Qeveria e Kurtit do t’i jep fund dialogut me Serbinë dhe idesë për ndarjen e Kosovës

Politika

Qeveria e Kurtit do t’i jep fund dialogut me Serbinë dhe idesë për ndarjen e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 14 tetor 2019 Në ora: 10:29
Albin Kurti, foto ilustrim nga "Bota sot"

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ditë më parë ka deklaruar, se ideja e shkëmbimit të territoreve dhe diskutimet mbi harta kanë marrë fund me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet.

“Oferta ime për Serbinë është lista e kërkesave për borxhin që na e ka për obligimet e luftës. Serbia duhet ta shohë veten në pasqyrë dhe jo shqiptarët me dylbi. Vuçiq thotë që nuk mund ta njoh Kosovën me këto kufij. Dhe së dyti, me thoni çfarë kërkoni dhe ne jemi gati t’ua japim. Këto kushtëzime ne nuk i pranojmë. Zgjidhje territoriale me lapsa e harta në dore, kjo ide merr fund me ne. Jo harta me president republike. Jo marrëveshje pa dialog. Jo dialog për kufij. Këto janë qëndrimet e mia. Vuçiq duhet ta kuptoje njëherë e mire çdo të thotë ardhja e VV në pushtet”, ka thënë Kurti në deklaratën e tij.

Lidhur me këtë, njohësit e çështjeve politikë vlerësojnë se Qeveria e re e Kurtit, mund t'i jap fund dialogut të stërzgjatur me Serbinë, por assesi vet, por me ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare në krye me SHBA.

Sipas tyre, inteligjenca politike dhe guximi i Albin Kurtit do t'i bie vetëm të mira diplomatike, ekonomike e sociale Republikës së Kosovës.

Mehazi: Vetëm Qeveria e re e Kurtit mund t'i jap fund dialogut të stërzgjatur me Serbinë

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi ka thënë vetëm Qeveria e re e Kurtit mund t'i jap fund dialogut të stërzgjatur me Serbinë, por assesi vet, po me ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare në krye me SHBA.

Sipas tij, me ardhjen e Kurtit dhe Vjosës mori fund dhe ndarja e Kosovë, siç tha dhe vet Kryeministri i ri, Albin Kurt, se përgjegjësinë e dialogut me Serbinë do ta merr mbi shpatullat e veta e kurrsesi Thaçi e të tjerë si ai.

“Kosova me Kurtin kurrë nuk është më afër marrëveshje me Serbinë, nëse Kurti me Vjosën nuk mund të sosin dialogun me serbët, atëherë s'ka personalitet tjetër për dialog. Shpresat janë të mëdha që këtë problem të rëndë dialogues vetëm Albini mund ta përfundonte, po jo vetëm, por me miqtë tanë amerikan e gjermanë. Besojmë se inteligjenca politike, e guximi i Albin Kurtit do t'i bie vetëm të mira diplomatike, ekonomike e sociale Republikës së Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Shahu: Kurti do të sillet jo si në opozitë, por do të sillet si kryeministër, ku edhe do të negociojë

Image
Rexhep Shahu

Kurse, analisti politik Rexhep Shahu ka thënë se z. Kurti do të sillet jo si në opozitë, por do të sillet si kryeministër, ku edhe do të negociojë, se nuk mundet të vetëvendosë asgjë.

“Besoj se z. Kurti do të jetë serioz, se do të krijojë ekip serioz negocimi, besoj se nuk do të lejojë të ketë bisedime për shkëmbime territori, pra nuk do ta lejojë si temë fare që të trajtohet. Besoj gjithashtu se me qeverinë e tij me LDK do të mbyllet përgjithmonë historia e bisedimeve Kosovë - Serbi, pa cenuar territor shqiptar, me tepër se është i cenuar deri në 1999. Në tërësi besoj se do të flitet më pak, e do të bëhet më shumë punë dhe do të jetë qeveri e kryeministër televizionesh që nuk bëjnë propagandë, po punë.”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Voca: Kurti dhe Osmani do të jenë në pozitë dhe do kenë krejtësisht përgjegjësi tjera

Image
Mirsad Voca

Kurse, njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, ka thënë për “Bota sot” se Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti, përgjegjësitë shtetërore të së cilës do t’u takojnë dy partive më të mëdha në vend, në njërën anë, duhet të fokusohet në prioritetet e brendshme të Shtetit, e më pastaj edhe në ato të jashtme.

Ai konsideron se tani, z.Kurti dhe znj. Osmani do të jenë në pozitë dhe do kenë krejtësisht përgjegjësi tjera, për të cilat do të duhet fokusim dhe reflektim i lartë.

“E them këtë sepse në pozitë vendimmarrja ka afate shumë më të kufizuara, e që dallon shumë nga qëndrimet e reagimet e të qenurit në opozitë. Fillimisht, që të dytë duhet të ambientohen shumë shpejt me përgjegjësitë që u ka dhënë Sovrani, dhe të vëmendësohen për këtë detyrë aq të lartë por dhe llogaridhënëse për shtetin. Miqve tanë ndërkombëtarë duhet t‘u bëhet e qartë kjo qasje fillimisht e që ka të bëjë me funksionalizimin e Shtetit nga brenda. Besoj se do të kenë mirëkuptim dhe ta na japin hapësirë në këtë drejtim”, është shprehur Voca.

Sipas tij, nëse me të vërtetë insistohet nga miqtë ndërkombëtarë që prioriteti duhet të jetë dialogu me Serbinë, duke u bazuar në qëndrimet konsistente të z. Kurti dhe të znj. Osmani, natyrisht se ideja e ndarjes apo e ndryshimit të kufijve, nuk mund të jetë temë negociatash.

“Përball një presioni të mundshëm ndërkombëtar, nuk besoj se z. Kurti apo znj. Osmani mund të ofrojnë në këto bisedime diçka më shumë sesa një fqinjësi të shëndosh me shtetin serb, në këmbim të njohjes nga ky i fundit. Megjithatë, para se të arrihet tek ky stad, dua të shtoj se z. Kurti dhe znj. Osmani e kanë shumë të qartë se fillimisht Serbia, duhet të zbardh çështjen e të zhdukurve, të kërkoj falje, për të pasuar me dëmshpërblim dhe kthim të pronave private siç është fondi pensional të cilin Serbia e mban peng”, ka thënë Voca.

Ai më tej ka shtuar, se përfundimi i dialogut nuk varet vetëm nga z. Kurti e znj. Osmani, pasi kemi faktorin ndërkombëtar dhe qëndrimin dekonstruktiv serb.

“Si do që të jetë, përball bisedimeve me shtetin serb, perceptimi i rrethanave politike, pastaj qëndrimet dhe reagimet nga ana e qeverisë LVV-LDK do të jenë vendimtare për një zgjedhje finale me Serbinë. Megjithatë, dua të besoj në konsistencën e qëndrimeve të z. Kurti, si kryeministër pasues, përball jo vetëm temave të mëdha por në veçanti atyre të vogla brenda shtetërore të cilat me të vërtetë do ta krijonin Shtet më funksional. Besoj se me një qasje të tillë Kosova do të fitoj rol shumë më solid, dhe do të krijoj stabilitet afatgjatë në Ballkanin perëndimor por edhe në sferën ndërkombëtare”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.

Krasniqi: Marrëveshja Kosovë-Serbi do të përfundojë brenda disa muajve, respektivisht në vitin 2020

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa politologu Faik Krasniqi ka thënë se SHBA-ja dhe BE-ja prej shpërndarjes së Kuvendit, kanë bërë të ditur që menjëherë pas formimit të Qeverisë, duhet të rifillojnë bisedimet me Serbinë.

Sipas tij, amerikanët e kanë marrë me shumë seriozitet këtë çështje, sepse ata kur e fillojnë një punë i shkojnë deri në fund.

“Marrëveshja Kosovë-Serbi do të përfundojë brenda disa muajve, respektivisht në vitin 2020. Kurse sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve, asgjë nuk është e sigurt. Por për një gjë jam i sigurt, se Vuçiqi do të ketë përballë një njëri me ego, një kokëfortë, dhe një njeri si Albin Kurti, që mbron interesat e shtetit”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat