A është në rrezik jeta e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit?

Politika

A është në rrezik jeta e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 15 tetor 2019 Në ora: 09:05
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Ende pa ndodhur zyrtarizimi i koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, koalicion ky që synon qeverisjen e vendit, në drejtim të tyre kanë filluar të vijnë paralajmërimet e frikshme për dy fituesit absolut të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Është ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, e cila në zgjedhjet e fundit ka qenë kandidate për deputet nga radhët e koalicionit serb “Sloboda”, ajo që ka paralajmëruar se jeta e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe nënkryetares të LDK-së, Vjosa Osmani, mund të jetë në rrezik.

Trajkoviq, tha se shqetësimet e saj kanë të bëjnë me atë që “të gjithë qytetarët e Kosovës po mbijetojnë, ‘e kjo është ndarja me koalicionin e luftës’”, ka thënë Trajkoviq për Fonet.

 “Sado që kjo do të jetë diçka e pabesueshme për publikun serb, ky është shqetësimi i një gruaje serbe nga Kosova për ndryshimet në Kosovë”, tha Trajkoviq. Ajo mendon se siguria e Kurtit dhe Osmanit do të jetë e cenuar, për të mos thënë e kërcënuar. Kur thotë kështu Trajkoviq ka parasysh “angazhimin e vendosur të Kurtit për të luftuar krimin, për betejë, të paktën përmes një fushate, me njerëzit në listën e gjykatës së Hagës për Kosovën, dhe në këtë aspekt shkëputjen me krimin që e lidh rajonin”, deklaroi ajo.

Ndërsa, ky deklarim i ish-kandidates për deputete  ka nxitur reagime të ndryshme në Kosovë. E para që reagoi ishte KMDLNJ. Këta të fundit po e konsiderojnë deklaratën e Trajkoviq, si qëllimkeqe, përçarëse, pa u mbështetur në asnjë fakt të vetëm, dhe se në vete bartë një porosi të rrezikshme.

E nga ana tjetër, njohësit e fushës së sigurisë vlerësojnë se mundësia e rrezikut të helmimit të krerëve të ardhshëm të shtetit ekziston, pasi ndikimi i Serbisë në Kosovë është shumë i madh.

KMDLNJ: Deklarata e Trajkoviq, porosi e rrezikshme për nxitjen e konfliktit

Image
KMDLNJ

Përmes një kumtese për media KMDLNJ ka theksuar se, “kjo është deklaratë qëllimkeqe, përçarëse, pa u mbështetur në asnjë fakt të vetëm, por se bartë një porosi të rrezikshme për nxitjen e konfliktit midis fituesve të zgjedhjeve LVV dhe LDK dhe atyre që pësuan në zgjedhje”.

Më tutje në këtë njoftim KMDLNJ ka deklaruar se Prokuroria e Shtetit duhet të thërras në dëgjim ish-deputeten në lidhje me deklaratat e saj.

“Nëse Rada Trajkoviq ka fakte që e mbështetin dyshimin dhe ‘shqetësimin’ e saj për rrezikim të jetës së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, atëherë adresë ku duhet të drejtohet është Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit. Në rastin konkret, KMDLNJ mendon se Prokuroria e Shtetit duhet ta thërrasë për dëgjim zonjën Trajkoviq pas së cilës do të fillonte hetimet, ose ndaj atyre që sipas Rada Tarjkoviqit po e rrezikuakan jetën Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ose ndaj Rada Trajkoviqit”, përfundon reagimi i KMDLNJ-së për këtë çështje.

Maloku: Deklaratat e pambështetura, nxisin konflikte!

Image
Albinot Maloku

E lidhur me këto deklarata të Rada Trajkoviq ka folur për gazetën “Bota sot”, politologu, Albinot Maloku.

Ai ka vlerësuar se deklaratat e pambështetura nxisin edhe konflikte.

“Pa tjetër që deklaratat e pambështetura nxisin edhe konflikte, mirëpo subjektet tanimë opozitare, sikurse edhe ato që po mendohet se do t’i përkasin pozitës”, shprehet ai

Mes tjerash ai ka thënë se pozita dhe opozita në Kosovë e kanë për detyrë të punojnë në ndryshimin e sistemit të vlerave.

“Obligim e kanë të punojnë në ndryshimin e sistemit të vlerave, nëse duan vërtetë demokraci të shëndosh e jo manipulative, tha politologu, Albinot Maloku, për gazetën “Bota sot”.

Ish- eprori i lartë i UÇK-së: Ka një paralajmërim për Kurtin dhe Osmanin, ja rreziku që i pret të dy liderët e ardhshëm të Kosovës

Image
Naim Miftari

Ndërsa, ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe TMK-së dhe njohës i fushës së sigurisë, Naim Miftari, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq është vet pjesë e shërbimit të Sallobodan Millosheviç, dhe se qëllimi saj është ta tërheq vëmendjen nga konfliktet që ka me palën serbe.

“Rada Trajkoviq është vet pjesë e shërbimit të Sallobodan Millosheviç  edhe pjesa në Serbi e cila është në pushtet është po e këtij shërbimi, dhe këto dy palë kanë probleme, pasi pushteti në Serbi,  Trajkoviqin po e quajnë si tradhtare. Kjo vërejtje e bërë nga Trajkoviq është si qellim ta tërheq në anën e saj konfliktin që ka me palën e Serbisë, dhe ta bëjë si palë edhe qeverinë e ardhshme të Kosovës, e që sipas të gjitha gjasave është mes Vetëvendosjes dhe LDK-së”, është shprehur Miftari.

Tutje, Miftari paralajmëron se mundësia e rrezikut të helmimit të krerëve të ardhshëm të shtetit ekziston, pasi ndikimi i Serbisë në Kosovë është shumë i madh.

“Rada Trajkoviq ka probleme serioze me palën serbe, sidomos pas vrasjes së Oliver Ivanoviç. Për të cilën vrasje jam shumë i sigurt se qëndron Beogradi. Ndërsa, mundësia e rrezikut të helmimit të krerëve të ardhshëm të shtetit ekziston, pasi ndikimi i Serbisë në Kosovë është shumë i madh, duke filluar në Policinë e Kosovës, AKI.

Por, ai gjithashtu ka nënvizuar se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të mendojë në pastrimin e organeve të drejtësisë nga ndikimi i krimit të organizuar, e në veçanti nga ndikimi i Beogradit.

“Me ardhjen në pushtet të Kurtit apo Osmanit, këta duhet të mendojnë mirë në pastrimin e organeve të drejtësisë nga ndikimi i krimit të organizuar, e në veçanti nga ndikimi i Beogradit, sepse të gjitha institucionet e Kosovës janë të mbushura më njerëz të tillë”, ka përfunduar ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe TMK-së, Naim Miftari, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat