Albin Kurti nuk duhet të bie pre e ideve pansllaviste të Qosjes për shkëmbimin e territoreve

Politika

Albin Kurti nuk duhet të bie pre e ideve pansllaviste të Qosjes për shkëmbimin e territoreve

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 tetor 2019 Në ora: 11:54
Albin Kurti

Ndonëse ishte cilësuar e vdekur, çështja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duket se vazhdon të jetë temë diskutimi, veçanërisht nga proklamuesit e saj.

Njëri ndër ta është edhe Rexhep Qosja, i cilik së fundi ka deklaruar se duhet të mendohet edhe mundësia e shkëmbimeve të territoreve,

“Mund të supozohet se mund të kërkojnë një shkëmbim territoresh, një pjesë të veriut me Luginën e Preshevës, këtë sa territor do ta caktonin ekspertët por në qoftë se ne duam që çështja e Kosovës, mosmarrëveshja e Serbisë me Kosovën, kjo çështje të zgjidhet historikisht ne duhet të mendojmë dhe për këtë mundësinë e shkëmbimeve të territoreve. E di se ky mendim ka shumë pak përkrahës. U pajtuan mes kufirit me Malin e Zi, ku Kosova i dhuroi Malit të Zi afro 9 mijë ha tokë pse këta burra e trajtojnë si ide antikombëtare idenë e shkëmbimit të territoreve? Sidoqoftë të shohim se çfarë do të propozojnë SHBA-të dhe BE”, ka thënë mes tjerash.

Por pyetja lind se pse vallë duhet të ndodhë shkëmbi i territoreve? Pse duhet të dhurojmë tokë Serbisë sikurse Malit të Zi dhe pse t`i bëhet kjo tradhti ndaj Kosovës. Kush janë fajtorët?

E njohësit politik në vend vlerësojnë se këto ide fatkeqësisht janë në lojë kaherë, por sipas tyre, Ramush Haradinaj dhe mbi 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët e votuan pa menduar mirë këtë tradhti kombëtare, janë fajtorët kryesor.

Krasniqi: Ramush Haradinaj dhe mbi 80 deputetë që votuan këtë tradhti kombëtare, janë fajtorët kryesor

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi ka pohuar se falja Malit te Zi mbi 8200 hektarë toke, ka qenë veprimi më anti-demokratik i partive tona politike, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje që nuk e votuan dhe e kundërshtuan ashpër.

Sipas tij, Ramush Haradinaj dhe mbi 80 deputetë që votuan këtë tradhti kombëtare, janë fajtorët kryesor.

“Mendoj se votuesit është dashur t'i ndëshkojnë keq deputetet dhe partitë politike që votuan pro faljes së mijëra hektarëve Malit të Zi. Andaj nuk besoj që SHBA-ja do na bëj presion për një shkëmbim të tillë. Por një gjë nuk e kuptojë, pse të ndodh ky shkëmbim territori, dhe të shikojmë se apo humbim territor apo jo. Më duket qesharake kjo, ‘ po të jap pak tokë, e më jep pak tokë’. Sepse edhe nëse ndodh ky shkëmbim territori, prapë se prapë komplet Kosova Lindore nuk kalon në Kosovë. Dhe nëse Serbia këmbëngul në shkëmbim territori, ata këmbëngulin për të na marrë Ujmanin dhe Trepçën, dhe jo toka të thata të Leposaviçit dhe Zveçanit”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Duhanaj: Ideja e ndarjes së Kosovës, është ide e kamotshme e aleancës pansllaviste

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se ideja e ndarjes së Kosovës, është ide e kamotshme e aleancës pansllaviste.

“Kamuflimi i saj në forma dhe emërtime të reja nuk është asgjë me shumë se tradhti ndaj idealit kombëtarë. Pse e bëmë luftën atëherë? Kjo çfarë po ndodhë në Kosovë dhe me shqiptarët, është vazhdimësi e asaj çfarë ka ndodhë edhe përgjatë rrjedhës historike. Çdoherë kemi qenë me shumë në shërbim të armiqve se sa vetvetes. Edhe z. Qosja, është pjesë e kësaj garde të gjatë të atyre që llomotisin në emër të kombit e në fakt nuk janë edhe aq entuziast me vetë qenien e tyre si shqiptarë. Vetë hamendja e një numri goxha të madh të shqiptarëve rreth neootomanizmit, tregon çartë se ne, kemi krizë të thellë identitare”, ka thënë Duhanaj.

Ai më tej ka theksuar se këtë krizë e josh dhe e shfrytëzon Turqia përmes Erdoganit dhe të cilën politikisht e kapitalizon Rusia, përkatësisht Serbia.

“Ne e dimë se serbet janë zgjeruar në tokat shqiptare, prandaj dhe lind pyetja se ku është atëherë logjika e tërheqjes?! Ku është argumenti, sidomos pasi që e fituam pavarësinë dhe e vërtetuam në GJND. Kjo nuk është asgjë tjetër, por mbrojtje dhe promovim i ideve pansllaviste dhe panislamiste për regjionin e Ballkanit. Ide të cilave z. Qosja kahmot u frynë. Tashmë e ka pa që Albini dhe VV, dolën të parët, andaj dhe synon ta vazhdoj ndikimin të cilin e kishte luajtur një kohë përmes Thaçit”, ka thënë analisti politik Duhanaj.

Sipas tij, kjo ide veç sa do t'i përçajë shqiptarët dhe do ta dobësojë pozicionin tonë ndërkombëtarë, dhe në fund edhe nëse ndahet, pjesa e mbetur do të jetë e shantazhuar nga kisha serbe, të cilës ideatorë të tillë si Qosja ia falën trashëgimin shekullore ortodokse dhe tash Serbia e posedon eksterritorialitetin mbi to.

“Madje edhe nëse Kosova si rezultat i dështimit, do të shpërbëhej fare siç është edhe synim i disa çarqeve. Çështja e kishave serbe me pastaj do të vazhdonte edhe në Shqipëri. Pra, këtu është duke u synuar tradhti e shumëfishtë. Uroj që klasa politike të këndellet dhe të investoj çdo gjë në ruajtjen e sovranitetit shtetërorë të Kosovës. Për ndryshe do të na këndohen këngë të liga”, ka thënë analisti politik Duhanaj.

Mehmeti: Ideja e Qosjes nuk do të realizohet

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se ideja për shkëmbim nuk është e hershme, dhe nuk është për tu habitur që Qosja insiston në këtë veprim.

Sipas tij, duhet theksuar se këto ide që t'i ma jep një pjesë dhe unë ta jap një pjesë tjetër, janë feudale dhe si të tilla nuk janë ide të kohës dhe as që mund të ndodhin.

“Tani jemi në një kohë tjetër, ku me rëndësi është të zhvillojmë vendet tona, dhe jo të bëjmë pazare sikur të ishin duke shitur molla apo patate. Një ide e tillë rihap konfliktet në Ballkanin e brishtë, dhe si e tillë kjo nuk duhet vlerësuar dhe as pranuar, njëherë e përgjithmonë është mbyllur kjo çështje, pasi vendi ynë është njohur me kufij aktual, dhe çdo ndryshim do të rikthente Kosovën në 1974. Ide të tilla, nuk mbështetën as vet brenda Kosovës, dhe as nga jashtë, kështu që ideja e Qosjes mbetet vetëm dëshirë e tij, që nuk do të realizohet asnjëherë”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Burjani: Duhet të përfundojë drama Kosovë –Serbi

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani ka thënë për “ Bota sot” se një zgjidhje rreth kësaj, duhet të ndodhë patjetër, sepse nuk mund të mbetën peng relacionet Kosovë –Serbi.

Sipas tij, këto dy shtete patjetër duhet të gjejnë solucion dhe jo të mbesin të armiqësuar, sepse në BE nuk mund të hyn kështu pa zgjidhje të problemeve të fqinjësisë së mirë.

“Këto ide fatkeqësisht janë në lojë që moti, nuk e ka prodhuar Thaçi por fuqitë e mëdha, Thaçi akuzohet se pse i ka nisë i pari për ndryshe që një kohë të gjatë fatkeqësisht ka pasur ide të mbrapshtë. Pra, që të bllokohet agjenda disi duhet të përfundojë drama Kosovë –Serbi, siç thuhet në dobi të të dy palëve. Në kompromis dikush humb, diçka e dikush fiton diçka, humbje absolute nuk ka tash duhet me gjetë model që dy palët pajtohen së pak 70% me zgjidhjen së 100% nuk ka pajtim marrëveshje historike Kosovë –Serbi është përmend një kohë të gjatë në Bashkësinë Ndërkombëtare dhe në Serbi se duhet të këtë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat