Tandemi Kurti-Osmani, partnerë të mirë të SHBA-së dhe BE-së në bisedimet me Serbinë

Politika

Tandemi Kurti-Osmani, partnerë të mirë të SHBA-së dhe BE-së në bisedimet me Serbinë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 10 tetor 2019 Në ora: 08:24
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të mbajtura me 6 tetor, po pritet formimi i Qeverisë nga Vetëvendosje, e cila është fituese e zgjedhjeve dhe LDK, që ka dalë partia e dytë.

E Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që udhëheqja e re të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve.

Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për “Zërin e Amerikës”, duke shtuar se SHBA-të urojnë popullin e Kosovës për përfundimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare.

“Ne mirëpresim mundësinë të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë zëdhënësi në deklaratën për Zërin e Amerikës.

Por, si duhet të veprojë Kosova në këtë rast dhe sa do të jetë sfidë rikthimi në tryezën e dialogut dhe a duhet të hiqet taksa ndaj Serbisë, derisa kjo e fundit ka thënë se nuk e vazhdon dialogun, pa u hequr ajo?

Tahiri: Pres që Kosovës t’i kthehet dinjiteti i përfaqësimit

Image
Ramush Tahiri

Politologu Ramush Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kurti ka deklaruar se do të bisedojë me Vuçiqin dhe se Kosova do të jetë palë e barabartë në tavolinë dhe se taksa do të hiqet dhe do të vendoset reciprocitet i plotë ndaj Serbisë.

“Albin Kurti ka deklaruar se ai si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të bisedojë me Vuçiqin ose me këdo që e përcakton Serbia, dhe se Kosova me nuk do të jete temë në tavolinë por do të jetë palë e barabartë në tavolinë. Ai gjithashtu tha se taksa do të hiqet dhe do të vendoset reciprociteti i plotë në marrëdhëniet me Serbinë. Kurti tha se do të bisedojë në emër të shtetit dhe se taksa e ka pasur efektin e mirë sepse i ka ndalur përpjekjet për ndarjen e Kosovës ose këmbimin e territorit”, është shprehur ai.

Tahiri pret që dialogu të udhëhiqet nga Qeveria dhe marrëveshja mes dyja shteteve të nënshkruhet nga dy kryeministrat e të ratifikohet nga Kuvendet e të dyja vendeve.

“Unë pres që dialogun ta udhëheqë Qeveria, marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë ta nënshkruajnë të dy kryeministrat e vendeve, dhe ta ratifikojnë Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Serbisë. Pres që Kosovës t’i kthehet dinjiteti i përfaqësimit, dhe i subjektivitetit të plotë ndërkombëtarë në raport me shtetet në marrëdhëniet bilaterale në raport me organizatat ndërkombëtare dhe gjithsesi në raportet me Serbinë si dy shtete fqinje qe i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, ka deklaruar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Lepaja: Tandemi Kurti-Osmani mendoj se do të jenë partner të mirë të SHBA-së dhe BE-së

Image
Fadil Lepaja

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, duke folur për këtë çështje për “Bota sot”, mendon se Qeveria e re do të jetë pro dialogut me Serbinë dhe do të fillojë bisedimet me të.

“Mendoj se Qeveria e re do të jetë pro dialogut me Serbinë, dhe se pas konsolidimit të saj do të fillojë menjëherë me to, sepse Kosova nuk ka arsye të ketë frikë nga bisedimet as nga imponimet”, ka vlerësuar ai.

Lepaja shton se Kurti është njoftuar me interesin amerikan për një marrëveshje në parim deri në pranverën e vitit të ardhshëm, duke u hapur rrugën drejt BE-së të dyja vendeve.

“Vizitat e fundit tregojnë se Kurti është njoftuar me interesin e vërtetë amerikan dhe ndërkombëtarë për një marrëveshje në parim, deri në pranverën e vitit të ardhshëm dhe e cila do të implementohej përmes një procesi të kontrolluar dhe mbikëqyrur nga ata, duke hapur kështu edhe rrugën e Kosovës dhe Serbisë por edhe vendeve të tjera të rajonit, drejt BE”, ka theksuar Fadil Lepaja.

Sipas tij, Kurti nuk është kundër dialogut dhe ai bashkë me Vjosa Osmanin do të jenë përfaqësues të denjë të qytetarëve të Kosovës dhe do të jenë partner të mirë të SHBA-së.

“Kurti, siç e ka thënë vazhdimisht, nuk është kundër bisedimeve por është kundër imponimeve. Gjithsesi askush nuk do e detyrojë Kosovën të pajtohet me llastimin e Serbisë dhe privilegjimin e saj. Tandemi Kurti-Osmani mendoj se do të jenë partner të mirë të SHBA-së dhe BE-së në këto bisedime dhe do të përfaqësojnë denjësisht qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Lepaja për “Bota sot”.

Krasniqi: Kur amerikanët i futen një pune, aty s'ka fjalë dhe shaka

Image
Faik Krasniqi

Në anë tjetër njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se që kur është shpërndarë Kuvendi, SHBA ka thënë se Qeveria e re duhet ta rifillojë dialogun me Serbinë dhe kur amerikanët thonë se duhet të hiqet taksa, s’kemi pse të frikësohemi.

“SHBA e ka bërë të ditur qysh se kur u shpërnda Parlamenti se Qeveria e re duhet të rifillojë menjëherë dialogun me Serbinë. Kur amerikanët i futen një pune, aty s'ka fjalë dhe shaka. Nëse amerikanët thonë se duhet të hiqet taksa, atëherë kjo nënkupton se është gjë e sigurt dhe s'kemi pse të frikësohemi”, është shprehur ai.

Krasniqi thotë taksa është një gënjeshtër, pasi produktet e Serbisë shiten me të njëjtin çmim si pas vendosjes së saj.

“Kurrë s'ka pasur taksë të vendosur ndaj Serbisë. Thjesht një gënjeshtër. Si ka mundësi që produktet e Serbisë të shiten me çmime të njëjta si para taksës? Ka produkte që shiten më lirë pas taksës se sa para taksës. Nëse një produkt para taksës ka kushtuar një euro, me taksën 100 për qind është dashur të shitet 2 euro dhe jo me çmim të njëjtë”, ka deklaruar Faik Krasniqi.

Ndryshe, dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë qëkur Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat