Albin Kurti e Vjosa Osmani drejt hyrjes në histori

Politika

Albin Kurti e Vjosa Osmani drejt hyrjes në histori

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 11 tetor 2019 Në ora: 08:13
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Gjatë së enjtes u zhvillua një takim ndërmjet kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidates për Kryeministre, Vjosa Osmani me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe zyrtarin tjetër të këtij subjekti, Besnik Bislimi.

Me këtë rast, u bë e ditur se është arritur një marrëveshje paraprake për një koalicion qeveritar ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Kështu bëri të ditur Vjosa Osmani, e cila pas takimit me Albin Kurtin deklaroi se, koalicioni LDK – Vetëvendosje po ndodhë dhe se është arritur një marrëveshje, shkruan “Bota sot”.

Sipas saj, koalicioni do të harmonizohet pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, ndërsa e vetmja gjë që mbetet do të jetë zvogëlimi i qeverisë dhe puna e saj dhe të jetë në shërbim të qytetarëve.

"Në qoftë se rezultati konfirmohet ne do të pranojmë që kushdo që ka fituar do ta marrë postin e kryeministrit", tha Vjosa Osmani.

 “Sot kemi diskutuar më shumë në nivel të parimeve jo të detajeve, por më e rëndësishmja është që të dyja partitë treguam vullneti ne mirë për të qeverisur bashkë, dhe vullneti ne mirë për të punuar në interes të qytetarëve të Kosovës. KA disa gjëra për t cilat filluam diskutimet tona kryesisht sa i përket një qeverie e cila do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, por patjetër që do të rritet sa i përket punës së mirë që do të bëjmë në interes të qytetarëve”, tha Osmani.

Osmani: Po presim numërimin e të gjitha votave

Osmani tha se është e rëndësishme të presin numërimin e të gjitha votave, para se të arrijnë një marrëveshje finale.

“Ne si LDK kemi deklaruar se po presim rezultatin final, dhe natyrisht që nëse rezultati konfirmohet  kush del që ka marrë më së shumti vota në atë moment ne në asnjë mënyrë nuk do të hezitojmë që të bashkëqeverisje të pranojmë kushdo që ka fituar të merr pozitën e kryeministrit. Sa i përket asaj se ku të jem unë ky është vendim që do ta marrë unë së bashku me partinë që e përfaqësoj”, tha Osmani.

Kurse,  kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti,  tha se Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë të larta.

Kurti: LDK e Vetëvendosje do të qeverisin së bashku

Ai tha që për synim e kanë t’i dalin zot nevojave të qytetarëve.

“PDK është në opozitë e kjo nuk do të ndryshojë, LDK e Vetëvendosje do të qeverisin së bashku, as kjo nuk do të ndryshojë, mund t’i ruajmë fjalët e fundit për fund por mendoj se shumëçka për mos të thënë gjithçka është e qartë”, tha Kurti.

Kuti tha se do të presin certifikimin final të rezultateve, ani pse sipas tij pothuajse çdo gjë është e qartë tashmë.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka folur shkurtimisht edhe para fillimit të takimit me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, e kandidaten për kryeministre të kësaj partive, Vjosa Osmani.

I pari i VV-së Kurti tha para mediave se ky do të jetë fillimi i qeverisjes së re në Kosovë.

“Ky është fillimi qeverisjes së re, po punojmë për koalicion qeveritar që do ta shkap shtetin nga e keqja”, ka thënë Kurti.

Mustafa: Në ditët në vijim do të punojmë në përafrimin e objektivave qeverisëse

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka treguar parmes një shkrimi në Facebook, se në takim me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin kanë biseduar për mundësitë e bashkëqeverisjes LDK-LVV.

Mustafa, thotë se në ditët e ardhshme do të punojnë në përafrimin e objektivave qeverisëse.

Ai thotë se, pasi të përfundon numërimi i të gjitha votave do të përpiqen të gjejnë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri.

“Të nderuar qytetarë. U takuam sot me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, diskutuam mundësitë e bashkëqeverisjes, LDK- VV, si dy subjekte që dolën fituese në këto zgjedhje.

Në ditët në vijim do të punojmë në përafrimin e objektivave qeverisëse, ndërkaq pasi të përfundojë krejtësisht procesi i numërimit të të gjitha votave dhe të dihet subjekti i parë, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri. Vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së. IM”, ka shkruar Isa Mustafa në profilin e tij në facebook.

Arritjen në parim të koalicionit LDK-Vetëvendosje, e kanë përshëndetur edhe publicistë e opinionistë të ndryshëm.

Liri Loshi: Kurti dhe Osmani kanë hyrë në histori

Një nga ta, është edhe Liri Loshi, ish-mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka uruar punë të mbarë Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, të cilët sot kanë arritur marrëveshjen për koalicionin qeverisës.

Loshi në një postim në Facebook, ka thënë se Kurti dhe Osmani kanë hyrë në histori, duke mbushur qytetarët me shpresa për të ardhmen.

Ai ka thënë se të dytë, kanë shumë punë, e cila kërkon vullnet, guxim e dije, por sipas tij, mënyra më e mirë për të përkrahur Kurtin dhe Osmanin, është që secili të kryejë punën e vet me dashuri për vendin.

“Nuk mund ta marr me mend Albinin në xhip të zi! Unë e di që ai i urren xhipat dhe jam i sigurtë se do të dëshironte të shkonte në punë fare thjeshtë, këmbë, ose në biçikletë dhe pa zhurmë. Bëjani të mundur këtë kryeministrit tonë duke e rrethuar me dashuri në vend të personelit të sigurisë fizike. Sepse, nuk ka një siguri më të madhe për njeriun sesa dashuria. Mos pritni që kryeministri juaj i ti të bëjë diçka për juve, nëse secili nga ju nuk e keni bërë gjenë më të mirë të mundshme për vendin tuaj ku jetoni e punoni, apo nga çdo pjesë e botës ku ndodheni. Kjo është një epokë e re, ku vendit dhe popullit do t’i kthehet dinjiteti dhe do t’i kthehet shpresa! Kjo është një epokë që nuk do të lejojë më kurrë një kthim prapa, në anarki dhe shtet të kapur bandash”, ka thënë Loshi.

“Albini dhe Vjosa, ose Vjosa dhe Albini po hyjnë sot në histori dhe bashkë me ta edhe ne, secili që dëshiron vendin e vet të lirë nga krimi dhe të mbushur me shpresa për të ardhmen. Ka shumë punë për të bërë, por besoni se puna e madhe është kryer në këtë proces zgjedhor dhe është kryer jo nga Albini dhe Vjosa, por pikërisht nga ju, nga vota juaj që keni vendosur qartazi dhe prerazi për ndryshim”, është shprehur ai.

Loshi ka theksuar se, tani Albini, Vjosa dhe ekipi i tyre janë para fillimit të punës që do të kërkojë shumë vullnet, energji, dije, guxim dhe koncentrim.

“Mënyra më e mirë për t’i përkrahur ata është që secili ta kryejë punën e vet me vetëdije të lartë dhe me dashuri të madhe për familjen, për njeriun dhe për vendin e vet. Kosova, ky vend i bukur, do të bëhet një vend i jetës normale dhe i ardhmerisë së lumtur për qytetarët e vet! Sepse, për këtë kanë punuar brezat para nesh dhe kemi punuar edhe ne duke sakrifikuar veten dhe të dashurit tonë. Është fatkeqësi e madhe për të gjithë ata që për njëzet vjet rresht, nuk e kanë kuptuar, apo nuk dashur ta kuptojnë se gjaku është derdhur jo vetëm për liri dhe për shtet të pavarur, por edhe për mundësi të barata për të gjithë. Të gjithëve juve me fat! Vjosës, Albinit dhe ekipit të tyre punë të mbarë!”, ka shkruar Liri Loshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat