi i Thaçit, shpërblimi i LDK-së ndaj votuesve të saj

E, analisti politik, Faton Mehmeti, konsideron se partia e Isa Mustafës edhe me tej po vuan pasojat e koalicionit me PDK-në.

Sipas tij, tani është koha që brenda LDK-se të diskutohet koalicioni i ardhshëm, me përgjegjësinë që së bashku me VV-në t’i prijnë ndryshimit të shumë pritur.

Image
Faton Mehmeti

“Frika nga një koalicion i mundur me PDK-në, ka ndikuar që LDK mos të del e para, si dhe përflitja se Vjosa Osmani nuk është ajo që vendos për koalicionet, por njerëzit tjerë brenda LDK-së. Natyrisht, se kjo ka shkaktuar huti dhe dyshim tek votuesit, e të cilët si adresë të vetme për të dërguar PDK-në në opozitë e kanë gjetur tek Vetëvendosje. Është koha që brenda LDK-se të diskutohet kjo gjë, me përgjegjësinë, që së bashku me VV-në t’i prijnë ndryshimit të shumë pritur”, ka thënë Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, analisti politik ka nënvizuar se largimi i Thaçit nga posti i presidentit me inicim të LDK-së do ishte shpërblimi i këtij subjekti ndaj votuesve të saj, të indinjuar që kjo parti bëri president.

“LDK ende po vuan pasojat e koalicionit me PDK-në. Largimi i Thaçit nga posti i presidentit me inicim të LDK dhe të përkrahur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, do ishte shpërblimi i LDK-së ndaj votuesve të saj të indinjuar që kjo parti bëri president Thaçin”, ka deklaruar analisti Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Vjosa Osmani, kandidaturë e qëlluar

Ndërsa, politologu tjetër, Faik Krasniqi, është i mendimit se reformat në Lidhjen Demokratike të Kosovës ishin sipërfaqësore.

Krasniqi konsideron se kandidatura e Vjosa Osmanit ishte kandidaturë e qëlluar, përkundër rezultatit.

Image
Faik Krasniqi

“LDK prej vdekjes se presidentit Rugova kurrë nuk arriti të reformohet. Reformat në këtë parti ishin sipërfaqësore, por aspak të sinqerta. Edhe koalicionet me PDK-në e dëmtuan në masë të madhe. Kandidatura e zonjës Vjosa Osmani ishte kandidaturë e qëlluar. Nëse do të kandidonte dikush tjetër nga kjo parti, LDK do pësonte debakël në këto zgjedhje. Por ata që e kandiduan zonjën Osmani e bënë për dy gjera. E para, për ta shmangur debaklin. E dyta, për ta djegur politikisht”, është shprehur Krasniqi.

Ai gjithashtu ka treguar se po të mos ishte frika e elektoratit, kurrë s’do e kishin kandiduar Osmanin për këtë post.

“Është kandidaturë e pa sinqertë nëse e kandidon në minutat e fundit. Po të mos ishte frika e elektoratit, kurrë s’do e kishin kandiduar. Ne e dimë fare mirë se me përjashtim të z. Haxhi Avdyli që e ka përkrahur, të gjithë të tjerët kanë qenë kundër saj. Me çdo kusht mundoheshin ta eliminonin politikisht’, ka pohuar ai.

Krejt në fund, ai është i mendimit se LDK duhet të futet në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Populli nuk hanë bari që mos t’i kuptojë hilet e tyre pse e kandiduan për kryeministre. As Vjosa nuk është e pafajshme. Në asnjë mënyrë nuk është dashur të pranojë këtë kandidaturë. Sikur të zgjidhej kryetare e LDK-së, atëherë do të ishte krejt ndryshe. Nëse LDK nuk pastrohet rrënjësisht, rënia e saj do të jetë e pashmangshme. Ky është rezultati i këtyre zgjedhjeve. Vetëvendosje është fituese e këtyre zgjedhjeve me plotë meritë, dhe kush fiton zgjedhjet i takon posti i kryeministrit. Albin Kurti me plotë meritë i fitoi zgjedhjet dhe duhet të bëhet kryeministër. LDK duhet ta ulë bishtin dhe pa kushte absurde të futet në koalicion me LVV-në”, ka thënë Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat