Koalicioni Vetëvendosje-LDK nuk do t`i nënshtrohet Listës Serbe

Politika

Koalicioni Vetëvendosje-LDK nuk do t`i nënshtrohet Listës Serbe

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 tetor 2019 Në ora: 15:21
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Zgjedhjet e 6 tetorit tashmë kanë përfunduar dhe në bazë të rezultateve të arritura, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e tyre. Si subjekti i dytë është radhitur Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në bazë të disponimit nga të dyja krahët, qeveria e ardhshme, sipas të gjitha gjasave, do të jetë mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, shkruan gazeta “Bota sot”.

Mirëpo, bazuar nga qeveritë e kaluara, ku Lista Serbe kishte pasur një rol rëndësishëm, edhe tani kanë filluar të dëgjohen zërat se edhe kësaj radhe kjo e fundit do mund ta ketë një rol determinues.        

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës për gazetën “Bota sot”, janë shprehur se Lista Serbe që nga formimi i saj është shndërruar në instrument politik të Beogradit zyrtar, andaj, ata shprehin shqetësimin e tyre se destruktiviteti i tyre mund të jetë i pritshme dhe jo befasues edhe në këtë kohë.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend konsiderojnë se Qeveria e ardhshme duhet të jetë e plotësuar me numra të mjaftueshëm, në mënyrë që të mos varët asnjëherë nga vota e tyre. Sipas tyre, koalicioni VV-LDK nuk do të varet nga Lista Serbe dhe instruksionet që kjo e fundit i merr nga Beogradi, siç ishte me qeverinë e PAN-it.

Gecaj: Lista Serbe, instrument i politikës së Beogradit

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se Lista Serbe gjithnjë, që nga formimi i saj ka qenë instrument i politikës së Beogradit.

 “Fatkeqësisht, Lista Serbe që nga formimi është shndërruar në instrument politik të Beogradit zyrtar, jo mbrojtës të së drejtave të komunitetit serb ne Kosove, siç duhej të ishte”, ka thënë Gecaj.

Me tek, zyrtari i LDK-së duke folur për këtë temë, ka theksuar se destruktiviteti i këtij subjekti mund të jetë edhe tani i pritshëm.

“Prandaj, destruktiviteti i tyre mund të jetë i pritshme dhe jo befasues”, ka përfunduar zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për gazetën “Bota sot”.

Abazi: Qeveria do të formohet më LVV-në dhe LDK-në

Image
Haki Abazi

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se qeveria e ardhshme do të formohet më LVV-në dhe LDK-në nën udhëheqjen e Albin Kurtit.

Ndërsa, sa i përket Listës Serbe, Abazi ka thënë se është përzgjedhje e tyre nëse do të jenë apo jo pjesë e Qeverisë, dhe se nuk mund të kushtëzojnë në asnjë mënyrë.

“Qeveria do të formohet më LVV-në dhe LDK-në nën udhëheqjen e Albin Kurtit sepse kështu është përcaktuar nga shumica dërmuese e sovranit. Lista Serbe mundet ose jo është përzgjedhje e tyre dhe nuk mund të kushtëzojnë në asnjë mënyrë”, ka thënë Abazi.

Tutje, ai është shprehur se partia e tij do të sillet më secilin në bazë të ligjeve dhe kushtetutës.

“Nëse vendimi demokratik do të varej nga Lista Serbe atëherë çfarë kuptimi kane zgjedhjet ku marrin pjesë 95 për qind të qytetarëve të tjerë. Vetëvendosje do të sillet më secilin në bazë të ligjeve dhe kushtetutës ashtu siç edhe do të aplikoj ligjit dhe kushtetutën dhe ligjet në fuqi në secilin pjesë të Kosovës”, shprehet Abazi.

Haziri: VV dhe LDK nuk ka nevojë për Listën Serbe, siç ishte me qeverinë e PAN-it

Image
Nexhat Haziri

Nexhat Haziri, analist dhe njohës i zhvillimeve politike ka thënë se një koalicion mes LDK-së dhe VV-së nuk do të varet nga votat e Listës Serbe, ani pse bënë me dije se është kategori kushtetuese.

“Një koalicion në mes VV-së dhe LDK-së edhe nuk ka nevoje për Listën Serbe, pra nuk varet nga votat e tyre, por duhet të kihet parasysh se është kategori kushtetuese dhe kjo imponon që Lista Serbe të jetë pjesë e qeverisë së Kosovës të përbërë nga koalicioni VV-LDK, duke udhëhequr me një dikaster të qeverisë”, ka pohuar ai.

Sipas Hazirit, koalicioni VV-LDK nuk do të varet nga Lista Serbe dhe instruksionet që kjo e fundit i merr nga Beogradi, siç ishte me qeverinë e PAN-it.

“Se tani sa mund të funksionoj një ministri brenda qeverisë e cila nuk është pjesë e koalicionit qeveritar, kjo krijon një të panjohur që është paksa vështirë të thuhet tani në këtë moment. Por sido që të jetë, ajo që tashmë dihet qeveria e koalicionit VV dhe LDK, nuk do të varet nga Lista Serbe dhe instruksionet që kjo e fundit i merr nga Beogradi, siç ishte me qeverinë e PAN-it, e cila arriti të funksionalizohet vetëm pas bekimit që mori në Beograd”, ka shtuar Haziri.

Duhanaj: Qeveria e ardhshme të mos varet nga vota e tyre

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, nga ana tjetër, analisti dhe njohësi tjetër i çështjeve politike në vend, Leon Duhanaj, lidhur me këtë çështje, ka thënë se në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, komunitetet pakicë janë të favorizuara, apo siç preferohej të quheshin, të diskriminuara pozitivisht.

“Me ç’rast nga 120 ulëse në Kuvend, i kemi 20 të rezervuara për minoritete. Për fat të keq, ky lloj favorizimi vlen edhe në formimin qeverive. Në ketë kontekst, nëse përpos Listës Serbe asnjë subjekt tjetër serb nuk ka arritur të fitojë ulëse në Kuvend, atëherë duhet të bisedohet me ta dhe të përfshihen në Qeveri.

Duhanaj ka shpjeguar se edhe pse duhet t’u ndahet ndonjë dikaster qeveritarë, ata nuk duhet t’u japin hapësirë për t’i bllokuar proceset e rëndësishme për vendin.

“Natyrisht që kjo listë as nuk ka pasur e as nuk ka në agjendë Kosovën dhe të ardhmen e saj, por Serbinë. Në ketë kontekst, ata janë veç se për t’i degraduar proceset. Megjithatë, për mendimin tim edhe pse duhet t’u ndahet ndonjë dikaster qeveritarë, ata nuk duhet t’u japin hapësirë për t’i bllokuar proceset. Qeveria duhet të jetë e plotësuar me numra të mjaftueshëm në mënyrë që të mos varët asnjëherë nga vota e tyre”, ka thënë mes tjerash analisti Duhanaj.

Njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese shpjegon nëse duhet të jetë Lista Serbe pjesë e Qeverisë

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, duke folur për rolin e Listës Serbe, ka thënë se minoritetet në Kosovë janë kategori Kushtetuese dhe jo përjashtuese.

“Minoritetet janë kategori Kushtetuese, dhe jo përjashtues nga qeveria dhe Kuvendi. Të gjithë duhet të kenë pjesëmarrje në institucione të shtetit dhe të mbrojnë të drejtat e tyre, andaj si e tillë pakicat janë pjesë e institucioneve dhe nuk mund të përjashtohen, vetëm nëse këta të fundit e përjashtojnë vetën”, shprehet ai.

Ai është i mendimit se Lista Serbe ata duhet të jenë pjesë e Qeverisë dhe institucioneve tjera të shtetit.

“Përndryshe, ata duhet të jenë pjesë e Qeverisë dhe institucioneve tjera të shtetit, nëse nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e Qeverise, ky është segment tjetër. Mirëpo, e theksoj se ata nuk mund të përjashtohen, pasi që kjo është çështje kushtetuese”, ka thënë Burjani.

Burjani, gjithashtu ka theksuar se partia e cila edhe i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit po tenton të përjashtojë formulën kushtetuese dhe planin e Ahtisaarit.

“Lëvizja Vetëvendosje tenton të përjashtojë formulën kushtetuese dhe planin e Ahtisaarit që e përbën kushtetutën e shtetit”, ka thënë në fund, për gazetën “Bota sot”, Blerim Burjani, njohës i çështjeve juridike e kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat