Gishti me bisht i “ambasadorit” Bochardt!

Politika

Gishti me bisht i “ambasadorit” Bochardt!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 16 tetor 2019 Në ora: 19:30
Berndt Borschardt

E vendosa në thonjëza funksionin diplomatik të Bochardt, sepse ai nuk është më ambasador i OSBE-së në Tiranë. Ose OSBE duhet ta shkarkojë, duke u kërkuar ndjesë shqiptarëve për sjelljet e palaços që ka sjellë në Shqipëri, ose duhet që së paku Lulzim Basha të deklarojë se ditën e parë në zyrën e kryeministrit do ta shpallë atë të padëshirueshëm. Mund ta bëjë këtë sot edhe presidenti i Republikës dhe ikën ose jo kaçubja, kjo është punë e tij dhe e atij që e ka sjellë një monstër të tillë tek ne!

Bochardt i nxori gishtin e mesit një pjese të rëndësishme që përfaqëson shoqërinë shqiptare, protestuesve të Unazës së Re, të cilët kanë shënuar histori në luftën kundër korrupsionit qeveritar të Rilindjes. Kjo fyerje deri në urrejtje për opozitën shqiptare ndëshkohet nga konventat ndërkombëtare dhe Protokolli i Vjenës. Në Vjenë ndodhet gjithashtu zyra qendrore e OSBE-së. Ky akt dëshmon se Edi Rama ka aleatë edhe në Perëndim në çmendurinë e tij për ta shkatërruar Shqipërinë. Këta aleatë të devotshëm, si Botchardt, në vend të kujdesen për fatin e shqiptarëve në burgjet politike, kujdesen për mbrojtjen ndërkombëtare të kanabizimit të Shqipërisë, të ligjeve antikushtetuese, madje edhe të vendimeve antikushtetuese e antiligjore të kryeministrit.

Duket se këtë ambasador e ndonjë tjetër si ky e paguan qeveria e Rilindjes dhe jo ata që përfaqësohen diplomatikisht përmes tyre në Shqipëri. Nuk dihet se si Rama e paguan Bochardt-in, në dorë apo në natyrë, por logjika ta thotë se ai punon për Edi Ramën dhe jo për OSBE-në. Sikur ai ta fyente dhe një njeri të vetëm, duhet ndëshkuar ashpër, sepse fjala nuk është për numrin e personave, por për shëmtinë e sjelljes së një shefi të misionit diplomatik të organizatës më të rëndësishme të të drejtave të njeriut në botë.

Kur një ambasador arrin në këtë pikë të arrogancës së vet, duket se ka një hall të madh. Nuk janë të paktë ambasadorët në Shqipëri, të cilët kanë pikëpamje të majta. Por shumica prej tyre e ndihmojnë mikun e tyre, kryeministrin e vendit, përmes kruarjes së veshit të mesit, jo duke ngritur gishtin e mesit. Bochardt doli hapur. Ngriti gishtin e mesit për të fyer protestuesit dhe publikun shqiptar. Ndërkaq ai i bën fresk qeverisë së korruptuar të Rilindjes.

Ndërsa shqetësohet për pagjumësinë e Edi Ramës pikërisht ai që paguhet për t’i mbrojt shqiptarët nga arroganca e Edi Ramës! Kjo do të thotë se nuk lidhet sjellja e tij vetëm me bindjet politike. Nuk bën ai shërbime falas! Aq më pak në shkelje të kodit diplomatik, të parimeve të OSBE-së, të cilën e përfaqëson, apo të dinjitetit të që duhet të ketë një ambasador. Bochardt e ka shitur dinjitetin te djalli dhe kjo nuk ndodh për herë të parë. Çështja është se si do të reagojë Vjena e institucioneve demokratike dhe diplomatike të globit! Sa për protestuesit, do rekomandoja ata ta denoncojnë autorin e krimit të fyerjes në gjykatë, duke shkuar deri në Strasburg. Le të shënohet në librin GINES fakti që për herë të parë denoncohet një diplomat i OSBE-së për shkelje të të drejtave të njeriut!

Opozita gjithashtu duhet të shpallë se nuk merr pjesë në asnjë tryezë për reformën zgjedhore, sa kohë që atë tryezë e përgatit ose në të merr pjesë Bochardt. Ndërkaq duhen njoftuar të gjitha organizmat ndërkombëtare të së drejtës, diplomacisë dhe politikës për këtë akt, me qëllim që ai ta mbyllë karrierën e tij diplomatike në mënyrën më të shëmtuar të mundshme! Zoti na lashtë pa ambasadorë si ky! Shqiptarët thonë “më mirë djepi bosh, se sa djali brenda tij”! Që do të thotë: -Më mirë pa ambasador, sesa një ambasador djall si Bochard në Shqipëri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat