Intriga e Beogradit si “Kali i Trojës”!

Politika

Intriga e Beogradit si “Kali i Trojës”!

Prof. Ass. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Ass. Dr. Enver Bytyçi Më 11 tetor 2019 Në ora: 22:14
Hashim Thaçi, Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama

Me dekada e ndjek politikën e jashtme, sidomos zhvillimet politike në Shqipëri, Kosovë e rajon. Çdo ditë lexoj dhe skedoj informacionet rreth saj, mbaj shënim ngjarjet, ndodhitë, si dhe deklaratat e pohimet e aktorëve dhe personazheve të shumta politike e të fushës së diplomacisë. I ballafaqoj atome zhvillimet e ngjarjet e shkuara, të cilat gjenden në literaturën historiko-politike e filozofike të dy shekujve të fundit. Por dhe përpiqem të bëj krahasimin e ngjarjeve të sotme politike me historinë e qeverisjes nga lashtësia deri në kohët moderne.

Nga kjo më rezulton se intriga e kalit të Trojës shpesh herë bëhet mjet efektive në duart e palëve në konflikt në rajonin ballkanik, për ta nënshtruar kundërshtarin. Kjo intrigë është e lexueshme veçmas në politikën dhe diplomacinë e Serbisë kundrejt fqinjëve të saj. Meqenëse jemi te marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe raportet e tyre në dialogun Prishtinë-Beograd, po dëshmoj vetëm një prej intrigave serbe lidhur me këtë dialog.

Në vitin 2012 isha në Luginën e Preshevës për të udhëheq një aktivitet artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve të Tiranës në kuadër të veprimtarive të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Erdhi nga Beogradi në Bujanoc gjithashtu ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Shpëtim Çaushi, me zonjën e tij. Kishim kohë në dispozicion që të bisedonim gjatë së bashku. Ai më tregoi se autoritetet e Beogradit, sa herë takohej me ta, ia përsërisnin refrenin: “Shiko ambasador, ne e dimë! Kosovën e kemi humbur. Ajo nuk kthehet më në sovranitetin tonë. Por duhet të na kuptoni! Ne kemi përballë nacionalistët. Nëse ne e njohim Kosovën, atëherë serbët do të votojnë ekstremistët nacionalistë. Kështu që na duhet ta arrijmë një kompromis midis nesh. Kosova nuk mund t’i fitojë të gjitha dhe Serbia të humbasë gjithçka”!

E përmenda këtë ngjarje, sepse ky slogan, sipas të cilit Serbia nuk mund të humbasë gjithçka, vijon të jetë metoda më intriguese për të bindur kundërshtarin dhe botën e Perëndimit për atë që dy presidentët në dialog, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi e kanë quajtur “Zgjidhje të dhimbshme për të dy palët të konfliktit në Kosovë” me qëllim që ta justifikojnë ndarjen e saj. Në fakt zgjidhja e dhimbshme transferohet te pala e dhunuar dhe e masakruar në fund të viteve’90 të shekullit të kaluar, te Kosova. Sepse Kosova në këtë rast i humbet territoret e saj, ndërkohë që Serbia e zgjeron më tej territorin e saj.

Intriga perfekte e Beogradit e këtij lloji përmban dy elementë: - Viktimizimin dhe diversionin e presionin ndaj komunitetit ndërkombëtar. Viktimizimi i shërben Beogradit për të “shlyer” dhe harruar krimet makabre kundër shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve dhe popujve të tjerë jo serbë në Ballkan. Diversioni përdoret si lëkura e ujkut para qengjit, pra si përkujtesë se “Nacionalizmi serb është gjallë dhe mund të rikthejë përsëri konfliktet e së shkuarës”! Në të dy rastet strategjia është një dhe e pandarë – të përfitojnë territore në Kosovën e pavarur.

Pre e kësaj intrige kanë rënë shqiptarë e ndërkombëtarë. Nga shqiptarët më të rrezikshmit konsiderohen presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Njerëz të dobët, të kapur, të korruptuar ka kudo. Dhe kjo kategori njerëzish kanë qenë, mbeten dhe do të jenë kontingjenti i përdorimit dhe keqpërdorimit në raste të tilla intrigash. Ndërkaq si ndihmës të kësaj kategorie politikanësh Beogradi ka vënë njerëzit e tij në Kosovë e në Serbi. Baton Haxhiu është më i devotshmi prej tyre. Por të devotshme në shërbim të kësaj skeme intriguese janë dhe disa medie në Shqipëri e në Kosovë, në të cilat Batoni dhe të tjerë si ai, promovohen me tepri.

Joshjet e Beogradit për të futur sa më shumë aktorë në kurthin e kësaj intrige janë të shumta, me para, me femra, me koncesione, me ndihmën konkrete për pastrim parash etj. Ndërsa pas këtyre për ndonjë të pabindur vjen presioni me dosje, me foto, me video, me qëllim deskriditimin e tyre. Ka pasur një program të Vosjsllav Shejshelit në vitin 1995, me të cilin ai rekomandonte deri infektimin me sëmundjen e sidës të liderëve politikë të Prishtinës e më pas publikimin e sëmundjes së tyre për t’i diskredituar ata në sytë e opinionit publik.

Ndër ndërkombëtarët që mbështesin Beogradin në intrigën e tij për ndarjen e Kosovës vijnë në radhën e parë ata perëndimorë që në pranverën e vitit 1999 kishin kundërshtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, si dhe ata që kundërshtuan shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit të Kosovës. Të gjithë këta me dashje e synime pro serbe e pro ruse janë bërë pjesë e intrigës së Beogradit dhe mbështesin ndryshimin e kufijve në Ballkan. Dhe për këto dy arsye institucionet e Kosovës dhe politika në përgjithësi kanë nevojë të qartësohen, të vetëdijesohen dhe të vetëmbrohen. Ushtrimi i një politike dhe diplomacie të zhdërvjelltë, të vendosur dhe këmbëngulëse është detyra më emergjente e liderëve politikë në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat